Jesolo, aty ku turizmi është shndërruar në art Nga Valbona Nathanaili

Jesolo, aty ku turizmi është shndërruar në art

Nga Valbona Nathanaili

Është vera e dytë që kalojmë pushimet në Jesolo, një zonë e vogël dhe e mrekullueshme turistike pranë Venecias, buzë detit Adriatik. Vjet u bë shkak një nga të njohurit tanë – nipi i tij, i cili sikundër edhe 200 shqiptarë të tjerë, punon në një nga hotelet e qytetit. Mbas një takimi të rastësishëm, të prekshëm sikundër jemi të gjithë për emigrantët tanë, biseda u zhvillua kryesisht rreth punës, vendit, njerëzve, kushteve në anën tjetër të Adriatikut. Dhe çdo përgjigje e tij, gjithmonë shoqërohej me një “uhahu” admiruese nga ne: ka shumë turistë, kryesisht gjermanë e rusë, njerëzit janë shumë të mirë dhe i duan shqiptarët, mjedisi është i shkëlqyer, ushqimi i gatuar me finesë dhe kryesisht kuzhinë e vendit, pastërti dhe kulturë, ka shumë vende të tjera, përveç plazhit, që mund të shihen dhe argëtime që mund të ndiqen, bëjnë turizëm prej afro 70 vjetësh. Këtej natyrshëm lindi ideja: për pushime në Jesolo?

Fillimisht ishim në mëdyshje. Arsyeja kryesore ishte thjesht sepse qyteti gjendet buzë detit Adriatik dhe, sa herë përmendet ky det, e shoqërizoj me plazhin e Durrësit, ku të sheh syri vetëm rrëmujë dhe nuk funksionon asnjë rregull, përpos zhurmës që nuk të ndahet nga mëngjesi në darkë, në kundërshtim të plotë me synimin për të pushuar. Të mos flasim për mungesën e ujit dhe të energjisë elektrike! Ka vite që shkojmë në plazhin e Durrësit vetëm gjatë periudhës së dimrit, kryesisht për ndonjë drekë me bazë peshku dhe shëtitje të shkurtër buzë detit. Dhe nuk mendoj se jemi të vetmit! Duke pasur në mendje Adriatikun tonë, të paktën edhe për 20 vitet e ardhshme deti Adriatik përjashtohej nga opsionet e pushimeve. Por kurrë mos thuaj kurrë, thotë populli. Kështu shmangëm detin Jon dhe Jugun e Shqipërisë, dashurinë tonë pothuaj të vetme për pushime verore, hapëm hartat dhe kërkuam opsione shtesë për në Jesolo: Venecia dhe ishujt që e rrethojnë si dhe udhëtimi me makinë gjatë gjithë vijës Tiranë-Budva-Dubrovnik-Rijeka-Trieste-Jesolo i shtuan opsionet pro idesë fillestare dhe e zhvendosën përgjigjen drejt po-së. Sivjet jo vetëm që ishim nismëtarët për t’u kthyer përsëri në Jesolo, por shtuam edhe numrin e njerëzve që u bashkuan me ne për këto pushime speciale.

Jesolo – pushime speciale

Jesolo është një qytezë e vogël turistike me një vijë bregdetare afro 13 km dhe me jetë sezonale, nga prilli deri në tetor. Pushimet që të ofrohen janë ato klasike: rërë, diell, det plus komoditet dhe aktivitete. Kohë më parë – flasim për periudhën para viteve ’90, kur pushimet e pothuaj të gjithë tiransve vërtiteshin rreth plazhit të Durrësit, u fol se plazhi do të mbyllej se është ndotur – një pjesë e mirë e kanalizimeve të ujrave të zeza e të bardha që në atë kohë përfundonin në det. Në Jesolo është ndryshe: shfrytëzimi i mirëfilltë i plazhit daton që para Luftës së Dytë Botërore dhe përsëri deti është i pastër dhe rëra kristal. Benvenuti in Jesolo, vendi ku më shumë se natyra të mahnit këmbëngulja për shndërrimin e një natyre të zakonshme plazhi në një oaz të mrekullueshëm pushimi e argëtimi!

Brezi i rërës, i pastër dhe i nxehtë, shtrihet deri në një thellësi të caktuar dhe ruhet me fanatizëm. Tabela të ndryshme tregojnë se cila pjesë u takon hoteleve dhe cila pushuesve ditorë që janë të shumtë – për pushuesit ditorë dhe banorët e qytetit është gjithë brezi ranor që fillon nga bregu deri në një thellësi prej afro 15 metrash, ndërkohë që është shumë e thjeshtë të depërtosh nga rruga për në buzë të detit, pavarësisht faktit se plazhet u takojnë hoteleve private; aksesorët e plazhit janë të mirëllogaritur e të vendosur në vendin e duhur: çadra, shezlongë, banja publike, dushe e kioska të vogla për t’u freskuar, ngrënë diçka të thjeshtë apo për të pirë ndonjë kafe speciale. Qetësia është absolute: ndonëse plazhi është i mbushur plot e përplot të duket sikur je vetëm ti! Qetësinë e thyen herë pas here, ose zëri i altoporlantit që lajmëron aktivitetet e shumta që zhvillohen mbasdite vonë apo thërret emrin e ndonjë fëmije që për pak minuta i ka humbur syve e vëmendjes së prindërve, ose afrikanët që, ndryshe nga altoporlanti, me gjysmë zëri dhe të ngarkuar me produkte të ndryshme, përpiqen të të shesin mallra “firmato” me çmime qesharake, për shembull një çantë prada, një peshqir a shall valentino për 10-15 euro. Sigurisht që nuk duhet të gënjeheni dhe të blini – thjesht nuk janë cilësorë, sado të bukur të duken dhe tundues të jetë çmimi – nuk rrojnë më shumë se 4 muaj. Shmangni edhe masazhatoret e ashtuquajtura japoneze ose tajlandaze! Mos i shihni në sy kur kalojnë pranë jush dhe të jeni të sigurt që nuk ndalojnë, për më tepër, qyteti nuk i nxit shitje të tilla dhe ka filluar një fushatë ndërgjegjëzimi.

Nuk e di nëse një pushues gjerman kërkon në një plazh dhe vlerëson si pozitive po ato gjëra që kërkoj edhe unë, për të konkluduar në “pushime klasike perfekte”! Por, e vetmja gjë që më dallon besoj nga ta është se jetoj në anën tjetër të të njëjtit det, kam bërë 1150 km për të mbërritur deri atje dhe refuzoj të bëj plazh, ose të shpenzoj paratë e mia, në “detin tim”, nga i cili më ndajnë vetëm 38 km! Sigurisht, jo për mungesë patriotizmi! Sjell ndër mend një kushërirën time që ka blerë shtëpi në “plazhin” e Durrësit dhe që për të dalë në plazh ka vetëm dy variante: ose të bëjë me kilometra rrugë në kërkim të një plazhi publik (?), ose të qëndrojë e ulur në rrugicën e vetme publike, pingul me vijën bregdetare, që ndan dy plazhe private, 1.5 metra e gjerë. Nuk shtrihet dot pasi është më e gjatë se 1.5 metra dhe i bie që, ose koka, ose këmbët, të shkojnë në plazhin privat, por që gjendet gjithmonë ndonjë që s’di të flasë as shqip që ta kujton se po shkel në pronë private dhe të çohesh sa më shpejt, ndryshe …! Sigurisht që nuk jam kundra pronës private, por mënyrës se si administrohet “prona publike” që, edhe buzë detit ku ke vajtur për t’u shplodhur, të kujton mbrapshtësinë e gjërave të vendit ku jeton dhe të njerëzve që drejtojnë.

Zona që bëhet plazh nga zona ku fillojnë hotelet ndahet nga një rrugicë afro 3 metra e gjerë, e shtruar e tëra me pllaka, paralel me gjithë vijën bregdetare. Rrugica frekuentohet që herët në mëngjes nga të apasionuarit pas vrapit ose ecjes. Përveç se e njëtrajtshme dhe e shtrirë në gjithë gjatësinë e plazhit, të tërheq vëmendjen emërtimi i saj, segmente-segmente, sipas disa prej artistëve bashkëkohorë më të njohur italianë, një lloj mirënjohje për punën e veprën e tyre dhe që qyteti i fton çdo vit për të kaluar pushimet. Iniciativa zë fill më 2001, mbas ristrukturimit të plotë të saj, si dhe falë largpamësisë së presidentit të asaj kohe për promovimin turistik të qytetit, z. Amorino de Zotti. Rrugica u quajt “Lungomare delle stelle”, e ngjashme pak a shumë me “Walk of fame” në HollywoodNë të kanë arritur të gdhendin emrin e tyre Gina Lollobrigida, Alberto Sordi, Mike Bongiorno, Carla Fracci, Nancy Brilli,Christian de Sica, Andrea Bocelli, Katia Ricciarelli, Mara Vernier, Lino Banfi, Sophia Loren e Umberto Veronese.  Sivjet i ftuari i nderit ishte Alessandro del Piero dhe shumë shpejt është edhe ceremonia e inagurimit të segmentit të “lungomare”s- që do të mbajë emrin e futbollistit të njohur. Kërkova të kujtoja ndonjë iniciativë të ngjashme të ndërmarrë edhe në plazhin në anën tjetër të Adriatikut, por në mend sillja Kalin e Trojës, peskavica maqedonase dhe fërgesë tirone …

Çdo gjë duket e mirëmenduar dhe e studiuar. Për të rritur jo vetëm cilësinë e jetës, por edhe të peisazhit ekonomiko-mjedisor si dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm, si një të tërë të qytetit, më 1993 qyteti ftoi një nga urbanistët më të njohur të kohës, Kenzo Tange, që njihet edhe si projektuesi i Japonisë moderne, për të dhënë vizionin për të ardhmen e qytetit dhe për të hartuar masterplanin e tij – informacion që gjendej në ekspozitën fotografike rreth historisë së qytetit të hapur në një nga mjediset e dy kullave që gjenden në “Piazza Drago”.

Hotelet janë nga 2-6 kate dhe me shumë mundësi zgjedhjeje: me vetëm mëngjes, me mëngjes e darkë ose pension i plotë. Kryesisht janë hotele me 3 dhe 4 yje dhe çmimet për “all inclusive” variojnë nga 56 euro/person deri në 165 euro ose më shumë  per person.

Qyteti përshkrohet mespërmes nga një rrugë me trafik të kufizuar gjatë ditës dhe që gjatë mbasdites deri në darkë vonë mund të kalojnë vetëm këmbësorë. E gjithë rruga rrethohet nga dyqane pa fund dhe në sheshet e shumtë zhvillohen aktivitete, koncerte e panaire. Një nga panairet më të bukur me prodhime bio është ai i “Levandës” (bimës me emrin latin lavandula), që zhvillohet për dy-tre ditë në fund të korrikut. Mos humbisni rastin ta vizitoni! E mira është në diellin e pasdites, pasi panorama është shumë e bukur, e përbërë nga vetëm dy ngjyra: e bardha dhe lejlaja, dhe një aromë e jashtëzakonshme që ndjehet që nga larg, por mos përjashtoni edhe mundësinë e blerjes së një a dy produkteve, veçanërisht një lloj vaji erëmirë që prodhojnë për duart.

Rruga ka një bukuri të veçantë dhe merr  nuanca të ndryshme gjatë ditës. Në mëngjes herët – deri në ora 8.00, është shumë e qetë. Qyteti zgjohet vonë! Pothuaj të gjithë dyqanet janë të mbyllur, me përjashtim të disa kafeneve dhe dy librarive që shesin vetëm gazeta në këtë orë të ditës. Kafja është një nga kënaqësitë e mëngjesit – të shijon çdo gllënjkë e saj! Çmimet e kafes variojnë nga 1-2 euro. Edhe dreka e rrugës, nga ora 12.30-16.00 është shumë e qetë dhe me ngjyra të mrekullueshme. Duket sikur çdo gjë merr dritë e shkëlqen. Pothuaj të gjithë dyqanet mbyllen. Shëtitja me biçikletë në këtë orë të ditës është një nga kënaqësitë që nuk duhet humbur. Çdo hotel ka biçikletat e veta që i vë në dispozicion të pushuesve pa pagesë dhe është një mënyrë shumë e mirë jo vetëm për të shëtitur gjithë qytetin, por edhe për të kontrolluar disi kaloritë e një dreke të bollshme ose për të shmangur dembelinë e pasdrekës. Një mundësi për të shëtitur dhe njëkohësisht për të bërë pak sport në këtë orë të ditës është edhe marrja me qira e një lloj karroceje që pedalohet nga 4-6 persona, me një çmim për 8-10 euro/gjysmë ore deri në 17 euro/orë. Darka është finalja e një dite të zakonshme plazhi: fillon kryesisht pas orës 20.00 dhe zgjat deri vonë pas mesnate. Të gjithë në rrugë! Shëtitja e zakonshme që një herë e një kohë tek ne bëhej buzë detit, në Jesolo bëhet në atë rrugë të bukur, ndërkohë që mund të zgjedhësh për të pirë diku një birrë, për të shijuar një akullore, për të parë një koncert ose për të vizituar ndonjë nga ekspozitat e shumta që hapen në qytet, që nuk duhet lënë pa përmendur edhe ekspozita e skulpturave të rërës, çdo vit me një tematikë të veçantë. Besoj se është një nga pedonalet më të bukura që kam parë ndonjëherë. Sipas nuses së pronarit të hotelit ku qëndronim, në atë pedonale shëtisin çdo vit afro 25 milionë turistë. Ndërkohë bëni kujdes me dyqanet që gjenden në buzë të rrugës dhe mos i shpenzoni të gjitha paratë, pasi një variant shumë më i mirë për të bërë shopping është uotlet-i që gjendet vetëm pak kilometra larg Jesolos, përgjatë autostradës Venecia-Trieste (A4), hartën e të cilit mund ta gjeni pranë çdo hoteli: me çmime të mira dhe shumë cilësore, veçanërisht nëse pazarin e vitit e keni lënë për aty.

Një nga argëtimet më të bukura është vizita në Venecia dhe dy ishujt pranë saj: Murano dhe Burano, i pari për kryeveprat e punimit të qelqit dhe i dyti për qëndismat karakteristike. Venecia është një përrallë më vete. Të duket sikur kthehesh prapa në kohë dhe jeton në vitet 1800. Në çdo çast ka diçka që duhet parë e që të tërheq vëmendjen, që do ta marrësh me vete si kujtim: një maskë veneciane, një shëtitje në sheshin San Marco dhe në Ponte Rialto, një foto ku në sfond është ura e psherëtimave, pallati dukal, gondolat … Të gjitha lëvizjet bëhen nëpërmjet trageteve të vegjël – autobuzët e linjës. Sa shumë vizitorë! Sa shumë para që shpenzohet nga turistët në atë qytet!

Rruga  

Në Jesolo mund të shkohet me avion ose me makinë. Varianti i parë është i shkurtër dhe shumë komod. Në këtë rast shfrytëzohet aeroporti i Venecias dhe më tej zgjidhet me autobus ose me mjete të tjera transporti. Ka vetëm vështirësinë që gjatë ditëve të pushimit lëvizjet do jenë të kufizuara, ndonëse në qytet është linja e autobuzëve dhe funksionon edhe shërbimi taksi. Personalisht preferoj variantin me makinë. Në vajtje ja vlen të nisesh një ditë më parë dhe të shmangësh autostradën – është më gjatë por me një natë fjetje sa më afër Rijekës rikuperon energjitë dhe lodhjen, për më tepër e gjithë rruga është shumë e bukur, veçanërisht nëse e ke për herë të parë. Në kthim është mirë të merret autostrada, në të cilën futesh pothuaj sa del nga Jesolo dhe shkon pothuaj deri në Dubrovnik. Një rrugë e shkëlqyer. Por shmangni sa më shumë qëndrimet dhe kontaktet në Kroaci: njerëzit janë të pasjellshëm dhe aspak të gatshëm të ndihmojnë turistët; nuk ofrojnë asnjë shërbim me euro – të tregojnë gjithmonë derën, që do të thotë se duhet të shkosh në change dhe hajde të gjesh ndonjë. Kini kujdes edhe me policinë rrugore – janë më keq se këtu te ne. Sapo kishim kaluar Dubrovnikun dhe po merrnim një të tatëpjetë të vogël – në pesë automjete që ishim në radhë dhe në distancë konstante nga njëri-tjetri për minuta të tëra udhëtim, na ndalën vetëm ne që ishim diku në mes dhe me targa të huaja. Biseda me policët mund të përmblidhet pak a shumë kështu: 30 euro gjobë sepse jeni me shpejtësi. Me çfarë shpejtësie? 53 km/orë. Pse nuk i ndalni edhe makinat e tjera? Nuk kuptojmë anglisht. Dhe gjoba duhet paguar te polici, në dorë! Një vend që ka hyrë në Europë! Policët të kujtonin krejtësisht policinë tonë: kishin zënë “pusi” me një makinë civile në një vend pothuaj të padukshëm nga rruga dhe me matësin e shpejtësisë brenda në makinë ndalnin kë t’u tekej. Më shumë se për të qarë, ishte për të qeshur. Pak a shumë i njëjti problem edhe në supermarket: asnjë nuk flet anglisht dhe krejtësisht indiferent kundrejt çfarëdo kërkese që mund të kesh si i huaj – po flasim në shkëmbim të parave! Kujtoj sa të sjellshëm jemi ne si komb, veçanërisht kur kemi të bëjmë me të huaj: çfarë të duhet, do të flasësh në telefon? Fol nga telefoni im sa të duash. Do të shkosh në filan vend, të çoj unë! Jo, në Kroaci nuk dëgjoje asgjë të tillë. Kur kërkoje të bleje me euro sikur lypje lëmoshë dhe do të ta falnin.

Udhëtimi i kthimit zgjat minimalisht 15 orë, por mos harroni të llogarisni edhe kalimet kufitare – janë plot katër shtete që kalohen: Italia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia përsëri, Mali i Zi dhe, së fundmi, në mëmëdhe. Një përvojë e bukur!

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.