Librat dhe leximi në rrëfimin e gazetarit & dramaturgut Bashkim Hoxha

Bashkim Hoxha

Më 2 shkurt mbush 65 vjeç dhe zyrtarisht hyj në moshën e tretë. Sigurisht një gjë e tillë të sjell trishtim, por edhe ngushëllimin se njeriu plaket pasi ka jetuar. Më datë 3 shkurt do të le detyrën shtetërore të drejtorit të Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, por do të vazhdoj të jem në emisionin e përditshëm “KOHA PER T’U ZGJUAR” në News 24, çdo ditë në orën 7 të mëngjesit. Po më 2 shkurt nga Shtëpia Botuese “Onufri” vjen për lexuesit romani im më i fundit “KRONIKAT E MJEGULLËS”. Ky do të jetë edhe libri që unë do të kem në duar këto ditë, duke dhënë autografe për miqtë dhe lexuesit dashamirës.

Cilët libra qëndrojnë mbi komodinën tuaj, pranë shtratit, dhe presin të lexohen përpara gjumit?

Bashkim Hoxha: Nuk mbaj asnjë libër mbi komodinën pranë shtratit, sepse unë nuk lexoj asnjëherë në shtrat para gjumit.

Kur dhe ku lexoni?

Bashkim Hoxha:Unë lexoj gjatë gjithë ditës, zakonisht në studion time, por edhe në dhomën e ndenjes.

Cili është libri i fundit që keni lexuar dhe iu ka ardhur keq që e mbaruat?

Bashkim Hoxha: Ka qënë triologjia “Blloku i shënimeve” i Agata Kristof. Më ka tërhequr thjeshtësia e saj e rrëfimit dhe më erdhi keq që mbaroi shpejt.

Çfarë gjinie libri preferoni në përgjithësi të lexoni?

Bashkim Hoxha: Më shumë më pëlqen të lexoj Fiction dhe veçanërisht Fiction Historik. Por edhe monografitë e librat me kujtime më tërheqin. Romancat, jo.

Cili ka qenë libri më i preferuar për ju kur ishit fëmijë?

Bashkim Hoxha: Fëminija ime është aq larg sa më duhet të sjell ndër mend disa libra të harruar. “Xhaxha Stefi”, një libër sovjetik, “Një udhëtim i çuditshëm” i autorit Bedri Dedja, “Aventurat e Çipolinos” e Xhani Rodarit, “Pinoku” i Kolodit.

Ndonjë personazh që ju ka shërbyer si model?

Bashkim Hoxha: Modelet i kam kërkuar në një moshë më të madhe, por nuk i kam gjetur. Në shkollë na indoktrinonin me Pavël Korçaginin apo Pavël Vllasovin, por këta tipa nuk më ngjisnin. Më shumë më pëlqente Don Kishoti, por nuk desha t’i ngjaja në tragjizmin e tij. Kur jam njohur me Antoine Roquentin të librit Neveria të Sartrit, kam dashur t’i ngjas në shumë gjëra atij, por nuk kam mundur as këtu. Kam mbetur pa hero në moshën time të formimit. Më pas heronjtë të duken të gjithë të mërzitshëm.

Cili është libri që mund t’i ktheheni e ktheheni vazhdimisht?

Bashkim Hoxha: “Princi i Vogël” i Antoine de Saint-Exupéry është për mua libri magjik të cilit mund t’i kthehem herë pas here. Këndvështrimi i tij për njerëzit dhe botën është mahnitës.

Nëse do ju kërkonin t’i rekomandonit një libër Presidentit të Shqipërisë, cilin titull do zgjidhnit?

Bashkim Hoxha: “Vjeshta e Xheladin beut” të Mitrush Kutelit.

Kush është shkrimtari i ditëve tona që ju admironi më shumë?

Bashkim Hoxha: Nuk është një shkrimtar. Admirimi im është për vepra të ndryshme të shkrimtarëve të ndryshëm. Janë shumë. Po marr vetëm disa nga letërsia shqipe: “Kur sunduesit grinden” e Ismail Kadaresë, “Kohë e djegur” e Thanas Medit, “Zanzen” e Ag Apollonit, “Një sagë e vogël burgu” e Besnik Mustafajt, “Secili çmendet në mënyrën e vet” nga Stefan Çapaliku, “Merkuna e Zezë” nga Agron Tufa, “Gurët e Vetmisë” nga Tom Kuka…. Ka shumë libra me vlerë në letërsinë tonë bashkëkohore, për fat të mirë.

Cili është libri i fundit që ju ka bërë për të qeshur?

Bashkim Hoxha: Nuk më vjen ndër mend ndonjë libër që të më ketë bërë për të qeshur në mënyrë të veçantë.

Po libri i fundit që ju ka bërë të derdhni lot?

Bashkim Hoxha: Lot, jo, por më ka sjellë një ndjenjë trishtimi. Ka qenë libri “Gjuetari i Balonave” i Khalid Hosein. Ka kohë.

Çfarë ju frymëzon për të shkruar?

Bashkim Hoxha: Historitë e vogla të njerëzve të zakonshëm. Mbi këto histori kam ndërtuar edhe Historinë e Madhe tek romani më i fundit “Kronikat e Mjegullës”.

Cilat histori ju tërheqin më shumë?

Bashkim Hoxha: Ato që kanë brenda vetes konfliktin dhe ironinë.

Ka ndonjë shkrimtar që ju e vlerësoni, por mendoni se të tjerët nuk e vlerësojnë si duhet?

Bashkim Hoxha: Përgjithësisht shkrimtarët me vlerë janë ata që nuk marrin çmime zyrtare. Rrallë ndodh që juritë të tregohen të drejta dhe kjo i ka bërë të parëndësishme vlerësimet zyrtare. E keni vënë re që një çmim letrar nuk i ka sjellë më shumë lexues një vepre të vlerësuar zyrtarisht?

Cili është libri më i bukur që ju kanë bërë dhuratë?

Bashkim Hoxha: Dramat e Çehovit në gjuhën origjinale.

Cili është libri që rekomandoni se duhet lexuar “me patjetër” nga të gjithë?

Bashkim Hoxha: Nuk është një libër. Është një korpus: Eposi i Kreshnikëve.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.