Koncepti i kombit kosovar, ose radikalizmi i një teorie nacionaliste Nga Valbona Nathanaili

Koncepti i kombit kosovar, ose radikalizmi i një teorie nacionaliste

Nga Valbona Nathanaili

Artikulli i Nexhmedin Spahiut me titull “Koncepti i kombit kosovar”, botuar në MAPO datë 25.11.2014, përpiqej të trajtonte, shkencërisht do thosha, atë të ekzistencës së kombit kosovar. Shembujt e shumtë që ilustronin artikullin, kryesisht nga Europa, ishin në funksion të një ideje: sa kohë kemi një shtet kosovar, kemi edhe një komb kosovar. Argumenti përpiqej të merrte nota edhe më bindëse kur citonte planin e Ahtisaarit që përmend kombin kosovar dhe fjalimet e Blair dhe Clinton që i uronin “jetë të gjatë kombit të ri kosovar”.

“Kaq shumë t’i ketë bërë përshtypje redaksisë së MAPO-s ky shkrim, sa pas Ninit të Beogradit ta botojnë edhe në faqet e veta?” – kështu fillonte një nga komentet, i vetmi në fakt deri në mesditë, që shoqëronte botimin online të këtij artikulli.

Po, ia vlen, sepse teoritë nacionaliste ekstreme janë të dëmshme, në mos të rrezikshme, veçanërisht kur përpiqen të ngrihen mbi baza shkencore.

Paraqitja e kombit dhe nacionalizmi

Ndryshe nga z. Spahiu, në vend që të bëj një histori se kur e si ka “lindur” kombi i parë, po paraqes një pikëpamje pothuaj standarde rreth marrëdhënies që ekziston ndërmjet nacionalizmit, kombit-shtet dhe politikave të jashtme, duke marrë si shembull përsëri Europën, por duke e shtrirë deri në ditët e sotme. Vërtet kombet-shtete u zhvilluan në Europë rreth mesit të shekullit XVII, si një mënyrë për të legjitimuar sovranitetin e tyre në territoret përkatëse, – dhe këtu pajtohem tërësisht me z. Spahiu, por autori anashkalon një argument shumë të rëndësishëm, atë të nacionalizmit që përshkon të gjithë Europën e fundit të shekullit XVIII, i cili jo vetëm “betonizoi” një simbiozë të tillë, por edhe identifikoi marrëdhëniet ndërkombëtare me marrëdhëniet ndërmjet kombeve-shtete. Konfuzioni në identifikimin e kombit me shtetin lidhet edhe me anëtarësimin në Organizatën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, ku termi “komb” identifikohet me atë “shtet”, argument të cilin e sjell edhe autori.

Në ditët e sotme një ndarje e tillë, thjesht politike për shumë studiues, po rivalizohet nga ideja se bota, më shumë se në shtete, është e ndarë në kombe, të cilët janë, në mos të vetmit, arsyeja për ndërtimin e politikave luajale ndaj tyre.

Të përkufizosh shtetet është më e thjeshtë se të përkufizosh kombet. Por nëse pothuaj të gjithë janë dakord se çfarë do të quajmë shtet, sa i takon kombeve ka qasje të ndryshme, të cilat gjithsesi, pavarësisht mënyrës si formulohen, në fund takohen në tri pika kryesore: 1. Bashkësia e njerëzve që kanë një histori të përbashkët, një kujtesë kolektive që e bën fatin e individit të njëjtë me të grupit. 2. Ekzistenca e lidhjeve të forta kulturore e gjuhësore, të cilat mundësojnë një komunikim social e në mënyrë perfekte brenda tij. 3. Barazi ndërmjet të gjithë anëtarëve.

Pa i bërë aspak apel historisë së përbashkët të shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri, lidhjeve të forta dhe barazisë që kemi natyrshëm ndërmjet njëri-tjetrit, koncepti i kombit kosovar që servir z. Spahiu, në rastin më të mirë mund të quhet nacionalizëm radikal, i cili sado modern që është si term, përfaqëson një ideologji që frymëzohet nga teori të vjetruara dhe kërkon të mbështetet në deklarata të kujdesshme bërë nga udhëheqës politikë botërorë në një çast delikat për Kosovën. Në nacionalizmin e tij z. Spahiu është i kujdesshëm, pasi shmang llojin etnik. Nacionalizmi i tij është civik, në emër të shtetit dhe vlerave të tij.

Nëse me këtë lloj ideologjie z. Spahiu përpiqet të justifikojë ekzistencën e shtetit kosovar, – së cilës i referohen edhe Blair dhe Clinton në deklaratat e cituara (kombi “i ri” kosovar”), – ato ishin për atë fazë dhe për atë kohë, mbas një periudhe të vështirë vuajtjesh e luftërash.

Në prill 1999, kryeministri i kohës së Anglisë, z. T. Blair, në një fjalim të mbajtur në Chicago për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, argumenton se “parimet e mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti duhen modifikuar për rastet kur qeveritë e një vendi sillen në mënyrë tërësisht johumane ndaj popullsisë së tyre”. Në emër të mbrojtjes së standardeve humanitare, të mospërsëritjes së masakrës së Bosnjës, të frikës se paramilitarët e ushtria e Millosheviçit do mbetnin pa dënuar për krimet e kryera dhe të mospërhapjes së konfliktit në gjithë Ballkanin, filloi të marrë jetë shteti i ri kosovar, por jo kombi kosovar. Ideologjia e nacionalizmit të artikuluar nga z. Spahiu nuk justifikon krijimin e kombit. E anasjellta është e vërtetë.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.