Krijues diplomat apo diplomat krijues? Intervistë me Ambasador Arben Cici, shtator 2014

Intervistë me Ambasador Arben Cici, shtator 2014

Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Danimarkës / periudha: 2010, tetor – 2014, tetor
Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë. / Ambasador në Bosnje-Hercegovinë (jo-rezident) / periudha: 2000, shtator – 2006, gusht
Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i R.Sh në Federatën Ruse / Ambasador në Bjellorusi, Moldavi, Armeni, Gjeorgji, Kazakistan dhe Uzbekistan (jo-rezident) / periudha: 1992, tetor – 1995, shtator

Tirana Review of Books: Krijues diplomat, apo diplomat krijues?

Arben Cici: Duket, në pamje të parë, sikur ka një ndryshim të madh mes krijuesit dhe diplomatit, ose sikur flasim për dy qënie që jetojnë në botë të ndryshme, sikur çdo njeri prej tyre përjashton tjetrin për të gjetur qetësinë, frymëzimin e qëllimit apo të misionit të vet. Në fakt, sipas mendimit dhe përvojës sime, por edhe sa kemi lexuar e nxënë nga përvoja botërore në fushën diplomatike, një diplomat domosdoshmërisht nuk mund të mos jetë krijues, ndërsa një krijues e ka më të lehtë të hapë shtegun për t’u ngjizur me diplomatin.

Në misionet e diplomatit, krahas atij të përfaqësimit dhe të shumë të tjerëve, është edhe ai i informimit. Diplomati mbetet një zbulues i palodhur i së vërtetës dhe një pasqyrues i papërtuar i saj në telegramet e tij diplomatike të përditshme, ndoshta edhe më të shpeshta apo edhe më të rralla. Misioni i tij është të zhveshë nga sipërfaqësia e tyre sendet dhe njerëzit, ngjarjet dhe fenomenet që e rrethojnë, për t’u zhytur thellësisht në thelbin e tyre, për të nxjerrë kuptimin e vërtetë të tyre e për ta bërë atë të vetën. Shpirti krijues apo dhuntia e tij prej krijuesi, në rastin më të keq të ushtruarit e tij për të krijuar, i dhurojnë arkivave diplomatike të vendit të vet faqe të panumërta me përshkrime, analiza e parashikime. Ky bagazh është dije e njohuri të cilat, me kurajë e pa cënuar normat e botës profesionale së cilës i përket, mund t’ja ofrojë publikut në formën e romaneve, poezive, publicistikës apo studimit shkencor. Kjo është një sfidë e madhe në jetën e tij profesionale dhe shpirtërore.

Tirana Review of Books: Mendoni se ekziston një model i krijuesit diplomat?

Arben Cici: Përvojat e deritanishme botërore, por edhe ato shqiptare, përjashtojnë modelin e krijuesit diplomat, po aq sa ofrojnë mjaftueshëm shembuj për t’u admiruar. Ata vijnë me emra të përveçëm duke mishëruar vlerat, cilësitë dhe vetitë më të mira të këtyre dy shpirtrave që përballen, bashkëjetojnë dhe prodhojnë për publikun.

Ata janë ngjizja e përkryer e dy botëve virtuale, imagjinare dhe shpirtërore në një botë reale, në një shpirt dhe në një mendje nga ku burojnë dije, përvojë dhe krijimtari. Dashuria për dijen, dëshira dhe pasioni për të shkruar, aftësia dhe kurajoja për t’u përballur me publikun, kryeneçësia për ta informuar atë duke depërtuar muret e rënda të ministrive të jashtme, por pa i cënuar ato, kërkesa e pareshtur e tyre për të «njohur vetveten” janë disa nga të përbashkëtat e shembujve të kësaj specie të rrallë.

Ka shumë emra diplomatë-krijues; poetë, shkrimtarë, filozofë, historianë, publicistë etj., të cilët mundën të shkrijnë dy jetë në një të vetme, por shembulli më i mirë është ai i Chateaubriand-it, i cili përsosmërisht arriti të shkrijë karrierën me krijimtarinë ku më së miri duket në veprën e tij Les Mémoires d’outre-tombe.

Tirana Review of Books: Krijimi përballë motivit, statusit dhe praktikave diplomatike. Çfarë mendimi keni? 

Arben Cici: Një diplomati i duhet të shkruajë shumë. Shkrimet e tij duhet të jenë jo vetëm cilësore, por edhe të kujdesshme dhe të përgjegjshme, sepse përveç se lexohen nga një elitë profesionistësh e politikanësh, shërbejnë edhe si bazë, ose sistem referimi, për qëndrime diplomatike e shtetërore. Nga ana tjetër, që krijimet e tij të shikojnë dritën e botimit, ai duhet të sfidojë trysninë e mungesës së kohës dhe atë të praktikave shtrënguese diplomatike.

Asgjë më shumë se përballja me publikun nuk e afron diplomatin krijues drejt një vlerësimi objektiv, duke e larguar, njëkohësisht, nga praktikat klienteliste, hipokrite e mediokre të vlerësimit që mbysin rëndom administratën, zyrat dhe kabinetet. Konica i madh është shëmbulli i padiskutueshëm i diplomatit përfaqësues dhe krijues, vepra e të cilit çlirohet nga kotësitë burokratike për të hedhur dritë, për të dhuruar qartësi dhe për të afruar me të vërtetën e kohës jo vetëm diplomatët e sotëm, studiuesit e apasionuar, historianët e përhumbur në kërkimet e tyre, median e etur për pak sensacion, por edhe publikun e gjerë
dhe dashamirësit e dijes. Paul Morand pohonte në kohën e vet në Paris: “Quai D’Orsay urren lavdinë që vjen nga jashtë zyrave të saj”.

Tirana Review of Books: Antropologji e diplomatit krijues, mund të jepni një portret? 

Arben Cici: Homo diplomaticus vetëm kaq është ende i panjohur ose i keqnjohur nga publiku i gjerë. Për të kapërcyer këtë hendek njohurish dhe perceptimesh, përballja me publikun është një histori suksesi që nuk fillon sot. Marr kurajën ta quaj dyzim antropologjik këtë krijesë, që përfaqëson një pjesë shumë të çmuar të trashëgimisë kulturore, sociale dhe intelektuale të një vendi.

Në botën e sotme shumëpolare, diplomati krijues duhet të mishërojë identitetin e qytetërimit të tij dhe të mund të jetë i aftë, gjithashtu, të hyjë brenda identitetit të një qytetërimi tjetër, sa më thellë, për ta njohur atë. Ai mbetet mbartësi, përçuesi dhe përballësi ideal i ndër-qytetërimeve, ndër-kulturave dhe ndër-traditave. Ku më mirë do të kuptonim, jo vetëm themelet dhe parimet e politikës së jashtme amerikane, por edhe krizat, sfidat dhe përballjet globale se në botimet e Henry Kissingerit apo Richard Holbrukut! Ku më
bukur do të shijonim shpirtin latin, se në poemat dhe përshkrimet e jashtëzakonshme të diplomatit-poet Pablo Nerudo!

Foto kryesore: Pritja e Ambasadorit Cici në Ambasadë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në foto janë edhe Ambasadori i Koresë Kim dhe Drejtori i News Express.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.