Kufiri Ekuador-Peru Nga Johan Galtung

EKUADOR-PERU: ZONË DYKOMBËTARE, PARK NATYROR

Nga Johan Galtung

Përktheu dhe përshtati në shqip Valbona Nathanaili

• Shumë kreative, tha ish-presidenti i Ekuadorit kur dëgjoi propozimin tonë për mënyrën e zgjidhjes së konfliktit kufitar, për një zonë me sipërfaqe afro 500 km2, që kishte shkatuar tri luftëra ndërmjet Ekuadorit dhe Perusë. Ju gjetët si zgjidhje jo përcaktimin, edhe një herë, të vijës kufitare, por kthimin e tërë zonës në “zonë dykombëtare, në një park natyror”. Asnjë njeri deri më tani nuk na ka propozuar diçka të tillë!

Vërtet ai tha shumë kreative, por shtoi:

Do të duhen të paktën 30 vjet që të mësohemi me këtë ide dhe 30 vjet të tjera për ta zbatuar. Sidoqoftë, më lejoni të bëj një pyetje, si arritët në një ide të tillë?

Përgjigja ime mund të kishte qenë se propozimi erdhi jo si rezultat i faktit, që unë e njoh mirë historinë e Amerikës Latine, por sepse unë kam në trurin tim një lloj diagrame që më këshillon si të jem sa më praktik. Negociatorët e dy shteteve kishin praktikuar për 54 vjet me radhë ndarjen e kufirit, me tërheqje e shtyrje, kombinuar me negociata pa fund. Kishin provuar sulme ushtarake, fitore e dështime. Kishin hartuar kompromise në përpjekje për të përcaktuar vijën e kufirit që do t’i kënaqte të dyja palët për territorin e lakmuar. E vetmja gjë nuk kishin provuar ishte transendenca dhe formula e thjeshtë të dyja-dhe që çoi në lindjen e idesë së zonës dykombëtare.

Por përgjigja ime ishte disi më e detajuar:

• Unë kam një metodë të vogël: dëgjo atë që nuk është thënë, dëgjo të padëgjuarën. As ju, as kolegët tuaj nuk thanë asgjë përse duhet detyrimisht kjo vijë kufitare, ndoshta sepse të dy ju mendoni që është shumë e qartë, se nuk ka nevojë as të artikulohet. Ndoshta jeni të mendimit, se çdo metër katror e kësaj toke i përket dikujt, është pronë e dikujt. Dhe kështu është, ndoshta edhe 100 % e vërtetë. Por metoda ime prek pikërisht aksiomat e besimit, ato që duket sikur jo vetëm nuk ia vlen të diskutohen, por as edhe të formulohen. Pastaj fillojmë t’i bubërojmë, ngatërrojmë, përballemi me to, vendosim fjalën “jo” duke i mohuar tërësisht, derisa gjithçka bëhet më fleksibël. Të gjitha këto, si rregull, na çojnë përgjithësisht në gjera që mund të ndryshohen. Siç e thatë edhe vetë, propozimet janë kreative. Pikërisht sepse ne prekim aksiomat e besimit.

U ndamë si miq pas një darke të mirë, pa lënë ndonjë takim tjetër.

Tre vjet më vonë, më 1998, ndërmjet Ekuadorit dhe Perusë, u nënshkrua Traktati i Paqes. Pjesë e traktatit, ishte krijimi i një “zone dykombëtare, me një park natyror”, propozuar nga Ekuadori. Veçse parashikimi i ish-presidentit se do të duhen edhe 30+30=60 vjet nuk doli. Në fakt mjaftuan vetëm 3 vjet. Dhe u deshën plot 57 vjet që të arrihej një zgjidhje aq e thjeshtë.

Historia e konfliktit Ekuador-Peru

Historia e konfliktit fillon më 1941, kur zhvillohet edhe lufta e parë ndërmjet dy vendeve. Pastaj edhe tri të tjera. Në mes të tyre, përpjekje për të përcaktuar vijën, duke përdorur si kufi një vijë uji, por që e komplikonte problemin edhe më shumë, se herë dukej e herë zhdukej, në varësi të temperaturave dhe rreshjeve. Kufiri, në fund të fundit, nuk është gjë tjetër veçse një kompromis.Po ta shohim nga pikëpamja kronologjike, pozicioni të dyja-dhe në një konflikt kufitar që e kthen zonën kufitare në një “zonë të të dyve”, “zonë dykombëtare” është më se i thjeshtë. Pozicioni tjetër, as-as, do të thotë që zona të mos i përkiste asnjerit prej shteteve në konflikt, por p.sh. të merrej e të administrohej nga Kombet e Bashkuara. Një zgjidhje e tillë është e papranueshme. Ndërkohë, pikërisht thjeshtësia e bën “zonën dykombëtare” të lehtë për t’u pranuar edhe nga njerëzit që i njohin mirë historinë, ligjet ndërkombëtare dhe precedentët e mundshëm (kufiri të caktohej sipas shembujve të tjerë të ngjashëm), ndoshta edhe brenda kornizës së atyre që i quajmë “negociata”, me tërë ato marifete e vajtje-ardhje pa fund. Në pranimin e zgjidhjes së propozuar ndikoi edhe fakti që zona ishte e papopulluar dhe e varfër në pasuri natyrore.

Sigurisht, që edhe faktorë të tjerë luajtën rol të padiskutueshëm. Një nga këta faktorë është koha.

Që nga viti 1941 kishte kaluar shumë kohë. Ishin provuar rrugët legale dhe kur ato nuk funksiononin, fjalën e merrte ushtria, kërkohej zgjidhje ushtarake. Përpjekjet e tyre bazoheshin në një repertor shumë të kufizuar zgjidhjesh: 1. njeri fiton, çështja mbyllet; 2. armëpushim dhe vija e kufirit ndodhet deri aty ku është armëpushimi.

Të fiksuar pas idesë së përcaktimit të vijës së kufirit, të gjitha zgjidhjet e tjera ishin bllokuar. Për rrjedhojë: asnjë vijë kufitare.

E gjitha po kthehej në një skandal të madh. Të gjithë ishin të lodhur nga konflikti. Çelësi nuk ishte në gjetjen e ndonjë legjitimiteti të harruar nga e kaluara, por në pak kreativitet për ndërtimin e një të ardhmeje së bashku.

Transformimet e suksesshme të konflikteve kërkojnë vërtet kreativitet, por janë edhe shumë të lira në shpenzime. Dialogu me Presidentin e Ekuadorit kushtoi vetëm 125$ – një natë fjetje në hotel dhe një ndalim në Quito, shumë më pak se shpenzimet mesatare që qeveria paguan për diplomacinë. Të mos e krahasojmë pastaj me shpenzimet e një ndërhyrjeje ushtarake pas shpërthimit të dhunës që shkojnë në miliona dollarë. Transformimi paqësor i konfliktit përpara shpërthimit të luftës mund të shpëtojë mijëra jetë. Dhe e lejon shoqërinë të eci përpara.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.