Krijues diplomat, apo diplomat krijues? Intervistë me Ambasador Piro Milkani, shtator 2014

Krijues diplomat, apo diplomat krijues? Intervistë me Ambasador Piro Milkani, shtator 2014

Ambasador fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Çeke. Ambasador fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Sllovake (jorezident) / periudha: 1998-2002.

Krijues diplomat, apo diplomat krijues?

Piro Milkani: Nuk mund të quhet përjashtim që njerëzit e artit e të kulturës të merren me diplomaci. Por
përpara se të shtjelloj idenë time për këtë çështje, me shumë dëshirë do sjell shembullin e piktorit të madh holandez Peter Paulus Rubens (1577-1640), autor i disa prej pikturave më të mrekullueshme të stilit barok për shumë nga oborret më në zë të kohës. Gjatë periudhës 1621-1630, Philip IV, Mbret i Spanjës, i beson Rubens-it shumë misione diplomatike në Angli, që në atë kohë gjendej nën mbretërimin e Charles I. Synimi ishte gjetja e një zgjidhje për konfliktin e gjatë me mbretërinë e Anglisë. Duket se ka punuar shumë mirë, pasi të dy mbretërit e vlerësuan punën dhe veprën e tij në fushën e artit dhe të diplomacisë duke e nderuar me tituj: më 1624 Philip IV i Spanjës e bën fisnik dhe, më 1630, Charles I i Anglisë e bën kalorës.

Rubens i pëlqente të pikturonte në rrugët e periferitë e Madridit. Një grup aristokratësh kur e panë të pikturonte në rrugë, e pyesin:
– Që kur kanë filluar ambasadorët të zbaviten duke pikturuar?
Rubens u përgjigjet:
– Përkundrazi. Artistët herë pas here zbaviten duke bërë punën e diplomatit.

Emërimin tim si ambasador e perceptova si një mision të rëndësishëm, por provizor, një lloj sikundër edhe Rubens.

Mendoni se ekziston një model i krijuesit diplomat?

Piro Milkani: Një nga armët më të forta të diplomatit është komunikimi, veçanërisht fjala. Krijuesi është zot i fjalës. Ka aftësinë të bindë dhe të përcjellë një ide shpesh në fare pak hapësirë. Akoma, të selektojë nga moria e informacionit atë që duhet për të bërë të kuptueshëm një personazh, ose të qartësojë një situatë.

Krijimi përballë motivit, statusit dhe praktikave diplomatike. Çfarë mendimi keni? 

Piro Milkani: Një ditë përpara kthimit tim në Shqipëri, Presidenti i Çekisë, Václav Havel, për shkak të
njohjes sonë të hershme më rezervoi një takim jashtë çdo protokolli. Pasi konsumuam bisedat për sëmundjet që na kishin rënë të dyve, si koma dyjavore e tij dhe koma katërmujore e imja, më pyeti:
– Po tani çfarë do të bësh? Do të dalësh në pension?
– Unë nuk kam ndërmend të dalë ndonjëherë në pension. Do të merrem me profesionin
tim. Do vazhdoj të bëj filma, – ishte përgjigja ime.
Pas pesë vjetësh u ktheva përsëri në Çeki për të realizuar, së bashku me djalin tim Eno, projektin filmik “Trishtimi i zonjës Shnajder”.

Që në zanafillën e saj praktika e përfshirjes së personaliteteve kulturore në diplomaci ka pasur kundërshti, si nga institucionet administrative, ashtu dhe nga vetë lloji i shkrimtarëve. Një diplomat karriere e di mirë se ku e ka vendin, ndërsa shkrimtari diplomat luhatet mes pavarësisë së mendimit dhe nënshtrimit ndaj hierarkisë që e ka vendosur. Nuk e dimë nëse e kanë ditur mirë vendin e tyre personalitete të tilla si Faik Konica apo Eqerem bej Vlora, ndërkohë që mjaft shkrimtarë të njohur “e kanë pësuar” nga karriera diplomatike, si italiani Malaparte, i cili sapo guxoi t’i bënte karshillëk Musolinit, e hoqi brenda 24 orësh. Një shembull tjetër është ai i laureatit të çmimit prestigjioz Goncour, Jean-Victor Ruffy, ambasador i Francës në Senegal, i cili nuk pranoi të ndiqte linjën zyrtare të vendit të tij dhe, sado i parapëlqyer dhe propozuar nga Presidenti Sarkozy, sistemi i administratës franceze nuk hezitoi për t’a larguar po ashtu nga posti.

Antropologji e diplomatit krijues, mund të jepni një portret? 

Piro Milkani: Më tepër se sa një çështje konjukturash, nevojash politike, ose emërimi politik, antropologjia e shkrimtarit-diplomat ka evoluar ose është konsoliduar si një lloj rigjenerimi i trupit
diplomatik, pra si çështje strukturore e diplomacisë ose, e thënë thjesht, si një praktikë e politikës kulturore. Thënë ndryshe, më tepër si rregull, se sa si përjashtim.

Mund të thuhet se përfshirja e krijuesve në diplomacinë shqiptare nuk ka synuar të kompensojë ndonjë mungesë kompetencash, apo se ka kontribuar në transformimin e trupit diplomatik. Ndofta e kundërta është e vërtetë: dimensioni kulturor ka përforcuar egon e trupit diplomatik, si dhe ka ilustruar dimensionin simbolik të aksionit politik.

Gjatë periudhës 1998-2002, kur Piro Milkani ushtronte detyrën e Ambasadorit:

President i Shqipërisë: Rexhep Mejdani (Partia Socialiste) / Kryeministra të Shqipërisë: Pandeli Majko (Partia Socialiste), Ilir Meta (Partia Socialiste) / Ministra të Jashtëm: Paskal Milo (Partia Social-Demokrate), Arta Dade (Partia Socialiste).
President i Çekisë: Václav Havel / President i Sllovakisë: Rudolf Schuster / Kryeministra të Çekisë: Miloš Zeman / Kryeministër i Sllovakisë: Mikuláš Dzurinda / Ministër i Jashtëm i Çekisë: Jan Kavan, Cyril Svoboda / Ministër i Jashtëm i Sllovakisë: Eduard Kukan.

Foto kryesore: Konti Zdeněk Sternberg dhe Piro Milkani dalë në një nga mjediset e kështjellës së tij, ndërtuar më 1241. Në këtë kështjellë janë xhiruar disa skena nga filmi “Trishtimi i zonjës Shnajder”. Photo credit: Arkiva personale, Piro Milkani.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.