Krijues diplomat, apo diplomat krijues? Intervistë me Ambasador Luan Rama, shtator 2014

Krijues diplomat, apo diplomat krijues?

Intervistë me Ambasador Luan Rama, shtator 2014

Ambasador fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Francës, Republikën e Portugalisë dhe Principatën e Monakos / periudha: 1997-2001

I dërguar a.i. i Shqipërisë në Paris dhe Delegat i Përhershëm i Shqipërisë në UNESKO / periudha: 1991-1993

 

Krijues diplomat, apo diplomat krijues?

Luan Rama: Unë vij nga kinematografia e gazetaria dhe them se i përkas më shumë kategorisë së krijuesve diplomatë, pasi ne nuk vinim nga Akademitë Diplomatike, që atëherë nuk ekzistonin, ose nga funksione partiake e qeveritare, siç ndodhte gjer afër fundit të viteve ‘80. Pra, unë e shikoja diplomacinë përmes syve të një letrari që merrej me kinematografi e letërsi dhe shkruante poezitë e para i influencuar nga Eluard, Lorca, Ricos, i ç’penguar nga kornizat politike. Por sapo erdha në Francë, në mars të vitit 1991, kërkova që të hiqej portreti i Enver Hoxhës nga salloni zyrtar i ambasadës, pasi diplomacia sapo ishte deklaruar e depolitizuar, por mjerisht ajo do të hiqej pak muaj më vonë. Këtë mund ta bënte një letrar dhe jo një funksionar nga ata të fabrikuar në zyrat e pushtetit totalitar.

Mendoni se ekziston një model i krijuesit diplomat?

Luan Rama: Modele të përcaktuara mendoj se nuk ka, pasi ashtu si në letërsi dhe në art, këta lloj diplomatësh krijojnë profile tepër individuale. Edhe pse diplomat-shkrimtar, Paul Claudel ndryshonte së tepërmi nga Saint-John Perse dhe që të dy këta ndryshonin, gjithashtu, nga Roman Gary, fitues dy herë i çmimit “Goncourt” në Francë.

Profili i Gary-së më ka joshur pa masë, pasi ai nuk i duronte rregullat strikte e burokratike, por duke qenë se kishte luftuar krah gjeneralit De Gaulle, rebelimi i tij tolerohej deri në një farë mase gjersa më në fund, edhe pse me një karrierë të gjatë diplomatike, mbeti jashtë diplomacisë, por letërsia e shoqëroi gjatë gjithë kohës si diplomat. Pra janë shkrimtarë që nuk e kanë ndarë diplomacinë nga artin.

Të dyja kanë bashkëjetuar brenda një njeriu për një kohë të gjatë, ndryshe nga Paul Morand ku koha e tij diplomatike ishte e shkurtër, ashtu siç ishte dhe e Lamartine, i cili u bë Ministër i Jashtëm i Francës.

Krijimi përballë motivit, statusit dhe praktikave diplomatike. Çfarë mendimi keni? 

Luan Rama: Jeta e një letrari ose artisti në një përfaqësi diplomatike është e rëndomtë nga ana organizative, gati e mërzitshme, pasi rutina diplomatike bie ndesh me lirinë e artistit dhe vështrimin e tij të botës, madje dhe të shteteve me të cilët vendi yt ka probleme. Pablo Neruda kur ishte ambasador në Paris, i dërguar i presidentit socialist Allende, kaloi ndoshta mërzinë më të madhe të jetës së tij dhe shkroi shumë pak. Madje iku para kohe, edhe pse ishte në mes të veprimtarive të mëdha diplomatike e artistike të kohës në një metropol si Parisi. Megjithatë duhet thënë se për një artist, qenia e tij si diplomat, pikëtakimet e
shumta politike e kulturore, qenia në kontakt me manifestimet e ndryshme të kulturës, e pasurojnë bagazhin e tij kulturor.

Unë besoj se nuk do të shkruaja 30 libra të ndryshëm po të mos isha në Paris. Parisi më tërhoqi në mënyrë magjepëse dhe më dha një optikë tjetër për botën dhe fatet njerëzore, si dhe për kërkimin e formave të reja artistike. Por kjo është shumë personale, pasi për një tjetër do të ishte e kundërta. Sidoqoftë, ndryshe nga diplomatë të tjerë unë kam tentuar ta lidh krijimtarinë me diplomacinë. P.sh., kur kam punuar në UNESC O shkrova një libër për UNESC O-n si organizatë, me titull “UNESCO. Shtëpia e shpresës”, në të cilin jam përpjekur të përshkruajë historikun e marrëdhënieve Shqipëri-UNESC O, si dhe mbi dialogun e qytetërimeve.

Po kështu, gjatë punës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, shkrova disa libra: Shqipëria Frankofone; Pont entre deux rives mbi marrëdhëniet Francë-Shqipëri; Nën hijen e eklipsit mbi ngjarjet e Kosovës në vitin 1999. Të gjithë këta libra janë fryt, besoj, i lidhjes së diplomacisë me letërsinë.

Antropologji e diplomatit krijues, mund të jepni një portret? 

Luan Rama: Diplomati artist nuk e ndan punën diplomatike nga arti, çka e kemi vënë re në disa ambasadorë shqiptarë të kohës sonë. Misto Treska përkthente autorët francezë, duke filluar me Hugo. Por le të flas për një diplomat të shekullit XIX, August Dozon, i cili ishte konsull në Janinë dhe mblodhi e botoi përralla dhe këngë popullore të shqiptarëve. Edhe ai vinte në diplomaci nga letërsia, poet dhe mik i afërt i Baudelaire njëkohësisht.

Meqë shkrova një libër për të, duke vëzhguar korrespondencat e tij nga Janina, vura re se ai vazhdimisht kërkonte të largohej për studime, të udhëtonte e të kërkonte rreth folklorit të shqiptarëve, serbëve, bullgarëve etj.

Mendoj se ekzistenca në radhët e diplomacisë të një grupi që vijnë nga shkrimtarët e artistët, veçanërisht për Shqipërinë, do të kishte interes po të kemi parasysh imazhin skematik të klisheve që ekzistojnë dhe do të ekzistojnë edhe për një kohë rreth shoqërisë shqiptare. Argumenti mendoj se bëhet më bindës po të kemi parasysh se integrimet bëhen normale duke filluar nga kultura, gjë që më sjell në vëmendje frazën e famshme të pionerit të Europës së Bashkuar, Jean Monet. Një ambasador-artist përçon jo vetëm diçka personale, por dhe kolektive, pra imazhin e një populli që përfaqëson. Fakt është që edhe në rang botëror, diplomatët vijnë nga shkollat diplomatike, ndërsa ambasadorët nga të besuarit e liderëve politikë të vendit. Presidentët dërgojnë njerëzit e afërt, ata që kanë kontribuar në programet dhe fitoret politike të tyre.

Përgjithësisht vendet e mëdha, sot nuk kanë nevojën e diplomatëve-shkrimtarë e artistë, por të njerëzve të fuqishëm politikisht. Pra krijuesi-diplomat është një specie në zhdukje dhe kjo ndihet më lehtë në Francë, në një vend me tradita të forta të diplomatëve-shkrimtarë që nga koha e monarkisë dhe më shumë në atë të Republikës Franceze, meqë Franca iluministe donte të përçonte idetë republikane e demokratike të saj. Një nga ambasadorët më të fundit francezë, Jacques Ruffin, shkrimtar i njohur, pas një mandati dha dorëheqjen, pasi shpesh, artisti, i cili në thelb është një njeri humanist e universalist dhe që si ideal ka të drejtat njerëzore, bie ndesh me politika që mbështeten në interesa më globale.

Kanë thënë: 

Botuesi La Société des Écrivains

Luan Rama, ish-ambasador i Shqipërisë në Francë, nga viti 1997 deri në vitin 2001, sapo ka botuar një ese të re të quajtur Pont entre deux RivesAlbanie-France. Në këtë vepër të rëndësishme, shkrimtari zbulon mbresa dhe kujtime personale, të cilat janë shkruar me një forcë të madhe shpirtërore. Pont entre deux RivesAlbanie-France na përshkruan historinë e gjatë të marrëdhënieve franko-shqiptare që nga fillimet e tyre, në vitin 1272. Luan Rama na çon në fillim te një “urë shpirtrash” dhe, nga ai moment, s’na mbetet gjë tjetër veçse të udhëtojmë e të zbulojmë një histori mijëra vjeçare të një miqësie të lashtë midis dy popujve, shqiptar e francez.

Shënim

Emërtimi si përfaqësues i shtetit në UNESCO, është në varësi të shtetit, por gjithmonë shoqërohet me togfjalëshin: “Delegat Permanent – Delegat i Përhershëm”. Për shumë shtete, Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Francë luan edhe rolin e Delegatit të Përhershëm pranë UNESCOs, me synimin për të reduktuar sa më shumë fondet. Vendi ynë, e ndau postin e Ambasadorit në Francë nga ai i Delegatit të Përhershëm pranë UNESCOs me emërimin e Jusuf Vrionit. Aktualisht, vendi ynë në UNESCO përfaqësohet nga Besiana Kadare (vajza e Ismail Kadare), nga data 14.04.2011. Emërtimi i saj është “Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, Delegat i Përhershëm”.

Gjatë periudhës 1997-2001, kur Luan Rama ushtronte detyrën e Ambasadorit:

President i Shqipërisë: Rexhep Meidani (Partia Socialiste) / Kryeministra të Shqipërisë: Fatos Nano (Partia Socialiste), Pandeli Majko (Partia Socialiste), Ilir Meta (Partia Socialiste) / Ministër i Jashtëm i Shqipërisë: Paskal Milo (Partia Social-Demokrate).
President i Francës: Jacques Chirac / Kryeministër i Francës: Lionel Jospin / Ministër i Jashtëm i Francës: Hubert Védrine.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.