Krijues diplomat, apo diplomat krijues? Intervistë me Ambasador Teodor Laçon, shtator 2014

Krijues diplomat, apo diplomat krijues? Intervistë me Ambasador Teodor Laçon, shtator 2014

Krijues diplomat, apo diplomat krijues?

Teodor Laço: Sigurisht që votoj për krijuesin diplomat. Në diplomaci, në përgjithësi, kemi të bëjmë me të ashtuquajturit “diplomatë të karierrës”, promovimi i të cilëve ndjek rrugën e zakonshme të ngritjes nga një gradë diplomatike në tjetrën. Fillojnë me poste të ulëta pranë Ambasadave tona e më tej, në varësi të cilësive, performancës e ambicieve personale, ngrihen në detyrë.

Një faktor shumë i rëndësishëm në këtë rast është jetëgjatësia në shërbim. Krijuesit angazhohen në raste të veçanta, sidomos në ato vende ku shteti ka interes të promovojë një nivel të lakmueshëm kulturor. Politikat janë të tilla që tentojnë të ruajnë një lloj raporti në secilin prej dy llojeve të përfaqësimeve, raport që sigurisht ka peshë të ndjeshme për diplomatët e karrierës.

Mendoni se ekziston një model i krijuesit diplomat?

Teodor Laço: Po, në dijeninë time kanë qenë mjaft shkrimtarë që kanë përfaqësuar vendet e tyre në shtete me peshë të madhe politike dhe kulturore. Dukuria ka qenë karakteristike sidomos për vendet e Amerikës latine. Shumë nga ambasadorët e këtyre vendeve të akredituar në Europë, veçanërisht në Francë, vinin nga fusha e krijimit. Do përmendja nobelistët Miguel Anhel Asturias, Octavia Paz etj. Sa i takon modelit shqiptar, mendoj se akoma nuk kemi një fizionomi të plotë dhe do vazhdojmë edhe për disa kohë të veçojmë me respekt të thellë figurën e Faik Konicës.

Kur ushtroja detyrën e Ministrit të Kulturës, në vitin 1995, një nga ngjarjet më mbresëlënëse ka qenë sjellja e eshtrave të Faik Konicës në Shqipëri. Fjalët që kam mbajtur për veprimtarinë e Konicës në New York, në prani të pothuaj të gjithë anëtarëve të Vatrës, si dhe në Katedralen e Shën Gjergjit, në Boston, edhe sot më japin emocione po aq të thella.

Krijimi përballë motivit, statusit dhe praktikave diplomatike. Çfarë mendimi keni? 

Teodor Laço: Angazhimi i krijuesve në diplomaci, gjithsesi, paraqet sfida të shumta. Do rendisja si arsye kryesore faktin që nuk është e lehtë gjetja e një raporti të drejtë midis pasionit kryesor që është krijimtaria dhe detyrës shtetërore. Nuk ka dyshim që do të ishte gabim i pafalshëm të neglizhohej, ose akoma më keq, të harrohej e dyta, apo të shfrytëzohej koha dhe situata tinëzisht, duke spekuluar me lirshmërinë e kontaktet që të mundëson detyra e ambasadorit. Akoma, Shqipëria, duke qenë një vend i vogël, marrëdhëniet diplomatike me shumë vende ndonëse i ka të themeluara, shpesh janë të një natyre relativisht formale, gjë që rrit riskun e “shkarjes” nga përgjegjësitë e angazhimet që kërkon detyra e Ambasadorit.

Antropologji e diplomatit krijues, mund të jepni një portret? 

Teodor Laço: Kjo është një pyetje që kërkon një shtjellim me përmasat e një eseje. Mund të përmend nga përvoja ime ndonjë rast kur më është dashur gjithë gjakftohtësia dhe vendosmëria ime për ta kaluar. Kjo ndodhi në kohën që u shpall Pavarësia e Kosovës. Në selinë e ambasadës na erdhi një kërcënim për vendosje bombe, i cili i shoqërua me protesta pas bllokut të ambasadës. Ngjarja u mbyll me njoftimin e policisë.

Pra, nëse do bëja një antropologji të diplomatit krijues do filloja me gjakftohtësinë. Por na duhet të bëjmë kompromise, në
varësi të përparësive që vendosim: kur kërkojmë diplomaci kulturore do zgjedhim edhe njerëzit e duhur. Sidoqoftë duhet thënë se në më të shumtën e herëve emërimi është bërë mbi bazën e individit dhe jo të një projekti dhe se kriteri i konjukturës mbizotëron ndaj praktikës klasike të strukturës administrative, gjë që e vështirëson edhe përcaktimin e një antropologjie për rastin në fjalë. Realiteti i ri kërkon praktika të reja.

Foto kryesore: Ambasador Teodor Laço në takim me V. Putin, 2006

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.