KLUBI KARAVASTA Nga Maks Velo

KLUBI KARAVASTA Nga Maks Velo

  • Ky roman, në fillim, lindi si novelë. Tani po e botoj të plotë, në dy pjesë. Pjesa e parë, botuar nga Korbi (2004) dhe ribotuar nga Toena (2014), nuk ka asnjë ndryshim. Pjesën e dytë e shkrova mbas 12 vitesh, sepse e ndjeva që këtë vepër e kisha lënë të paplotësuar. Romani zhvillohet në një 10 vjeçar, gjatë viteve 1992-2002, një nga dhjetëvjeçaret më të rëndësishëm dhe dramatikë në historinë e Shqipërisë. Ngjarjet në pjesën e parë zhvillohen midis viteve 1992 deri më 1997, me rrëzimin e piramidave. Pjesa e dytë e romanit përfshin periudhën 1997-2002. Autori

PJESA E DYTË

Stuhia filloi papritur ashtu siç derdhet një shishe me bojë kine mbi një letër. Asgjë nuk ish e përcaktuar: deti, këneta, toka, qielli sikur luanin kumar, duke i marrë letra njëri-tjetrit. Madhështia e gjëmimeve shuante fëshfërimën e butë të kallamave. Shiu filloi me pika të mëdha. Kufijtë u zhdukën. Këneta foli …

“Jam magjistarja e deteve e tokave e qiejve. Jam skena ujore ku luhet shfaqja”.

Papritmas, larg, horizonti u skuq. Shiu pushoi. Një kallam drejtoi trupin. Një tufë rosash kuakërinë dhe pastaj morën fluturimin. Si në fillimin e botës.

Kallamat përkulen si femra. Mbi ujin e zi të kënetës, projektohet hija e tyre. Në asnjë vend tjetër qielli nuk është aq afër me tokën sa këtu. Këneta nuk lëviz se jetën e ka brenda saj në cekëtirë. Është mrekullia e palëvizshmërisë. Mbi kënetë edhe qielli ndalet, vetëm shpezët fluturojnë. Këneta është toka e mbytur, është dorëzimi, pranimi, pajtimi, pafajësia vetë.

Kur lejlekët nisin fluturimin duket sikur fillon së pari jeta mbi tokë. Këneta s’ka valë të fuqishme, valët e saj janë të buta, harmonike, si ledhatimi i femrës. Për njerëzit që duan shpendët, ajo është misteri i madh i takimit.

Peshkimi u vajti mbarë.

Tahiri e çonte peshkun në Tiranë, e ngarkonte në ca govata llamarine dhe e fuste në bagazhin e Benzit. Aty gjeti një dyqan që shiste peshk, pronari ishte nga Gjëmimasi.

Biseduan që dyqanit t’ia vinin emrin KARAVASTA dhe të shiste, kryesisht, peshk të Lagunës.

  • Do të të furnizojmë tri herë në javë me kocë, qefull, ngjala … do marrësh 40 për qind, ne do na japësh 60 për qind… po… po… kapet natën, në shi, në furtunë… pastaj transporti, pastaj humbjet tona…

Kështu e prenë.

Shitja shkonte mbarë, po tani u duhej me doemos një barkë e mirë me rrema… ta sigurojmë njëherë me rrema, pastaj më vonë shohim mos blemë një me motor të vogël…

U ndanë. Tahiri shkoi në Sarandë, Nesti në Vlorë dhe Vani në Veri, në Shën Gjin dhe në Shkodër, meqenëse në këto porte kish pasur Ndërmarrje Peshkimi. Kur u kthyen panë se më e leverdishme ish ajo që Nesti gjeti në Zvërnec të Vlorës. Aty Kooperativa kish pasur një brigadë që peshkonte. Kishin tre barka njërën donin ta shisnin.

Është në gjendje të mirë… pastaj dhe çmimi më duket i arsyeshëm, kërkojnë 300 dollarë amerikanë. Secili do paguajë nga 100. Besoj brenda muajit i zëvendësojmë. Më vonë doli nevoja për një Furgon Frigoriferik, dërguan Vanin se dinte edhe pak Italisht dhe e blenë në Bari, ish i përdorur, por në gjendje të mirë, punën e bënte. E morën lirë për 10.000 dollarë. Punën e shoferit e bënte herë Vani herë Tahiri. Ishin në rregull, para 5 vjetësh kishin marrë Licencën e peshkimit, paguanin në rregull taksat. Papritur doli një pengesë e paparashikuar… dëgjuan se Dajlani do të privatizohej…

Ishte Polici Hyskë Askushi që shpalli në kafene se Dajlani do të privatizohet… “e kanë kërkuar në Ministri….”

  • S’më besohet … sa llafe dalin… çdo ditë nga një thagmë…! tha Vani…
  • S’ka mundësi…nuk ka kënetë të privatizuar në botë! tha Tahiri…
  • Po mor po… po këtu ç’do gjë është përmbys… mjerë ne…! Tha Nesti…

Te gjithë shtetasit i kish zënë një sëmundje pa shërim si një epidemi kolere. Të gjithë donin të ndërtonin, nuk kish rëndësi çfarë. Nuk ngeli njeri pa ndërtuar o një kioskë, o një ballkon, o një mur pa leje. Ose duke bërë një pallat gjashtë katesh, o një vilë, apo haur për lopët a një dyqan. Vetëm në Mesas nuk kish asnjë ndërtim pa lejë. Kjo duhet të kish dy arsye, ose qytezën nuk e përfillte njeri, ose qyteza ish e mallkuar.

Se kush tha: “Këtu është fundi, vjen njeri në fund?. E do njeri fundin?“.

  •  Po pse Partia e bëri thoni Ju, bile ajo parashikoi edhe një urë për të ndërtuar matanë kanalit, dhe një Mesas tjetër, një binjak; një Mesas të dytë që do ish sot fundi i fundit.
  •  Vetëm Partia i bënte çudirat, Demokracia na e hoqi edhe atë pak dinjitet që kishim. S’ka çudira.
  •  Dinjitet nga frika, se edhe frika ka dinjitetin e vet.
  •  Jo or jo është magjia… nuk e dini kur po gërmonte Naska dolën dy kocka dhe ca lecka. Thanë na kanë bërë magji.
  •  E mo… më mirë që s’vjen kush. Dhe t’i lësh nuk ndërton njeri. Është si të hedhësh paratë në kënetë…

Vetëm matanë kanalit u dukën ca baraka, në fakt janë kotecë për pata, rosa e pula. Banorët i shtuan patat e rosat se peshku ua solli në majë të hundës. Rrallë kish ndonjë lopë se nuk kish me se t’i ushqenin. Mesasi s’lëvizi mbeti po ai, në fund të botës po i virgjër ama. Parullat socialiste në muret anësore i sheh edhe sot, nuk merrte njeri mundimin t’i lyente me bojë; pastaj sikur ish një pakt i pa shpallur midis banorëve që të mos i prishnin, se iu kujtonte atë kohën e kaluar, të hidhur, po që kohë e tyre ish, prapë se prapë. Një apartament e bleu një flokëzi nga Tirana. Thanë është shkrimtar. Kur e pyetën ç’do këtu, u përgjigj:

“Do internoj veten… me që nuk më internon njeri do e bëj vullnetarisht… se koha e internimeve ka kaluar… i kam zili ata, ish të burgosurit politikë… dhe ju që keni qenë internuar.

Nuk e kupton?… e po aty është frymëzimi , te vuajtja, dhe unë dua të vuaj vetë… t’i shkaktoj vuajtje vetes sime… isha në një seminar ndërkombëtar dhe të gjithë sa merrnin vesh se isha nga Shqipëria më thonin … Po ju keni qenë në burg?… Se kështu kemi dëgjuar që të tërë keni qenë të burgosur… çfarë t’ju thosha… unë nuk dija as se ku ishin vendet e internimit… tani do shkruaj një trilogji… po më duhet të njoh vuajtjet…

Në Kryeqytet nuk vuan dot, të gjithë bredhin pas lumturisë, unë dua të bredh pas vuajtjes… si, a kam botuar?… Po jam i shquar , jam i shquar prandaj jam i pabotuar… po kur të botohem… ama do marr dhenë”…

Ky qënkërka i lojtur…

I lojtur the… nuk më ofendon ore jo… hiç fare, po pa qenë i lojtur si mund të jesh shkrimtar… Pa më thuaj?…tani po mbaroj dramën DASHURI NE BUZE TE KANALIT… ç’përmbajtje ka? po ja kam dëgjuar se në kanal e bënin këtej nga Ju …

Doni të dini diçka për personin tim…? Jam Mërgim Çollaku…jap leksione te Gjuhë Letërsia… po…jam fejuar dy herë, po nuk ishin të përshtatshme, e para ishte shumë fshatare, e dyta ishte si shumë qytetare, nuk po gjej dot një mesatare… tani bashkëjetoj me një ish studenten time… deri tani mirë… megjithëse ç’të them nuk di të gatuaj…

____

Mesasi u bë i famshëm rastësisht nga gabimi i një gazetari danez. Peter Hammb, solli me vete një koleg, Hugo Shulzin. Hugo qëndroi në Mesas dy javë në apartamentin e Peterit …

Kur u kthye, shkroi një artikull për qytezën. Gabimisht ai kujtoi se emri Mesas vinte nga Messia dhe jo nga Mes, vija e mesme, ndarja përgjysmë. Shkroi se ai është qyteti i çudisë dhe i mrekullisë, se ai vend do bëhet Messia e Europës, do udhëheqë Europën e Bashkuar. Kjo zuri vend dhe nuk dëgjonte njeri ta korrigjonte.

  • E dëgjove mo, këtu kalon qendra …
  • Ç’qendër mo Naskë…?
  • Po qendra e botës mo Mitro… dhe nuk e dinim!
  • E po kështu janë gjërat nganjëherë, si padashur…
  • Po thonë se këtu do bëhen zyrat e Evropës…
  • Lum si ne… do pasurohemi..
  • Blejmë zinxhira, orë të vjetra, flori të përdorur, dekorata të punës të luftës, medalje trimërie… shesim makina roje, brisqe.

Çalamani u duk prapë si u zhduk ca kohë pa lajm e gjurmë. Nuk hapej, nuk tregonte ku kish qenë, po sipas të folurave kish qenë në Greqi dhe e kishin kthyer. Pastaj u bë sekser.

  • Dëgjo Lenë, mora vesh se ke një gjyq në Fier.
  • Mos kujto se ke të drejtë dhe do e fitosh, duhet të paguash. Unë e di si bëhet kjo punë, duhen 300.000 të vjetra, dhe e fiton gjyqin … kësaj i thonë punë … që gjyqin e fiton vetë … ku ka më mirë… vetëm bëji gati ato të shkreta. Ndryshe as mos prit gjë në favor.

Foto: Në promovimin e librit të autorit Maks Velo “Klubi Karavasta”.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.