Kongregacioni i Shenjtë i Propagandës së Fesë

Kongregacioni i Shenjtë i Propagandës së Fesë dhe disa botime shqip

Kongregacioni i Shenjtë i Propagandës së Fesë” është institucion i themeluar më 1622 nga Papa Gregory XV, Vatikan, për të bashkërenduar e drejtuar punën për përhapjen e katolicizmit në kolonitë dhe për përtëritjen e kishave katolike në vendet e pushtuara nga osmanët.

Me këtë qëllim “Kongregacioni i Shenjtë i Propagandës së Fesë” ngriti, më 1634, misionet e saj edhe në Shqipëri, me klerikë vendas e të huaj, të përgatitur në shkolla të veçanta. Misionarëve u kërkohej të përgatisnin relacione periodike, të hollësishme, edhe për jetën ekonomike, shoqërore e politike të vendeve ku dërgoheshin (jo vetëm për kishat). Ky institucion ka përgatitur botimet e shumë dokumenteve të rëndësishme të kohës, përfshirë edhe ato që vinin nga Shqipëria. Po ashtu, në botimet e tij gjenden edhe shumë autorë shqiptarë.

Pjetër Budi dhe Doktrina e Krishterë

Pjetër Budi ka hyrë në histori me përkthimin, në shqip, të Doktrinës së Krishterë. Përkthimi botohet, për herë të parë, më 1618. Një kopje e këtij botimi, më 29 janar 1622, i dhurohet nga vetë autori Bibliotekës së Vatikanit. Botimi i parë pasohet nga dy të tjerë: më 1636 dhe 1664, nën kujdesin e Kongregacionit të Shenjtë të Propagandës së Fesë. Sipas Omarit, A. (Optime, Nr. 3, 2011), botimi i fundit i veprës në Itali është bërë më 1868, me rastin e 250 vjetorit të veprës nga i njëjti botues, ndërkohë që ekziston edhe botimi i vitit 1986 nga albanologu danez Gunnar Svane.

Në një ekspozitë të hapur në Bibliotekën Kombëtare, më 2012, kopertina e kopjes së librit të ekspozuar kishte këto të dhëna:

Dottrina Christiana di Papa Clemente VIII.

Dal R. P. Roberto Bellarmino.

Tradotta in lingva Albanese dal rever. Don Pietro Bvdi in Roma

Pjetër Bogdani dhe Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore Mundi

Pjetër Bogdani, më qershor 1685, në kohën kur ishte arkipeshkop i Shkupit, harton, në dy gjuhë, shqip dhe italisht, Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore Mundi (ODA) (Në shqip njihet thjesht si Çeta e Profetëve)– Libri gjendet i plotë, i skanuar, në “Google Book Project” – dhe, me ndihmën e Kardinal Gregorius Barbadici, arrin ta botojë në Itali, me të njëjtin botues, Kongregacionin e Shenjtë të Propagandës së Fesë.

Librin e shoqërojnë disa parathënie, ndërmjet të cilave edhe ajo shkruar nga Nicolo di Andrea, me seli në Venecia dhe me origjinë nga Prizreni. Di Andrea deklaron se “e ka lexuar librin dhe e ka gjetur të gjithin, për sa thuhet në shqip, gjuha ime e lindjes, se është e njëjtë me atë në italisht”. Data e shkrimit të këtij konfirmimi është prill 1685. Po nga libri, data e aprovimit për botim është 8 qershor 1685 dhe ka 182 faqe (49 faqe hyrje, me numra romakë).

Vepra botohet me disa këshilla “se si duhet lexuar, me korrektësi, libri në shqip”. Autori shpjegon se në gjuhën e shkruar shqipe përdoren disa karaktere latine dhe greke, si për shembull “theta” greke, e cila duhet të shqiptohet “ndër dhëmbë”, sikundër gjenden edhe fjalë që, ndryshe shkruhen e ndryshe shqiptohen, sikurse ndodh me gjuhën gjermane dhe atë franceze.

Dy botimet e tjera të Bogdanit u përkasin, përkatësisht, viteve 1691 dhe 1702, të të njëjtit libër me titull L’infallibile verità della cattolica fede. Botimi përmban letër-këmbimimin e Pjetër Bogdanit me Kongregacionin e Shenjtë të Propagandës së Fesë. Për shumë studiues, është botimi i fundit dhe më interesanti midis botimeve të lashta në gjuhën autoktone arbnore, që nga koha e Gjon Buzukut, Lekë Matrangës, Frang Bardhit e Pjetër Budit.

 Foto kryesore: Kopertina e botimit të vitit 1685 e Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore Mundi, autor Pjetër Bogdani. 

Foto e parë: Pjetër Bogdani në një pullë të shtetit shqiptar. Foto kredit: Projekt Gutenberg.

Foto e dytë: Faqja 1 e botimit të vitit 1685 e Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore Mundi, autor Pjetër Bogdani.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.