Letra për t’u djegur. Poezi nga Riza Braholli 

Letra për t’u djegur. Poezi nga Riza Braholli 

Tiranë: Shtëpia Botuese “Grand Print”, 28 janar 2017. Çmimi 600 lekë, 121 f. 

Riza Braholli u lind në Mborje, Korçë, më vitin 1960. Studimet e larta i ka mbaruar për Gjuhë-Letërsi, pranë Fakultetit Histori-Filologji, Universiteti i Tiranës. Po pranë këtij fakulteti ka mbrojtur edhe studimet “Master.”

Botimet e tij përfshijnë prozë e poezi. Ka botuar vëllimet me poezi: “Qaj shqip”, “Mallkim virgjërie”, “Prekja e dritës”; vëllimin poetik për fëmijë “Vallja e tingujve”; romanin “Djali i pëllumbave” dhe përmbledhjen me tregime “Nata e bardhë e Anës”.

Braholli është fitues i çmimit të parë në konkursin “Fjala poetike”, 2017, për poezinë “Vargje për të harruar”, me motivacionin “Për poezinë më të vlerësuar të konkursit poetik”(Kryetar jurie Nasho Jorgaqi). Poezia “Vargje për të harruar” është pjesë e vëllimit me poezi “Letra për t’u djegur.”

Ka punuar si redaktor letrar pranë disa shtëpive botuese, si dhe lektor i jashtëm pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës.  Aktualisht punon si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe pranë shkollë së mesme profesionale “Hoteleri-Turizëm”, Tiranë.

Vargje për të harruar

Një dorë mjergulle më duhet
ta mbuloj këtë udhë,
parkun tënd të pëlqyer
ku vallzojnë dashurisht edhe drurët,
ku gjethet spërkatur nga e qeshura jote
kthehen në flutura.

Më duhet një dimër:
ortekë e akuj mbi gjethet
mbi gjurmët e tua zëvjeshte;
edhe ajrin, edhe mallin ta ngrijë,
gjithë ujërat që sytë
e portretin ta ruajnë kaq mirë.

Më duhet harresa,
së paku argjendi i ngricës
që fsheh borën e butë,
tulin e femrës gjipërkëdhelur,
mishin e shpirtin tënd që aq urtë
e kaq djallëzisht di të jepet.

Më duhet vdekja e mallit;
heshtja është fizarmonikë e çmendur
që zgjon nga gjumi njëmijë zymbyla,
në tango ngre balerinat e zjarrit
që vallen e hedhin këmbëzbathur mbi gjemba
mbi qelqe të thyer e prushe perëndimesh.

E mua më duhet të fle, por heshtja
vrapon nëpër zemër me kuaj;
tufat e egra mbi savanën e natës
sa njëmijë trena trokojnë.
Ti e di se ç’ndodh
me një tërmet nëntë ballësh.

Më duhet harresa kupton?
Kaq shira më duhen rrëmete e breshër,
shpata vetëtimash, ta çajnë në mes
këtë rrap q’e mbollëm një verë,
ta shkulin me rrënjë e të mbjellin asgjënë,
ta zhbëjnë këtë që bëmë të dy.

Një dorë mjergulle më duhet të fle, t’i harroj
gjithë zogjtë me gushën e ndezur që ti,
me zërin tënd m’i nis nga mëngjesi në mbrëmje,
të harroj që kam puthur dy sy
prej gjarpëri që dimër më prunë, dy buzë
që kurrë s’i mora vesh, kurrë.

Më bëj një dhuratë në jetën tënde, ma bëj,
harromë, mos gërvisht asnjë xham,
mos tund asnjë degë e mos digj asnjë yll,
asnjë psherëtimë ere drejt meje mos ço,
përtej më pret deti,
qetësia, thellësia e tij e përjetshme.

Më duhet harresa, më duhet,
ndëshkimi që të desha aq shumë…

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.