Lawrence Kohlberg dhe gjashtë fazat morale

Lawrence Kohlberg dhe gjashtë fazat morale

Psikologu i Harvardit Lawrence Kohlberg krijoi gjashtë faza për zhvillimin moral.  Të bësh atë që është e drejtë, të përmbushësh detyrimet dhe t’i përmbahesh kontratave sociale, janë shtyllat në të cilat qëndrojnë veprat e Kohlberg. Fazat e Kohlberg-ut janë përshkruese dhe jo parashikuese. Ato nuk parashikojnë si do mund të zhvillohet çdo individ, por sugjerojnë si duhet të zhvillohet shumica e individëve. Për Kohlberg ekziston një diferencë midis arsyetimit moral dhe sjelljes morale. Ato lidhen, por nuk përputhen krejtësisht. Kohlberg-u nuk fokusohet në vendimet morale të mira, por në përshtatjen e strukturave konjitive që qëndrojnë nën to.

NIVELI 1 –  PARAKONVENCIONAL

Faza 1. Moraliteti heteronim është tregues i bindjes së thjeshtë.

Faza 2. Individualiteti është dukuria e interesit personal. Rregullat ndiqen vetëm kur u bëjnë mirë interesave personale dhe të tjerët janë të lirë  të bëjnë të njëjtën gjë. Reciprociteti dhe drejtësia fillojnë të shfaqen, por vetëm në mënyrë pragmatike.

Ky nivel arsyetimi moral është i zakonshëm për fëmijët, ndonëse mund të vihet re edhe tek të rriturit; morali shihet i lidhur direkt me pasojat. Një fëmijë me moralitet parakonvencional nuk i ka bërë për vete akoma rregullat e shoqërisë.

  1. Bindje ndaj ligjit, me synim shmangien e ndëshkimit dhe fitimin e një shpërblimi: Si mund ta shmang ndëshkimin?
  2. Tendencë për vetëinteres: Çfarë fitoj? Sa duhet të jap për të fituar diçka?

NIVELI 2 –  KONVENCIONAL

Faza 3. Konformiteti ndërpersonal është të jetosh sipas pritshmërive të të tjerëve, duke pasur një rol (“vëlla,” “bijë,” “fqinj,” etj). “Të sillesh mirë” është e rëndësishme dhe të trajtosh të tjerët si do të dëshirojë të trajtoheshe prej tyre, bëhen norma.

Faza 4. Sistemet sociale; është fakti që një person duhet të përmbushë detyrat për të cilat ka pranuar. Të përmbushësh detyrat personale, të respektosh autoritetin dhe të mbash rregullin social janë qëllimet në këtë nivel.

Ky nivel arsyetimi moral është tipik për adoleshentët dhe të rriturit. Ky nivel lidhet me identitetin e grupit: individët e gjykojnë moralitetin e veprimeve nisur nga krahasimi i tyre me ato të pikëpamjeve të shoqërisë: çfarë do të mendojnë të tjerët, sa “i mirë” apo “ i keq” jam, sa “trendi” apo sa “popullor” jam në grupin, klasën apo shkollën time. Individët u binden rregullave dhe ndjekin normat e shoqërisë edhe kur nuk shoqërohen me pasoja; në këtë nivel nuk ngrihen pyetje që vënë në diskutim drejtësinë dhe as sovranitetin, ose autoritetin e rregullave.

  1. Marrëveshje dhe konformitet interpersonal: krijohen norma morale, çfarë është sjellje e mirë dhe çfarë është sjellje e keqe.
  2. Autoritet dhe tendencë për të mbajtur rregull social: ligj dhe rregulla morale.

NIVELI 3 –  POSTKONVENCIONAL

Faza 5.  Kontrata sociale dhe të drejtat individuale; është kujdesi ndaj detyrimeve të ligjit. Kontratat sociale kërkojnë që ne t’i përmbahemi ligjit edhe nëse ai shkon kundër interesave tona, pasi ai ekziston për t’i bërë mirë shumicës së njerëzve. Gjithsesi, disa vlera si, jeta dhe liria qëndrojnë mbi çdo opinion të shumicës.

Faza 6. Principet etike universale të përzgjedhura nga gjithsecili janë ato që e udhëheqin një person. Këto principe ndiqen edhe nëse ligjet i dhunojnë këto. Principet që udhëheqin këtë individ përfshijnë barazinë e të drejtave njerëzore dhe respektin për dinjitetin e njerëzve si qenie njerëzore, pa pasur parasysh racën, moshën, statusin ekonomiko-social, apo kontributin që ka dhënë në shoqëri.

Ky nivel arsyetimi moral është rreth zgjedhjes së vetëdijshme të vlerave nga ana e individit, bazuar në ndërgjegjen personale dhe jetën që bën. Vlerat janë bërë të brendshme dhe sensi i detyrës zëvendësohet nga përgjegjësia personale. Individi që ka një shkallë të tillë gjykimi moral ka pikëpamjet e tij për shoqërinë; mund të mos u bindet rregullave kur mendon se janë në kundërshti me parimet e tij etike: rregullat nuk janë absolute, që duhet t’u bindesh pa i diskutuar, e keqja ka nevojë për rigjykim dhe e gabuara e grupit jo detyrimisht vlerësohet si e tillë edhe prej tij. Moralistët postkonvencionalistë kanë parimet e tyre etike, përgjithësisht parime ku përfshihen të drejtat themelore njerëzore, si e drejta për të jetuar atë lloj jete që mendon se është më e përshtatshme.

  1. Orientim për krijimin e një kontrate sociale
  2. Parime etike universale

Dija dhe përvoja e grumbulluar në secilën fazë, shërben si bazë për fazën tjetër, ndonëse mund të ndikohen nga njëra-tjetra.

Shkolla synon të edukojë vlera që zakonisht gjenden në nivelin e dytë, atë konvencional, sikundër janë njohja me të drejtat dhe detyrat si qytetar apo respekti reciprok, bindja ndaj ligjit dhe konceptimi i të mirës apo të keqes së përgjithshme të pranuar e gjykuar si të tillë nga të gjithë. Nxitja e të menduarit kritik dhe respekti ndaj diversitetit, si një trend i ri në misionin e edukimit që po e shohim në shumë shkolla të ditëve të sotme, synon të nxisë ato gjykime që i çojnë vlerat morale në nivelin e tretë, atë postkonvencional. Sigurisht që një mision i tillë mund të duket si i pamundur në sistemin parauniversitar, por e rëndësishme është të theksojmë se vlerat i japin kuptim misionit të arsimit. Duke pranuar se arsimi luan një rol të rëndësishëm në gjenerimin e vlerave, atëherë detyra e arsimit nuk është vetëm përgatitja e njerëzve të rinj për tregun e punës, por edhe përgatitja e tyre si qytetarë të mirë të një shoqërie demokratike. Një arsim i mirë duhet të gjejë balancën e duhur në edukimin e këtyre vlerave.

Përgatiti: Valbona Nathanaili 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.