Katundaria e Pogonit – të ardhura, shkolla, nxënës e mësues. Nga Rexhep Mitrovica

Katundaria e Pogonit – të ardhura, shkolla, nxënës e mësues.

Raport për shkollat grekofone të nënprefekturës së Libohovës. Mbi bazën e një inspektimi zhvilluar gjatë periudhës janar-shkurt 1930. Hartuar nga Rexhep Mitrovica

Më poshtë paraqitet me shkurtime. Burimi: Valbona Nathanaili 

Pjesa II. Katundaria e Pogonit

Llogaritet se të ardhurat e përvitshme të pasurive komunale, bashkë me Manastirin e Çatistës, arrijnë në 800 napolona. Duhet shënuar se ky Manastir mund të përdoret si konvikt bujqësor i vogël për këtë krahinë. Të ardhurat e Manastirit arrijnë në 200 napolona në vit.

Nxënës në shkollat e Greqisë, gjithsej 43; nxënës në shkollat tona (bursistë), gjithsej 14.

Pakujdesia e autoriteteve lokale kundrejt shkollave është e papërshkrueshme. Përveç shkollës së Skoresë, asnjë nga shkollat e tjera të kësaj krahine nuk ka as tabelë shkollore, as flamur; edhe fytyra Auguste e Mbretit është e neglizhuar. Thirra kryepleqtë e këtyre katundeve dhe u tërhoqa vërejtjen në lidhje me këtë çështje. I luta të vënë nga një tabelë me emërtimin “SHKOLLË FILLORE”, me një stemë në mes, në të hyrë të shkollës; të blejnë një flamur të mirë për shkollën dhe në çdo dhomë mësimi të vënë nga një flamur të mirë për shkollë; në çdo dhomë mësimi të vënë nga një fytyrë të Lart Madhërisë së Tij. Këtë gjë e raportova verbalisht edhe në prefekturën e këtushme, e cila dha menjëherë në autoritetet lokale urdhërat e duhur.

Katundaria e Pogonit përbëhet nga 5 fshatra grekofone dhe nga një katund shqiptar (Selekë)

Poliçan

Është qendër e katundarisë. Popullsia: 1 800 shpirt. Nxënës të regjistruar në shkollë 116 (80 nxënës dhe 36 nxënëse). Ndërtesa u godit më vitin 1860, me shpenzimet e komunitetit. Ka 2 kate me 6 të ndara; ka nevojë të meremetohet pjesërisht. Deri në fund të sundimit turk përdorej si shkollë qytetëse 7-klasëshe dhe me 4 mësues. Ka 2 mësues qeveritarë dhe 3 komunalë, nga të cilët një mësuese (komunale). Pasuria komunale siguron të ardhura të përvitshme prej afro 150 napolona.

Nxënës në shkollat e Greqisë, nga ky fshat janë 20: 3 në internat të Normales së Janinës; 1 në internat të Seminarit të Vellas (Janinës); 15 në gjimnaze të ndryshme (klasike, teknike e tregtare) të Voshtinës, Janinës, Korfuzit, Athinës e Selanikut (5 prej tyre janë në internate); 1 studion në Universitetin e Athinës për mjekësi. Nxënës në shkolla shqipe me bursë të shtetit janë 4: 1 në Shkollën Teknike të Tiranës, 1 në Shkollën Bujqësore të Kavajës; 1 në Shkollën Normale të Elbasanit; 1 në Francë, student veterinarie.  Mësuesi qeveritar i shqipes është emëruar vetëm më 1925. Mësimi i gjuhës paraqet një farë përparimi relativ, por jo të kënaqshëm. Në këtë periudhë 5 vjeçare duhej të ishin arritur përfundime më të mira.

Skore

Popullsia: 800 shpirt. Nxënës të regjistruar 55 (36 nxënës dhe 19 nxënëse). Ndërtesa u godit më vitin 1871 me shpenzimet e Vëllezërisë së ahershme të Stambollit; ka 3 dhoma mësimi dhe një dhomë për zyrë; gjendja jo aq e pëlqyer. Personeli përbëhet nga 2 mësues qeveritarë. Mësuesi qeveritar i shqipes është emëruar për herë të parë më 1928-1929. Përhapja e shqipes ndodhet ende në shparga. Skoreja është i vetmi katund grekofon në tërë qarkun e Nënprefekturës së Libohovës që ka 2 vajza bursiste në Normalen Femërore të Korçës.

Sopik

Popullsia: afro 1 800 shpirt. Nxënës të regjistruar 142 (92 nxënës dhe 51 nxënëse). Ndërtesa është shumë e re, punimet kanë filluar më 1910 dhe mbaruan më 1925, me 1 kat, me gjashtë të ndara dhe me një sallë; është godina shkollore më e mirë në të gjitha katundarinë. Personeli përbëhet nga 1 mësues qeveritar dhe 2 mësues privatë. Nxënës në shkollat greke, nga ky fshat janë 10: 1 në seminarin e Vellas (Janinë); 2 në konvikt të Voshtinës (gjimnaz); 2 në gjimnaz të Voshtinës (me shpenzimet e veta); 2 në gjimnaz të Janinës (me shpenzimet e veta); 2 në gjimnazin tregtar të Janinës (me shpenzimet e veta); 2 në Universitet të Athinës (mjekësi). Bursistë në shkollat tona janë 3 nxënës në Normalen e Elbasanit (i pari që më vitin 1928 dhe 2 të tjerët më 1929).

Çatistë

Popullsia: 700 shpirt. Nxënës të regjistruar 45 (30 nxënës dhe 15 nxënëse). Ndërtesa është ndërtuar 40 vjet më parë, me 2 të ndara, përkatësisht 1 për mësim dhe një dhomë banimi për mësuesit; ka nevojë për meremetim.

Hllomo

Popullsia: 800 shpirt. Nxënës të regjistruar 90 (55 nxënës dhe 35 nxënëse). Ndërtesa është e vjetër, por vjet u meremetua me shpenzimet e Syllogut të katundit në Amerikë dhe është bërë mjaft e mirë, ka 3 të ndara për mësim, 1 sallon, 1 zyrë dhe 1 odë të veçantë për banim mësuesi. Nxënës në shkolla të Greqisë janë, gjithsej, 4: 3 në konvikt të Voshtinës; 1 në gjimnaz të Janinës. Bursistë në shkollat tona: asnjë.

 

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.