Kush sundon?!…

Kush sundon?!…

 1. Përgatiti: Visar Zhiti 

Teksa jepte shpirt i burgosuri Mirash Ivanaj (foto në të majtë), poet, dijetar, ish-ministër në arsim, reformator etj., me sytë e shuar vështronte, për të fundit herë, nga i burgosuri tjetër, që me duart e dridhura ia mbante kryet dhe priste amanetet:

– Më fal, të kam kastigue…, – mërmëriti me zërin e thellë si të përzier me dhé. – Unë jam i mbaruem!

Dhe më pas:

– Këtu nën jastëk ke një poezi. Ma ka pas dhanë dikush. E kam ruejt me shumë kujdes. Po munde, nxirre prej këndej dhe, po t’i gjesh rastin, botoje. Është e thjeshtë, por ka vlera njerëzore, – tha profesor Mirash Ivanaj dhe heshti përgjithmonë…

Këtë skenë danteske, dëshpërimisht të mrekullueshme, na e tregon Lazër Radi,  shkrimtar, i burgosur dhe i internuar gjatë gjithë kohës, që kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore e deri sa ra perandoria komuniste.

Nuk ka rëndësi e kujt është poezia, le të mbetet anonime, merita është tjetër tani, e lartë, sipërane. Gjesti hutues është vetë poezi… Po vriteshin jetë ndërkaq, vidheshin ëndrra, vepra, ashtu si pasuritë, edhe pse Shqipëria ishte çliruar, por jo shqiptarët. Dhe ja, dikush në ferr, ministër a dijetar, poet, e ç’rëndësi kishte tani, ishte njeriu që kishte ruajtur me vite një poezi të paemër dhe ia jepte njeriut.

Poezia mbërriti si një shpend i plagosur, i porsadalë nga gërmadhat.

Ta vazhdojmë porosinë…

  1. Përgatiti: Valbona Nathanaili

Poezia gjendet e plotë në librin “Misteret e një ministri”, me autor Dr. Lazër Radi (1916-1998) dhe pjesërisht në botimin e z. Zhiti. E gjithë gjendja në të cilën ndodhej Prof. Mirash Ivanaj në minutat e fundit të jetës është bërë e njohur sipas rrëfimit të ish-shokut të tij të dhomës në spitalin e burgut, Agron Çarçani. Edhe amaneti për botimin e saj është mbajtur po nga z. Çarçani dhe zbatuar nga Dr. Lazër Radi, ish-shok dhome me profesorin në qeli, në botimin e cituar më lart. P. Poezia paraqitet e plotë më poshtë, sipas “Misteret e një ministri”, monografi nga Lazër Radi, Tiranë: Lilo, 1994. Kopertina: Eleni Laperi, redaktor Jozef Radi.

Pyetja që shtrohet natyrshëm: A është Prof. Ivanaj autori i vërtetë i poezisë? Sipas Radit, Agron Çarçani ka qenë shok dhome në spitalin e burgut me Prof. Ivanaj, pra kanë ndejtur pak bashkë, përpos faktit që Ivanaj në burg ka qenë shumë i rezervuar dhe i mbyllur dhe, ndoshta, kjo mund të jetë arsyeja pse preferon ta mbajë autorin anonim. Sigurisht që arsyet pse Prof. Ivanaj ka kërkuar të mbetej anonim janë të shumta dhe të kuptueshme, përpos qëndimit që ka zgjedhur të mbajë në burg. Ky argument mund të marrë zgjidhje deri në një farë mase po të krahasohen ortografitë – shkrimi i letrës me atë të z. Ivanaj (Tirana Review of Books ka publikuar, kohë më parë, një dokument me shkrim dore të profesorit që gjendet në Arkivin e Shtetit), por gjithnjë nëse ekziston ende copa e letrës . Gjithsesi, në këtë fazë, mbetem në mendimin e z. Zhiti për ta lënë autorin Anonim. Dhe jemi plotësisht në përputhje me amanetin, sepse më shumë se autori ka rëndësi mesazhi.

Falenderoj Laura Kylheku (foto në të majtë) për kopertinën e librit dhe për poezinë e plotë që më dërgoi, nga faqet e librit, po aq sa për argumentet e vyera në arsyetimin në lidhje me autorësinë e poezisë.

 

Kush sundon 

Anonim 

Lamtumirë, o jetë, lamtumirë o botë,

Përzier me vrer, lagur me lotë!

Rritur me mish, mbrujtur me gjak,

O botë e rreme, që më vure lak!

Ç’tu gëzonj ju o banditë, o xhelatë,

Asnjë minutë s’më latë rehat,

Shpirtëra dhe zemra ju nuk njihni,

Ç’është njeriu ju nuk dini.

Nga dita që linda, e deri më sot,

unë s’qesha kurrë, veç derdha lot.

 Lot, lot, vrer dhe shumë psherëtime:

Ja lumturia e jetës sime!

O Zot, qysh i duron këto badërdi,

Që bëjnë veprat e krijuara nga ti?

Kush sundon, më thuaj, këta apo ti?

Ta vazhdojmë porosinë...

Në foto kryesore: Visar Zhiti, Valbona Nathanaili, Eniel Ninka, Tiranë, 2016.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.