Jetëshkrimi i mësuesve gjatë periudhës 1912-1944 Nga Valbona Nathanaili

Jetëshkrimi i mësuesve gjatë periudhës 1912-1944

Nga Valbona Nathanaili

Vitet e para të kësaj periudhe

Të gjithë mësuesit e përfshirë në sistemin arsimor publik, plotësojnë një “Jet-shkrim”, sipas një formulari të përgatitur nga Ministria e Arsimit, seksioni përkatës. Pjesë e deklarimit të elementëve të jetëshkrimit, në vitet e para të kësaj periudhe është edhe përkatësia fetare.

Nga dokumentet e kohës, është shkëputur jetëshkrimi i Hamdi Bushati, mësues në shkollën fillore të Rusit, Shkodër. Jetëshkrimi është në përputhje me shumë nga zhvillimet politike të Shqipërisë së asaj kohe, pasi secila nga shkollat e ndjekura për edukim nga z. Bushati, lidhen me një luftë a tjetrën, në të cilat Shqipëria, me apo pa dëshirë, ka qenë gjithmonë e përfshirë.

Jetëshkrim, Hamdi Bushati

  • I biri i Mehmed Beg Bushatit. Lindur më 1896.
    1903 – 1910, mbaron shkollën fillore / 1910 -1913, vazhdon gjimnazin – Gjatë kësaj kohe, mëson frëngjishten me një francez, Dr. M. Marsel.
    1913-1915, për shkak të Luftës Ballkanike dhe shkëputjes së Shkodrës nga Turqia, vazhdon studimet në shkollën italiane tekniko-tregtare, ku mëson edhe italishten.
    1915-1917, me fillimin e luftës europiane, shkolla e mësipërme mbyllet dhe vazhdon studimet pranë Kolegjit Saverian, ku mëson edhe gjermanishten.
    23 mars 1917-13 shtator 1917, mbaron kursin normal dhe, më 20 shtator 1917, me dekret të Bezirkskomandës fillon punë, si mësues, në shkollën fillore të Rusit në Shkodër.
    Ka botuar librin “Shkurtorja e Historisë Myslimane”. Në proces botimi, një libër të vogël për historinë e diturinë, përkthim nga italishtja.

Në fund të vitit shkollor 1938-1939

Mësuesit në të gjithë vendin duhet të nënshkruajnë një formular-tip besnikërie ndaj “Mbretit t’Italisë dhe të Shqipnisë, Perandor i Ethiopisë dhe të trashëgimtarëve të Tij mbretnuer” dhe angazhim për mospjesëmarrje në parti dhe/ose shoqata kundër regjimit. AQSh, Fondi i Inspektoratit të Arsimit Korçë, viti 1939 dosja nr. 129, përmban shumë formularë të kësaj natyre. Shumë prej tyre janë të plotësuar me shkrim dore dhe, shumë të tjerë, janë të gatshëm, vetëm plotësohet emrin e mbiemri dhe, në fund, është nënshkrimi, por thelbi, gjithmonë, është i njëjtë. Kërkesa përcillet nëpërmjet drejtorisë arsimore përkatëse.

Ministrisë së Arsimit, Tiranë

  • Ndërmjet inspektorisë së arsimit, Korçë
    E nënshkruara ………………., mësuese në shkollat fillore të qytetit të Korçës, ka nderin me lutë që të kini mirësinë me e pranue që të bajnë betimin e besnikërisë ndaj Mbretit t’Italisë dhe të Shqipnisë, Perandor i Ethiopisë dhe të trashëgimtarëve të Tij mbretnuer.
    Deklaron njëkohësisht se nuk ka qenë dhe as ka për të qenë pjesëtar në partina politike ose Shoqata kundër regjimit dhe se don të vazhdojë rregullisht në detyrë.
    Me nderime ………..

Në vitin 1940

Jetëshkrimi i nëpunësve të shtetit, pjesë e të cilëve janë edhe arsimtarët, bëhet nëpërmjet një libreze të veçantë, e ndarë në dy pjesë dhe me shumë rubrika. Pjesa e parë plotësohet nga nëpunësi (mësuesi), ndërsa pjesa e dytë dhe vlerësimi i nëpunësit (nota e cilësimit), bëhet nga kryetari i zyrës, konkretisht nga drejtori i zyrës arsimore ose inspektori, në bashkëpunim me drejtorin e shkollës.

Pjesa I, përmban këto rubrika: Mbiemri, emri dhe atësia, grada, vendlindja, datëlindja, i martuar, beqar ose i ve, vendbanimi, gjendja familjare (gruaja: emri, mbiemri, data e martesës; fëmijët: emri, datëlindja, vendlindja; të tjerë familjarë që bashkëjetojnë dhe janë në ngarkim: emri, mbiemri, lidhja), tituj studimi, vendi i studimeve, gjuhë të huaja, nëse ka shkruar mbi lëndë administrative ose teknike e data e tyre, provime të dhëna (konkurs për të hyrë në karrierë/ për gradime), data në të cilën ka hyrë në këtë administratë, data në të cilën është ngritur në këtë gradë që ka, data e betimit, shërbimi ushtarak (oficer, arma; nënoficer, arma; ushtar, arma).

Pjesa II, përmban këto rubrika: Gjendja shëndetësore (e mirë ose e keqe, – në rastin e dytë të tregohet arsyeja), zgjuarsia (shumë, mesatare, e pakët), kultura (shumë, mesatare, e pakët), zbatimi i orarit (fiks, mesatarisht, jo fiks), sjellja në shërbim (shumë e mirë, e mirë, e metë – për dy rastet e fundit të tregohen arsyet), ndjenja kombëtare, bindje kundër shtetit, sjellja private (dhe nëse ka zakon me marrë parà hua etj.), detyra jashtë zyre, zelli në detyrë (shumë, mesatarisht, pak), rendimenti në detyrë (shumë, mesatarisht, pak), detyra që zhvillon, si e zhvillon (shumë mirë, mesatarisht, keq), nëse ka personel vartës (a e ushtron autoritetin e gradës ose të detyrës me energji të mjaftueshme, të pamjaftueshme ose të tepërme), për cilin shërbim ka më tepër prirje dhe përgatitje, në se ka cilësi për gradime (shumë, mesatarisht, pak), a mund t’i besohen detyra me rëndësi dhe që kërkojnë zgjuarsi, shpejtësi, energji dhe mprehtësi (në rast se nuk mund t’u përgjigjet pyetjeve me siguri, në vështrim pohimi ose mohimi të deklarohet – nuk mund të shprehet një gjykim), a ka pasur gjatë vitit shkollor shkresa merite, vërejtje ose ndëshkime, detyra të posaçme ose ka shërbyer në qendra të veçuara dhe të vështira.

Nota e cilësimit shprehet me fjalët: shumë i mirë, i mirë, i kalueshëm, dobët. Cilësimi i komunikohet nëpunësit me një fletë të posaçme për ta nënshkruar. Nëpunësi mundet që brenda 15 ditëve nga data e komunikimit të ankohet pranë Këshillit të Administratës së qendrës kundër cilësimit që i është dhënë.

Në vitin 1943

Sipas Urdhërit nr. 36043, datë 30.12.1943 të Ministrisë së Punëve të Brendshme mësuesve u ndalohet pjesëmarrja në veprimtari politike:

  • Mësuesit dhe, përgjithësisht arsimtarët, janë të ftuem për të mbramen herë që të mos merren me politikë, por të vazhdojnë me krye detyrën e tyne brenda caqeve të pajtueshme me interesat e kombit shqiptar në mënyrë të urdhënueshme prej programit arsimor.

Në zbatim të këtij ligji, Ministria e Arsimit nuk lejon që mësuesit të merren me politikë:

  • Të gjithë mësuesit e nëpunësit që varen nga kjo Zyrë e kanë të ndaluar të merren me politikë e me partina të ndryshme.

Për këtë, mësuesit që janë në punë duhet të plotësojnë një formular, të quajtur “Pasqyrë mbi gjendjen e mësuesit”, ku përmbahen të dhëna të përgjithshme që lidhen me statusin civil dhe shkollën e detyrat që ka pasur, si dhe deklarime specifike mbi pjesëmarrjen ose jo në organizata politike dhe dënimet e autoriteti që ka dhënë dënimin, në se ka marrë. Pasqyra është një lloj “certifikate e sigurisë politike”, pasi duhet të shoqërohet me një deklaratë, ose fletë-garanci, nënshkruar nga të paktën dy persona, që dalin garant dhe vërtetojnë se personi në fjalë “është person i ndershëm e nacionalist, i cili nuk merret me rryma politike internacionale”. Abdurahman Buza dhe Lasgush Poradeci, të dy mësues në shkollat e mesme të Tiranës, kanë plotësuar pasqyrat e kërkuara, ndërsa garantë për “pastërinë politike” të Gabriel Meksit, profesor në Liceun e Tiranës, janë Hysni Babameto dhe Sotir Papalite.

Deklaratë, datë 21.1.1944

Të nënshkruemit Hysni Babameto, drejtor i Institutit Femëror “Vatra Shqiptare”, Sotir Papalite, profesor, vërtetojmë nën përgjegjësinë tonë personale se, Gabriel Meksi, me cilësi “Profesor në Liceun e Tiranës”, është person i ndershëm, nacionalist, i cili nuk merret me rryma politike internacionale. Garantohemi për sjelljen e tij.

 

Foto kryesore: Faksimile e librezës së jetëshkrimit të nëpunësit të shtetit, Dhimitër Fullani.

Foto e dytë: Pasqyrë mbi gjendjen e mësuesve Abdurahman Buza dhe Lasgush Poradeci

Foto e tretë: Faksimile e një pjese të deklaratës për për “pastërinë politike” të Gabriel Meksit, profesor në Liceun e Tiranës, nënshkruar nga Hysni Babameto dhe Sotir Papalite.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.