Lamtumirë Dhurata Bozdo! Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Lamtumirë Dhurata Bozdo!

(1931-2018)

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Këto ditë u nda nga jeta, pas një sëmundje të rëndë romancierja Dhurata Bozdo. E lindur në Shijak, në vitin 1931, në një nga familjet e njohura patriotike të fisit Deliallisi, pasi mbaroi mësimet e para në vendlindje dhe shkollën Pedagogjike në Tiranë, u diplomua në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik. Për dekada të tëra ajo shërbeu si mësuese letërsie në shkollat e Tiranës, Kuçovës, Patosit, etj, ku bëri emër të respektuar si mësimdhënëse e zonja dhe e përkushtuar pas edukimit të brezit të ri.

E dashuruar dhe e lidhur ngushtë me letërsinë, Dhurata do të manifestonte dhuntitë e saj letrare që nxënëse e studente, jo vetëm në hartime, por edhe me tregime e skica letrare që do t`i botonte në shtypin e kohës. Ky do të ishte edhe debutimi i saj i parë në fushën e letërsisë, një debutim ky premtues, që u shfaq e u konkretizua suksesshëm në fushën e romanit, pas shumë vitesh pune, vështirësish e pengesash biografike të politizuara në atë kohë.

Për dekada të tëra, ajo punoi me romanin e saj të parë nën titullin “Shkëlqimi i Rremë”. I nisur në vitet ’50, ai u botua pas shumë peripecish në vitin 1975. Romani u mirëprit nga lexuesit e gjerë.

Me këtë vepër, Dhurata Bozdo, së bashku me romanet e E. Kadares dhe N. Lakos, u bënë pionieret e para të romanit shqiptar, të krijuar nga talentet femërore.

Pas kësaj vepre, autorja iu përkushtua në vijimësi gjinisë së romanit dhe fryt i një pune 4 vjeçare ishte romani i dytë “Përballë Dallgëve”, që u botua në vitin 1979.

Pas viteve 1990, Dhurata do t`u jepte lexuesve romanin e saj të tretë në dy vëllime nën titullin “Kush i vrau ato ëndrra?”, të cilat u botuan në vitet 2002 dhe 2004. Të tre romanet kanë të përbashkëta mjedise të Shqipërisë së mesme, sidomos të Tiranës. Ato përfshijnë harkun kohor nga viti 1930 deri në vitin 1944, e në vijim deri në vitin 1955 dhe përmbajnë kronikën e jetës shoqërore dhe politike të shoqërisë së asaj periudhe.

Një vend të veçantë në këto romane ze  jeta dhe fati i gruas shqiptare, një botë kjo që autorja e njihte thellë dhe e kish përjetuar në epoka të ndryshme të shoqërisë sonë. Meritë e saj është edhe fakti që në romanet e veta e jep me realizëm jetën shqiptare. Autorja ka depërtuar thellë në psikologjinë e gruas, veçanërisht të asaj të Shqipërisë së mesme. Vlen të theksohet se në romanin “Kush i vrau ato ëndrra?”, Dhurata pasqyroi e trajtoi jetën e intelektualëve të rinj para dhe pas çlirimit të Shqipërisë.

P.S.

Shkrimi botohet me lejen e fëmijëve.

Znj. Bozdo ka lënë dorëshkrim shumë punë të saj, që pritet të shohin së shpejti dritën e botimit.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.