Konfuci nga zemra Autor Yu Dan

Konfuci nga zemra. Mençuria e lashtësisë për botën e sotme

Autor Yu Dan

Përktheu në anglisht Esther Tyldesley

Përktheu nga anglishtja  Valbona Nathanaili

Përmbajtja

Fjalë paraprijëse         Pse Konfuci?

Pjesa e parë                Mënyra sipas Qiellit dhe Tokës

Pjesa e dytë                 Mënyra sipas Zemrës dhe Shpirtit

Pjesa e tretë                 Mënyra sipas Botës

Pjesa e katërt              Mënyra sipas Miqësisë

Pjesa e pestë                Mënyra sipas Ambicies

Pjesa e gjashtë            Mënyra sipas Ekzistencës

 

Fjalë paraprijëse: Pse Konfuci?

Më shumë se dymijë e pesëqind vjet më parë, studentët e mendimtarit dhe filozofit Konfuci, mblodhën e shkruan çdo fragment a copëz të jetës e mësimdhënies së tij, shpërndarë lart e poshtë, që mundën të gjenin. Këto dëshmi, të cilat në pjesën më të madhe kanë formën e shënimeve që mbahen në klasë, u renditën dhe përgatitën për botim, në atë që më vonë njihet si Analects of Confucius.[1]

Dymijë vjet më parë, perandori i madhërishëm i Dinastisë Han, Wu, refuzoi të përqafojë qindra shkolla filozofike që kishin lulëzuar deri në atë kohë në Kinë, në favor të filozofisë së Konfucit, duke e shndërruar vendin, efektivisht, në një shtet konfucian.

Njëmijë vjet më parë, kryeministri i Dinastisë Song, Zhao Pu, lëvdohej se mund të sundonte botën duke përdorur vetëm gjysmën e filozofisë që gjendet në veprën Analects të Konfucit. Nga sa më sipër, mund të vlerësojmë rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm që ka luajtur mendimi i Konfucit në jetën politike dhe sociale të kohës së lashtësisë, si dhe nderimin me të cilin janë mbledhur e mbajtur mësimet e tij nga të lashtët.

Por cili është kuptimi praktik që kanë ato për shoqërinë dhe jetën në ditët tona?

Kur ia besova dorëshkrimin e këtij libri kompanisë së librave Zhonghua, që operon në Kinë, në fund të vitit 2006, isha e kënaqur dhe, në të njëjtën kohën, edhe disi e shqetësuar. Kam filluar studimet Master në letërsinë e kohës para Dinastisë Qin në moshën njëzet e një vjeç dhe jam rritur me kokën të zhytur në librat që botonte Zhonghua, por kurrë, asnjëherë, nuk kisha guxuar as edhe të ëndërroja, se një ditë, do mund të botoja një libër me këtë shtëpi botimi elitare, aq më tepër t’i lejoja vetes të shpresonte për të qenë e pranishme në një studio televizioni dhe të flisja përpara kamerave në lidhje me Analects të Konfucit.

Më shumë se e kam pasur frikë, e kam respektuar këtë libër dhe gjithnjë i kam shprehur qartë, thjesht dhe me ngrohtësi, ndjenjat që më lindnin sa herë e merrja në dorë.

Një herë, ndërsa ndodhesha në një qytet të vogël në veri të Kinës, i famshëm për burimet termale, u bëra dëshmitare e një ngjarje, që vendasit e quanin “Pyet burimin për sëmundjen që ke”. Thuhej se çdo njeri që zhytej në ujërat e qytetit, menjëherë gjente përgjigje për sëmundjen nga vuante: njerëzit që vuanin nga artriti, ndienin dhimbje në ato kyçe që kishin të sëmura, ata me probleme në aparatin gastro-intestinal, ndienin një si nxehtësi në zorrë, ndërsa njerëzit me probleme në lëkurë, ndienin kënaqësinë e një rigjallërimi të menjëhershëm, sikur del një lëkurë e re, e ngjashme me të njëjtin proces që ndodh te gjinkallat cicada, kur dalin në sipërfaqe, pas viteve të tëra që kanë jetuar nën tokë.

Për mua, mençuria e Konfucit është burim ngrohtësie, është gjallëria që dhurojnë ujërat e këtyre burimeve.

Për shkak të dijeve të limituara, edhe pse dëshiroja vërtet të shkruaja një analizë sa më të thellë të Konfucit, nuk do të kisha guxuar kurrë ta kisha një pretendim të tillë. Do të ishte njësoj, sikur të më çoje të bëja analizat kimike të këtyre ujërave termalë, në mungesë të pajisjeve për ta bërë një gjë të tillë. I vetmi rol i mundshëm që mendoj se kam pasur është i njëjtë, po aq, me atë të të gjithë atyre, që njësoj si unë janë zhytur në këto ujëra termalë dhe e kanë testuar me trupin e gjakun e tyre, i njëjtë me atë të mijëra e mijëra njerëzve, që përgjatë këtyre dyqind viteve të fundit dhe, ndoshta edhe më shumë, kanë hedhur hapin e janë zhytur në këta ujëra të nxehtë dhe i janë gëzuar dhuratës që kanë marrë.

Analects të Konfucit, i miri gjen mirësi, i mençuri gjen mençuri. Ndoshta, vlera e këtij teksti klasik nuk qëndron në ritualët dhe nderimin që frymëzojnë frikë e respekt në të njëjtën kohë, por në përfshirjen dhe rrjedhshmërinë, në mençurinë, që shumë njerëz e gjejnë sa më të vjetër bëhen, në rrjedhojë të së cilës, çdo jetë dhe çdo individ, sado perceptime të ndryshme që mund të kenë dhe sado rrugë po aq të ndryshme të ndjekin, së fundmi arrijnë në të njëjtin synim final. Në Kinë, ne kemi një fjalë të urtë, sipas së cilës “E vërteta nuk qëndron kurrë larg njerëzve të zakonshëm”. Sigurisht, që ky është rasti.

Në perceptimin tim, të urtët nuk i përdorin kurrë citimet e errëta nga klasikët për të trembur njerëzit, as nuk i ngarkojnë shkrimet e tyre me fraza të turbullta dhe fjalë të vështira, për t’u mbyllur gojën. Konfuci ka thënë: “Po mendoj të heq dorë nga e folura”. Zigong e pyet menjëherë: “Nëse vendosni të mos flisni, çfarë do të mbetet për të transmetuar te ne, dishepujt tuaj?” Me qetësi dhe në mënyrë praktike, Konfuci ju përgjigj: “Ka folur qielli ndonjëherë? Ne kemi katër stinë, që i lënë vendin njëra-tjetrës dhe qindra gjëra të tjera që ekzistojnë. Ka folur qielli ndonjëherë?”

Të vërtetat e thjeshta të kësaj bote mund të hyjnë lehtësisht në zemrat e njerëzve, sepse nuk kanë lidhje me indoktrinimin, por janë thirrje të brendshme, që i bëjnë apel çdo zemre e shpirti të hapë sytë, të zgjohet. Dhe arsyeja pse këto të vërteta të thjeshta kanë mbijetuar me kalimin e mijëvjeçarëve është sepse kanë ndihmuar kinezët, brez pas brezi, të qëndrojnë me këmbë në tokë, të kuptojnë kombin dhe kulturën që i ka formuar, të mos u marrë koka erë, edhe kur u duhet të përballen me ndryshime të theksuara sociale dhe zgjedhje që duken sfilitëse.

Ata që përfitojnë nga mençuria e Konfucit kanë një si lloj fekse drite dhe ndalim të rrahurash të zemrës, gjatë së cilës të kuptuarit papritmas bëhet pjesë e qenies; ndërkaq, shumë të tjerëve mund t’u duhet një jetë e tërë studimi pafund për të arritur në këtë të kuptuar.

I detyrohem vërtet një falënderim të sinqertë programit televiziv Salla e leksionit, për inkurajimin në të kuptuarin e qasjes së Konfucit sipas perspektivës xinde – të kuptuarit që vjen sa nga zemra, aq edhe nga mendja. Një mijë zemra arrijnë të kuptojnë një mijë gjëra nga kjo vepër; dhjetë mijë do arrijnë të kuptojnë dhjetë mijë; të kuptuarit tim është të kuptuarit e një zemre, ndërmjet shumë të tjerave. Kur e lexojmë Konfucin në rrjedhën e jetës së përditshme dhe, papritmas, gjithçka na qartësohet, me siguri na buzëqesh në qetësi, nga lartësia e shekujve ku qëndron.

Lëvdata e kryeministrit të Dinastisë Song, Zhao Pu, është një mirënjohje plot respekt ndaj Konfucit, si burim i kulturës dhe mendimit tradicional kinez. Personalisht, do të pohoja se “Duke përdorur vetëm gjysmën e filozofisë që gjendet në veprën Analects të Konfucit, jam në gjendje të pasuroj veten”. Në përgjithësi, çdo njeri mund të gjejë ngrohtësi dhe ndjeshmëri, njësoj sikur kridhesh në ujërat termalë të qytetit të vogël, në kërkim të përgjigjeve të “burimit, për sëmundjen që ke”.

Akoma, ajo që mësojmë sot nga Konfuci nuk është “Nxënia konfuciane” që themeloi perandori Wu; nuk është “feja konfuciane”, solemne, dinjitoze dhe plot rite, që qëndron përkrah dy të tjerave, budizmit dhe daoizmit në Kinë; nuk është as edhe konfucianizmi i studiuesve, mbushur me argumentime të thella dhe prangosur nga kërkimet në tekst.

Ajo që na mbetet pas leximit të Analects të Konfucit janë të vërtetat e thjeshta, që në fakt çdo person i di, nëpërmjet zemrës së tij a të saj, ndonëse mund të mos jetë në gjendje t’i formulojë e nxjerrë nga goja.

Në pikëpamjen time, mençuria e Konfucit nuk ju djeg duart, po aq sa edhe nuk ua ftoh, sepse temperatura e saj është pak më e madhe se temperatura e trupit, por është konstante dhe do të qëndrojë e tillë përgjatë gjithë kohës.

[1] Shënim i përkthyesit: Përmbledhja e filozofisë së Konfucit gjendet në anglisht me titull “Analects of Confucius”. Është zgjedhur të referohet botimi anglisht, sepse autorja i referohet vazhdimisht vetëm këtij botimi.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.