KUR TË VDES & TË DUA Nga Havzi Nela

Nga HAVZI NELA (20 shkurt 1934 – 10 gusht 1988)

KUR TË VDES

  • Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”

A e dini se çfarë kam hjekë

Unë, poeti zemërzjarrtë?

  • Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”,

Kur t’kërkoni me ma gjetë,

Thoni: “Ai urreu mizorin”,

Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

  • Thoni: “Ai e deshi jetën,

Jeta n’vuetje e dërrmoi”.

Thoni se ka mbrojtë të drejtën,

Grusht tiranësh nuk duroi.

  • Thoni: “Desh, kërkoi lirinë

Si skifter në fluturim,

Provoi prangat, t’errtë qelinë,

Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

  • Thoni: “Dritë ai kërkoi,

E vetë dritë nuk pa me sy”.

Thoni: “Për njerzinë këndoi

E për vete mbajti zi”.

  • Thoni se e qorroi terri,

Thoni: “Dielli nuk e ngrohu”.

Thoni se e trishtoi tmerri

E të shtypunit i tha: “Çohu!”

  • Kur të vijë të çelë pranvera,

Kur bilbili nis me këndue,

Mbi vorr tim me gur’e ferra,

Nji tufë lule me ma lëshue.

  • Prekni vorrin, mos ngurroni,

Kush ka lindë, ai ka me vdekë,

Veten ju kur t’a ngushlloni,

Thoni: “Gjallë kurkush s’ka mbetë!”

TË DUA

  • Me të thanë: të due, kjo asht fare pak,

Oh, sa e vogël duket kjo fjalë!

Dashuninë time nuk e shpreh aspak;

Zemrën që buçet, derdhen shkumb’ e valë.

  • Me të thanë se bota pa ty asht nji hiç,

Ti s’do ta besosh, do t’qeshish me mue;

Për ty sot jam nda me tanë shok’ e miq,

Më shohin me inat, veç pse unë të due.

  • Kur unë thom: je dielli, hana pesëmbëdhjetë,

Të tjerët të shajnë, nxjerrin helm e vner,

Ti, për mu, e dashtun, gjithmonë ke me mbetë,

Trandafil i bukur, kur çel në pranverë.

  • Të due, oh, të due, po digjem si zjarri,

Të due sa s’thuhet, nuk shprehet me gojë,

Për dashuninë tande nuk më kalb as varri,

Për nji puthje buzësh, u thava, o zojë.

  • Të due për trupin, shtatin si selvi,

Për synin filxhan, vetullën kaleshë,

Për faqet, për gojën, buzët si qershi,

Por ma shumë për shpirtin, kur ambël më qesh.

  • Del, oh del, e dashtun, mos më le të vuej!

Bota le të flasin, e kanë nga zilia;

Del, mos rri e mbyllun, fjalën mos ma luej!

Kush flet keq për ne, i vraftë Perëndia!

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.