Kodi i etikës në sektorin publik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

24 Nëntor 2018

Sipas filozofisë, institucionet dhe agjencitë publike ngrihen mbi vlerat sociale që mbart shoqëria. Për këtë arsye, këto institucione dhe organizata publike udhëhiqen më tepër nga parimet etike krahasuar me kompanitë private, të cilat mbështeten në filozofinë e fitimit. Nga ana tjetër, duhet theksuar se institucionet publike kanë, në themel, ato parime etike që kanë lidhje me kontekstin (natyrën e punës) që ka organizata. Për shembull, një qendër për fëmijë me aftësi të kufizuara udhëhiqet nga parimi i mosdiskriminimit ndaj tyre.

Rregullat etike në sektorin publik në ndryshim nga rregullat etike në sektorin privat kanë si qëllim t’i shërbejnë vlerave të një shoqërie.

KODI I ETIKËS NË SEKTORIN PUBLIK TË SHBA

Shoqata Amerikane e Administratës Publike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është institucion që i shërben përmirësimit dhe zhvillimit të proceseve administrative në administratën publike amerikane. Kjo shoqatë ka përgjegjësi në nxitjen e profesionalizmit dhe rritjen e  përgjegjësisë ndaj parimeve etike që përfaqësohen në shërbimet publike.

Si përfundim, ne anëtarët e Shoqatës Amerikane të Administratës Publike i angazhohemi në zbatimin e parimeve të mëposhtme.

Do t’i shërbejmë interesit publik. Do t’i shërbejmë interesit të opinionit publik, përtej atij vetjak.

  •  Ne, anëtarët e Shoqatës Amerikane të Administratës Publike betohemi se:
  1. Do të ushtrojmë autoritet për të nxitur interesin publik.
  2. Do të kundërshtojmë të gjitha format e diskriminimit dhe të ngacmimit, si dhe do të promovojmë veprime motivuese dhe nxitëse.
  3. Do të njohim dhe mbështesim të drejtën që ka opinioni publik për të pasur informacion mbi administratën publike (atë sektor që ka lidhje me të)
  4. Do të përfshijmë qytetarët dhe opinionin publik në vendimmarrje që ka të bëjë me politikat publike që i prekin direkt ata.
  5. Do të demonstrojmë dashamirësi, korrektësi, drejtësi, ndershmëri dhe optimizëm ndaj opinionit publik dhe qytetarëve të vendit.
  6. Do t’i ofrojmë përgjigje opinionit publik në mënyrë të plotë, të qartë dhe të kuptueshme.
  7. Do të asistojmë dhe ndërmjetësojë qytetarët për çështjet që lindin mes tyre dhe hallkave administrative.
  8. Do të jemi të gatshëm të marrim vendime dhe pse mund të jenë në favor të pakicës (jo tepër popullore si vendime).

Do të respektojmë Kushtetutën dhe Ligjin

 Do të respektojmë, mbështesim dhe zbatojmë ato ligje dhe akte normative përcaktuar nga detyrat dhe përgjegjësitë e organizatave publike, punonjësve e këtyre institucioneve, si dhe pjesëtarëve të shoqërisë.

  • Ne, anëtarët e Shoqatës Amerikane të Administratës Publike do të jemi të përkushtuar:
  1. Të kuptojmë dhe të zbatojmë ato ligje dhe akte normative që lidhen me punën e përditshme.
  2. Të punojmë për të ndryshuar ose modifikuar ato rregulla të cilat janë jo produktive.
  3. Të minimizojmë, madje deri në eliminim, format diskriminuese dhe të paligjshme.
  4. Të parandalojmë të gjitha format e keqmenaxhimit të fondeve publike, duke ngritur struktura të fuqishme kontrolli fiskal, si dhe duke mbështetur veprimet investigative financiare dhe auditet periodike.
  5. Të respektojmë dhe të mbrojmë informacionin e klasifikuar si sekret.
  6. Të lehtësojmë dhe të inkurajojmë aktivitetet e legjitimuara të qeverisë, si dhe të mbrojmë të drejtat e punonjësve në administratën publike.
  7. Të promovojmë parimet kushtetuese të barazisë, korrektësisë, ndershmërisë, përgjegjshmërisë dhe përfaqësimit, gjithnjë në shërbim të mbrojtjes së të drejtave qytetareve.

Do të shfaqim integritet personal

Do të manifestojmë standarde sa më të larta në të gjitha hallkat e administratës, për t’i transmetuar opinionit publik siguri dhe besim në shërbimet publike.

  • Ne, anëtarët e Shoqatës Amerikane të Administratës Publike betohemi:
  1. Të jemi të ndershëm dhe të mos komprometojmë këto vlera për përfitime vetjake ose avancime në karrierë.
  2. T’i japim gjithsecilit atë që meriton në punë, pra gjithsecili të marrë vlerat dhe meritat që takon.
  3. Të evitojmë konfliktet e interesit dhe fenomene të tjera negative, si për shembull nepotizmin, shpërdorimin e fondeve publike, si dhe marrjen e ryshfeteve.
  4. Të tregojmë respekt ndaj eprorëve, vartësve, kolegëve dhe opinionit publik.
  5. Të marrim përgjegjësinë për gabimet që bëjmë në punën e përditshme.

Do të promovojmë një administratë etike

Të forcojmë aftësitë organizuese, me qëllim që të kemi një administratë etike, efektive dhe korrekte në shërbim ndaj publikut.

  • Ne, anëtarët e Shoqatës Amerikane të Administratës Publike betohemi:
  1. Të nxisim kapacitetet organizative të organizatës me qëllim që ta bëjmë administratën sa më kreative, të hapur në komunikimin me publiku, si dhe më të dedikuar ndaj tij.
  2. Të kemi një koordinim në nivel institucional, ndërmjet institucioneve, një shërbim më të mirë ndaj opinionit të gjerë publik.Të aplikojmë procedura të cilat nxisin sjelljet etike dhe i bëjnë individët më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm ndaj punës dhe gabimeve të tyre.
  3. Të krijojmë kushte të favorshme institucionale për punonjësit e administratës, me qëllim që t’i shërbejmë sa më mirë publikut të gjerë.
  4. Të promovojmë parimin e meritokracisë dhe të evitojmë veprimet ekstremiste dhe arbitrare.
  5. Të promovojmë një administratë të përgjegjshme nëpërmjet kontrolleve të herëpashershme.
  6. Të nxisim organizatat publike që të rishikojnë Kodin Etik në çdo kohë me qëllim që të bëhen përshtatjet e nevojshme.

Do të promovojmë performancën profesionale

Do të forcojmë kapacitetet individuale dhe do të nxisim rritjen profesionale të punonjësve në radhët e sektorit publik.

  • Ne, anëtarët e Shoqatës Amerikane të Administratës Publike betohemi se:
  1. Do të japim gjithë mbështetjen e mundshme, si dhe do të nxisim avancimin në karrierë të individëve të kualifikuar brenda administratës publike.
  2. Do të kemi aftësinë dhe përgjegjshmërinë shoqërore për të zgjidhur probleme dhe çështje që lidhen me punën.
  3. Do të nxisim trajnimin e vazhdueshëm dhe të herëpashershëm të stafeve, në nivele të ndryshme drejtimi.
  4. Do të krijojmë ura lidhëse midis auditorëve universitare dhe niveleve të ndryshme të administratës publike, me qëllim thithjen e elitës studentore në këtë fushë, si dhe për të qenë në kontakt me nivele akademike.
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.