Krijues diplomat apo diplomat krijues? Intervistë me Ambasador Ylljet Aliçka, shtator 2014

Intervistë me Ambasador Ylljet Aliçka, shtator 2014 

Ambasador fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Francës, Republikën e Portugalisë dhe Principatën e Monakos / periudha: 2007-2013 & Ambasador i Shqipërisë pranë UNESKO-s / periudha: 2008-2010

Tirana Review of Books: Krijues diplomat, apo diplomat krijues?

Ylljet Aliçka: Kjo dilemë identitare më ka shoqëruar më së shumti në jetë. Kam qenë shqiptar, mësues, didakt, bashkëshort, funksionar, shkrimtar, ambasador, pedagog, por gjithçka ka qenë përgjysëm, pa u zhytur thellësisht askund, si një amfib, lindur nën shenjën e gaforres. Ndoshta pa u futur kurrë “në situatë” siç thonë shpesh njerëzit e teatrit.

Sidoqoftë mes termit diplomat apo ambasador preferoj të quhem ambasador, pasi unë nuk jam diplomat karriere dhe për shumë aspekte teknike gjatë misionit tim u mbështeta te kolegët. Nga ana tjetër, edhe në letërsi kam hyrë vonë dhe rastësisht.
Mes shkrimtar apo autor, preferoj më shumë fjalën autor. Autor, përderisa vazhdoj të shkruaj dhe kam përshtypjen se jehona e krijimit ndihmoi apo ndikoi në propozimin e vendimmarrësve për postin e ambasadorit. Pra në rastin tim, pavarësisht moshës së avancuar mund t’a konsideroj veten një autor i ri dhe një diplomat i ri.

Por cilido qoftë termi: diplomat-shkrimtar apo shkrimtar-diplomat, përqasja e këtyre dy profesioneve (ose vokacioneve) ka qenë objekt i gjerë debatesh në kanceleritë ndërkombëtare. Pavarësisht dallimeve (shkrimtari me të drejtën e emocionit, diplomati i imunizuar nga kjo ndjenjë, apo diplomati me prirjen për moderacion dhe kompromis, ndërsa letërsia si veprimtari e lirë e shpirtit), përvoja botërore ka treguar se diplomati dhe shkrimtari mund të bashkëjetojnë harmonikisht, në një aliazh dy kokësh duke njohur e respektuar funksionet respektive, sepse ata kanë një detyrë të përbashkët: të dëshmojnë. Shkrimtari-diplomat një dëshmitar i angazhuar, ndërsa diplomati i karrierës një dëshmitar i shkëputur.

Pranohet se si term, diplomati-shkrimtar u konsolidua pas vitit 1945, periudhë kjo e pasluftës që koincidoi me konsolidimin e diplomacisë kulturore dhe përfshirjen e personaliteteve të njohura të kulturës. Fillimisht u perceptua si një ekspresion kulturor francez, që integron artin e të shkruarit, kultin human me karrierën diplomatike. (Lionel Chénedé, Olivier Chosalland et Isabelle Nathan: 2011, Diplomates ecrivains, Paris, Ministère des Affaires étrangéres et européennes.)

Tirana Review of Books: Mendoni se ekziston një model i krijuesit diplomat?

Ylljet Aliçka: Personalisht nuk kam ndjekur ndonjë model. Si model unë kam pasur dhe vazhdoj të kem shkrimtarët e mirëfilltë, s’di të jem frymëzuar nga shkrimtarët-diplomatë. Kur shkruaj, nuk mendoj se po krijoj një model. Ai që shkruan, ose krijon, shkruan pasi ka diçka për të thënë. Më tepër se sa modelin e të shkruarit te shkrimtarët-diplomatë, mund të them se më intereson mënyra se si e kanë administruar jetën e dyfishtë, pra si kanë ndërtuar jetën sipas kërkesave të profesionit.

Nga ana tjetër nuk mungojnë dhe sulmet apo “zhgënjimet” e vetë protagonistëve shkrimtarë-diplomatë nga karriera e tyre diplomatike. Romain Gary e përmbledh funksionin e tij diplomatik si “orë të gjata limontie, me shumë detyrime të mërzitshme mondane”.

Ambasadori-shkrimtar Paul Morand në kujtimet e tij e portretizon veten në funksionin e ambasadorit si:

  • …një qenie e lehtë, snob bosh, ziliqar, pa shpirt, i dehur nga sukseset mondane, pa kulturë, as inteligjencë, tmerrësisht i modës, antipatik, që nuk mendon veç si të dëfrehet, tri recepsione në ditë, një shtazë e vogël egoiste. Notoj mes shkrimtarëve që më marrin për diplomat dhe diplomatëve që më marrin për shkrimtar, me ndjesinë e një jashtëtokësori…

Nuk kam autoritet me vartësit, jam liberal me ta dhe, papritmas, bëhem nervoz, brutal, pra krejt e kundërta me një diplomat.

Tirana Review of Books: Krijimi përballë motivit, statusit dhe praktikave diplomatike. Çfarë mendimi keni?

Ylljet Aliçka: Efektivisht ka një kontradiktë dialektike mes dy prirjeve pasi diplomati përpiqet të jetë impersonal, objektiv, duke fshehur aspektin emocional e shumëfishuar hipotezat, ndërsa krijuesi është pasionant dhe emotiv në atë që quhet formatim të fjalës dhe të raportit. Pa mohuar aspektet e rënduara të administratës apo asaj që quhet burokraci, funksioni diplomatik, ashtu si për këdo, veçanërisht për një krijues ofron një përvojë të pasur jetësore; nuk është një zanat, por një gjendje, një jetë. Vetë shkrimtari, edhe nëse nuk shkruan letërsi për arsye të ndryshme, pa qenë i vetëdijshëm ai mbledh “zahiretë” e dimrit për t’i përdorur në jetën tjetër që e pret.

A ka status shkrimtar-diplomat? Tek ecja një ditë në Paris në rrugën ku ka banuar nobelisti diplomat Romain Gary, Bashkia e Parisit kishte ngjitur në portën e tij një pllakë përkujtimore ku krahas emrit, datës së lindjes dhe asaj të vdekjes shkruhej “Shkrimtar-diplomat”.

Por në traktatet diplomatike nuk ekziston ndonjë status zyrtar shkrimtar-diplomat. Pranohet që diplomati i karrierës di të drejtojë një dialog ndërkombëtar duke respektuar procedurat dhe ceremonialin. Ai di të ruajë sekretin shtetëror. Në dallim, shkrimtari përpiqet t’i pëlqejë një publiku të gjerë, sadoqë shpesh e gjen veten duke kontestuar, edhe pse i përmbajtur, rendin e vendosur shoqëror.

Ekzigjencat kontradiktore të dy prirjeve, më shumë konkurrente se sa konvergjente, bëhen të pajtueshme në momentin kur etosi i shkrimtarit përqendrohet mbi origjinalitetin, ndërsa ai i diplomatit mbi profesionalizmin. Përvoja ka dëshmuar se shkrimtari-diplomat e fiton legjitimitetin e diplomatit vetëm kur përvetëson praktikat diplomatike, pra jo nga superpozicionimi i identiteteve, por duke maskuar identitetet e tjera.

Unë e di që diplomacia është një shkencë, ndonëse unë u përpoqa ta pratikoj si një art, – shkruan shkrimtari-diplomat Paul Morand. (En veillant Philippe Bethelot, Editions du ond Point des Champs Elysée, p.194).

Sipas një pjese të madhe të opinioneve kundërshtuese, më shumë kemi të bëjmë me “një ngrefosje ose posturë mitike, të një gjasme krijuesi mitologjik jokonformist me sjellje prej shkrimtari, që kërkon të shitet si figurë e veçantë në shoqëritë moderne, por që s’janë gjë tjetër veçse individë me personalitet të dyfishtë që nuk e gjejnë ose përcaktojnë dot rolin e tyre në jetë.” (Gisele Sapiro, 2001/1, “De l’usage des categories de droite et de gauche dans le champ litteraire”, Societes et representationes, ps.19-53)

Për nobelistin turk Orhan Pamuk: “Shkrimtari duhet të qëndrojë veçan nga jeta burokratike, t’u shmanget institucioneve, shtetit, çdo lloj jete familjare të zakonshme, t’a shikojë suksesin dhe famën letrare me dyshim. Ja parimet absolute të prirjes së këtij kleriku të ri sekular dhe të çdo lloj morali letrar modern.” (Konferencë në Universitetin e Ruenit,17 MARs 2009).

Tirana Review of Books: Antropologji e diplomatit krijues, mund të jepni një portret? 

Ylljet Aliçka: Strategjitë diplomatike të vendeve të njohura gjithmonë e më shumë po i modelojnë konturet e diplomacisë mbi baza antroplogjike, si dhe duke angazhuar refleksione mbi identitetet. Në kohën e sotme të diplomacisë publike kur një ambasador nuk është më një aktor i recepsioneve mondane apo i informacionit politik, por një mbështetës i ndërmarrjeve ekonomike dhe faktor i zhvillimit të pranisë kulturore lind pyetja: A do të vazhdojë personazhi i shkrimtarit diplomat të mbijetojë në erën numerike?

Sipas Stanisslas Jeanesson, “Revolucionet teknologjike mund të shërbejnë si trampolina të reja të fjalës diplomatike, e cila duhet të sipërmarrë funksionin e parë, atë të komunikimit”. Nga ana tjetër “Wikileaks ose Valixhja e Ambasadorit Spanjoll” na tregojnë që disa anë letrare po gjejnë strehë në korrespondencën diplomatike, duke siguruar rekorde shitjesh. Përhapja në masë e sekreteve, manipulimeve të thashethemeve dhe konfidencave false po rezultojnë sot në botë si burim frymëzimi për letërsinë e bazuar te realiteti, autenticiteti. Diplomacia është e lidhur me zhvillime, mashtrime, drama dhe shpresa, që do të vazhdojnë të furnizojnë edhe për shumë kohë me material një kontingjent pafund të njerëzve të letrave. Po vihet në dyshim vetë epoka e dyshimit.” (Stanisslas Jeanesson, 2009, Diplomaties en renouvellement. Cahiers de l’IRICE, nr 3, p. 129).

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.