Krijues diplomat apo diplomat krijues? Intervistë me Ambasador Visar Zhiti, shtator 2018

Intervistë me Ambasador Visar Zhiti, shtator 2018

Titullari i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, i Ngarkuari me Punë, në Selinë e Shenjtë në Vatikan dhe në Urdhërin Sovran Militar të Maltës

Tirana Review of Books: Krijues diplomat apo diplomat krijues?

Visar Zhiti: Dilemë e bukur, që ndërthuren, do të thosha… ndokush është “krijues diplomat” e ndokush “diplomat krijues”. Të gjithë janë krijues sipas mënyrave të tyre, ndoshta nga që të gjithë jemi të krijuar, kjo m’u nëpërmen së pari. Pastaj krijimi dhe diplomacia duket sikur nuk bashkohen e megjithatë dhe bashkohen, kanë ndarjet dhe nënndarjet të përziera ndokund në një si qerthull marramëndës, kreativ, me një inteligjencë të thukët.

Është forca e krijimit, aq shumë përbashkuese, e individëve dhe e popujve dhe më përtej, që kanë nevojë për më shumë njohje e marrëdhënie… krahas shkrimtarit duhet dhe diplomati, njëri për ëndrrën, tjetri për lidhjet mes vendeve. Është nevoja e të qenit krijues në botën tonë, që  sikur zvogëlohet, po përsëris këtë thënie siç është bërë zakon të përsëritet edhe në pritjet diplomatike, shoqëruar me një buzëqeshje. Po buzëqeshje diplomatike ka? Buzëqeshja është e njeriut, dhunti e tij vjetër dhe e re, e papërsëritshme në përsëritjet e veta pa fund.

Diplomacia është një pjesë e veprimtarisë së “krijuesit diplomat”, në kuptim e mirë të fjalës, jo në atë zyrtar, dhe diplomati duhet të jetë dhe krijues, në kuptimin zyrtar, aq sa (i) duhet.

Në fund të fundit të dy shkruajnë, diplomati ia dërgon ministrisë së tij, krijuesi botës. Mos duhej të përgjigjesha se si ndihem unë? Krijimi më çoi në ferr dhe pastaj në diplomaci.

Tirana Review of Books: Mendoni se ekziston një model i krijuesit diplomat?

Visar Zhiti: Përvojat vlejnë, seriozet mbeten, madje ato vazhdohen. Shëmbëlltyrat e përforcojnë punën, besoj, për mirë dhe jo për mirë. Modeli? Edhe bëhet pengesë, se është i papërsëritshëm, i takon një kohe, një vendi, një kulture, një karakteri… kështu e mendoj.

Kujtohem që dhe Dantja, mbase poeti më i madh i planetit, ka qenë dhe diplomat. Dhe në shekujt më pas e deri te i XX e tani ka patur shkrimtarë diplomatë, madje dhe nobelistë, dy i kemi fqinjë, poetin Jorgo Seferis, që ka qenë konsull në Korçë, edhe Ivo Andriq, i cila ka dhe një elaborat të kobshëm për përzënien e shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë.

Dua të përmend një mik tonin, shkrimtarin ballkanas, Luan Starova, ambasador dy herë, në Tunizi në fillim, ku shkruante poezi për t’i shpëtuar sado pak shkretimit, jo të shkretëtirave afrikane, por të shkresave, dhe më pas në Francë, ku dhe ështe botuar e jo vetëm atje.

Në Paris ishte ambasador dhe një bashkëvuajtës yni, intelektuali që vinte nga ferri, përkthyesi i shkëlqyer Jusuf Vrioni, që shkruajti në frengjisht memuaristikë. Edhe poeti Ali Asllani ka përfaqësuar Shqipërinë Mbretërore…

Shëmbuj ka gjithandej, edhe pse jo të shumtë “të krijuesit diplomat”, të sukseshëm ose të kufizuar në arritje, të penguar apo që kanë penguar, që kanë dhënë e janë bërë nder i përfaqësimit, pra aq sa ka emra, mund të ketë dhe modele.

Faik Konica, e lashë për në fund, ishte brilant. Tek ai duket sikur janë shumë bashkë krijuesi me diplomati kurajoz, që ngriti selinë e Shqipërisë së varfër në Uashington, USA, në hotelin më të shtrenjtë. Kjo është metafora e tij, trillan deri në imponim.

Në vitin 1995 u konvertua në katolik, kur atdheu ishte pjesë e perandorisë otomane dhe kështu Faik Demenik Konica iu rikthye fesë së parë të të parëve dhe tregoi se vokacionii shqiptarëve ishte nga kultura Perëndimore.

Modeli, do të thosha, është i parrokshëm…

Ndërkaq nuk do të mjaftonin veç portretet në përfaqësi të pararendësve, që ne sikur nuk e kemi këtë luks, se kush ikën, është i ikur. Modeli s’mbetet…

   Tirana Review of Books: Krijimi përballë motivit, statusit dhe praktikave diplomatike?

Visar Zhiti: Krijimi si letërsi e mirëfillte e atij që i ka rënë fati të jetë dhe diplomat, është i pandalshëm sipas meje dhe i pakushtëzuar, përveçse nga faktori kohë, që të detyron të prodhosh më pak apo që të detyron që botimin ta shtysh për një kohë më volitëshme.

Shkrimtari, nëse është dhe diplomat, nuk fiton shumë nga kjo e dyta, madje dhe humb, ndërsa diplomati duke qënë dhe shkrimtar fiton tmerrësisht shumë. Kam njohur në një takim shkrimtarësh në Slloveni një bullgar, Alek Popov, që e kishin  nxjerrë nga diplomacia për një roman skandaloz, “Misioni Londër”…

Një shkrimtar që i druhet diplomatit brenda vetes, nuk është i mirëfilltë, ndërsa një diplomat që shmang shkrimtarin, po brenda vetes, mbase nuk do t’ia dalë dot.

Puna e diplomatit ka hyrë natyrshëm në poezinë time, besoj. Kam dhe një personazh ambasador në romanin tim “Në kohën e britmes”, për fat të keq një ambasador të dëmshëm.

Në fund të fundit diplomacia është dhe kulturë, një shumatore e veprimeve të një kolektiviteti, të një kohe a të kohëve, rrethanave gjeopolitike dhe të traditës e aktualitetit…

Kam dëgjuar në mjediset diplomatike të një vendi me traditë se diplomacia nuk është që të gënjesh, por të vërtetën të mos e thuash… kurse shkrimtari duhet të ketë lidhje të pandashme me të vërtetën, në kuptim moral të saj, ai s’ka nevojë të gënjejë, ka fiksionin dhe krijimi ka ligjësitë e veta, urdhërin e vet suprem, motivin e vet, statusin, të guxojmë ta themi, “antidiplomat”, por arrin  shumë e më shumë atë që do të arrinte diplomacia në kushte paqeje.

Në kushte lufte flasin armët.

 Tirana Review of Books: Antropologji e diplomatit krijues

Visar Zhiti: Përsëri më avitet imazhi i Faik Konices diplomat, i veshur me fustenellën e bardhë e me qeleshe, rrugëve të Washingtonit. Kostumi ynë kombëtar, i lashtë sa populli, është edhe histori, edhe identitet, fllad shekujsh, art dhe poemë…

Diplomati krijues duhet të njohë dhe të dojë popullin e vet, kulturën e tij, të dijë t’ua tregojë të tjerëve atë, ta shpalosë me art si palat e fustanellës në një valle, të ngjallë kërshërinë e botës, që të kërkojnë të na njohin e të na duan… dhe të investojnë, do të thosha si diplomat tani.

Ndërkaq diplomati krijues duhet të njohë dhe kulturën e vendin ku dërgohet me mision, pse jo edhe duhet ta dojë, të sjellë prej saj, më të mirën, sinjifikativen në vendin e vet, të përbashkojë në dobi të atdheut, të njeriut. Të jetë dhe zëdhënës shpirtëror…

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.