“Kutia e zezë” e politikës shqiptare Nga Valbona Nathanaili

“Kutia e zezë” e politikës shqiptare

Nga Valbona Nathanaili

Shpesh thuhet se demokracia në Shqipëri, për shkak të kaluarës relativisht të gjatë komuniste, është e brishtë dhe në një brishtësi të tillë, vështirë të modelosh e të ngresh institucione demokratike. Nëse hapim “kutinë e zezë” të periudhës komuniste në Shqipëri, përmban: reformë agrare, shëndetësi e arsim falas, shtetëzimin e industrisë e të minierave, krijimin e organizatave të ndryshme të tipit Bashkimet Profesionale, organizatat e rinisë dhe të pionierit etj.

Me përjashtim të reformës agrare, shumë vende të Europës Perëndimore, për periudha të caktuara kohore ose kur në krye të vendit ishin parti social-demokrate, i kanë pasur pjesë të platformave të tyre këto synime. Për shembull, në Britani, gjatë viteve 1945-1951 hekurudhat dhe minierat ishin shtetërore, sistemi arsimor u bë falas dhe në plan të parë vendoset krijimi i një sistemi shëndetësor kombëtar.

Por në dallim nga këto vende, regjimi komunist në Shqipëri, me ardhjen në fuqi, nisi një luftë të pamëshirshme ndaj çdo mendimi ndryshe. Pjesa më e madhe e intelektualëve u burgosën dhe një frikë pothuaj pathologjike kapton pjesën më të madhe të popullsisë. Persekutimi i intelektualëve dhe zvogëlimi i ndikimit të tyre në jetën politike shqiptare shoqërohet me mungesën e një opozite dhe kritike ndaj regjimit.

Për shkak të gjendjes së krijuar, me përmbysjen e regjimit komunist në vitet ’90, në udhëheqje, në pjesën më të madhe, vijnë njerëz të papërfaqësuar, ndërkohë që të flisje për të majtën është si të kishe bërë aleancë me djallin, një gjendje dhe retorikë që dominoi për një kohë të gjatë. E djathta servirej si e vetmja zgjidhje.

Sot të majtët janë përsëri në pushtet nga 23 qershori 2013. Por “kutia” duhet hapur edhe për këta.

Kur erdhën në “fuqi” shpresa, se gjendja e mjerueshme ku e la shtetin sistemi i mëparshëm do të merrte fund shpejt, ishte e fortë. Sfidat ishin të shumta: borxhe të papaguara, korrupsion, administratë krejtësisht politike e nepotike, interesa personale që shndërroheshin në objektiva e plane kombëtare. Rama zgjodhi modelin e liderit që “udhëheq nga përpara”, një kurs karakteristik për udhëheqësit ballkanikë ose të vendeve që karakterizohen nga një paqëndrueshmëri politike ose me shkallë të ulët emancipimi e zhvillimi: lideri prevalon në të gjitha vendimet dhe në të gjitha daljet publike; politikat e jashtme dhe të brendshme janë të gjitha ekskluzivitet i tij; pushteti është i personalizuar dhe i përqendruar. Një zgjedhje e gabuar pasi të kujton, në shumë raste, liderin e mëparshëm. Autonomia e tepruar e lidershipit riskon ndjekjen e një politike idiosinkratike që mund të rezultojë si irracionale.

Në fakt, Rama duket shumë më i sofistikuar, por i njëjti fenomen: ka krijuar një stil të vetin, përdor zhargon, promovon vlera dhe perceptime shumë personale. Republika që servir ai vazhdon të jetë pothuaj po aq autoritare sa ajo e para 2013. Duke qenë se shkalla e konsolidimit të shtetit është e ulët, çka do të thotë që problematikat kryesore vijnë nga brenda, retorika e kryeministrit përmban frymë nacionaliste që gjeneron shpesh herë edhe keqkuptime, të cilat jo rrallë herë janë shndërruar në tema të preferuara humori.

Në përpjekje për të çliruar ngërçin e krijuar caktoi në poste kyçe gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët në formën e një reaksioni zinxhir e shumëfishuan këtë politikë në institucionet përkatëse që drejtonin. Historia e hidhur e mëparshme e emërimeve në administratë vazhdon të jetë po aq e hidhur.

Rama kishte dhe e ka akoma mundësinë e artë të na tregojë se është në gjendje të ndërtojë një shtet të drejtë, t’i japë demokracisë sonë të brishtë një shans për t’u forcuar, por në fakt interesat e një elite të caktuar të majtë vazhdojnë të ndikojnë interesat e përgjithshëm. Interesat personale e të ngushta të grupeve të caktuar duket se vazhdojnë të triumfojnë ndaj parimeve demokratike. Parimet dhe interesat e Shqipërisë vazhdojnë të mos jenë prioritet. Mënyra se si kanë reaguar shumë drejtues në poste kyçe reflekton më së miri jo vetëm paaftësinë e tyre për të drejtuar, por edhe mënyrën si janë vënë e zgjedhur.

Përpjekjet për të promovuar një shëndetësi falas dhe për të shitur si politikë kombëtare një kontroll shëndetësor të përgjithshëm për një grupmoshë të caktuar rezultojnë të jenë një pazar i madh nga përfitojnë përsëri grupe të caktuara private. Qeveria e Ramës, njëlloj si ajo e mëparshmja, vazhdojë të eksportojë interesa të grupeve të caktuara, që lobojnë jo për interesat tanë, por për të tyret.

Pyetja që shtrohet është: “Për kë do votojmë në zgjedhjet e ardhshme?”

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.