Indeks i disa koncepteve në psikologji

Indeks i disa koncepteve në psikologji

Nga Eni Qirjako

Afekt: Psikanaliza ka qenë në fillimet e saj një teori e afektit, e cila u konceptua më pas si një teori instiktesh (drive-theory). Afekti, në fakt, ndeshet në shumë literatura dhe kuptimi që ka marrë me kalimin e kohës ka të bëjë me fuqinë primare motivuese, e cila ndihmon në formimin e marrëdhënies midis individëve, ndërsa në fëmijëri ndihmon në proceset e atashimit, duke formuar kështu tek individi në zhvillim, sinjale komplekse sociale dhe intrapsikike.

Aleancë terapeutike: Aleanca psikoterapeutike ka të bëjë me vendosjen e një lidhjeje mendore dhe emocionale midis terapistit dhe pacientit/ klientit, e cila ndihmon të dyja palët në zgjidhjen e dinamikave brenda procesit terapeutik. Nëse ajo vendoset sipas standardeve të terapisë dhe është aleancë e mirë, ndihmon terapistin të kuptojë sa më qartë botën e pacientit, kurse pacientin e ndihmon të hapet në procesin terapeutik dhe mos të ngrejë mekanizma mbrojtës.

Ambivalencë: Ambivalenca është një koncept i cili u fut për herë të parë në fjalorin teknik të psikologjisë nga Bleuler, më 1910. Ajo si fillim personifikonte një simptomë bazë të skizofrenisë dhe nënkuptonte një formë afektive(përzierja e njëkohshme e ndjenjave të këndshme dhe të pakëndshme me një imagjinim të momentit), një formë konjitive (shprehja e njëkohshme e dy fjalive kontradiktore me njëra-tjetrën) dhe një formë mbivendosje dëshirash(ambitendenca). Në literatura të tjera përdoret thjesht si mundësi për të provuar në të njëjtën kohë dhe në një situatë të caktuar dy ndjenja të kundërta.

Amplifikim: Amplifikim rrjedh nga latinishtja dhe do të thotë zgjerim apo përshpejtim i një procesi. Ky është një term teknik që, për çdo fushë, merr kuptimin e tij. Në psikanalizë ai u përdor si metodë për të zgjeruar fushëpamjen e përmbajtjes së traumës apo traumave, kryesisht duke përdorur imazhe pamore ose figura mendore.

Anhedoni: Koncepti i anhedonisë vjen nga greqishtja dhe nënkupton një gjendje pa prezencën e kënaqësisë apo dëshirës. Është një simptomë e shpeshtë e shumë çrregullimeve psikologjike, si për shembull depresioni, psikozat, pjesërisht dhe e çrregullimit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit.

Animizëm: Një sistem që çdo gjë e quan me shpirt, me lëvizje. Është një prirje e njeriut për t`i veshur një qëllim çdo ngjarjeje.

Ankth: Ky koncept u pasqyrua në mënyrë shumë interesante në librin e Freud (1926b) “Hemmung, Symptom und Angst” (Frenimi, simptoma dhe ankthi). Ai përdori në këtë vepër teorinë e Signalangst (sinjalet e ankthit ¹), teori e cila diferencon gjithë llojet e situatave të rrezikshme si dhe përmbajtjet e anktheve. Uni kërkon të vetmbrohet duke ngritur kështu Sinjale Ankthi, të cilat aktivizojnë procese mbrojtëse.

Asosacion: Lidhje e brendshme, e vetvetishme e ideve.

Bihejviorizëm: Bihejviorizmi është një drejtim psikologjik, i cili bazohet tek vëzhgimi objektiv i sjelljes së shfaqur.

Ciklotimi: Çrregullim i cili shoqërohet nga gjendje si ato manjakale apo depresive, në formën e luhatjeve të humorit për një periudhë kohore të paktën 2 vjeçare.

Çështje e hapur Diçka e mbetur peng, e pazgjidhur ende, e cila persiston si problematike dhe në të tashmen.

Çrregullim disociativ Çrregullime disociative janë ato çrregullime që sipas ICD-10 kodohen nën kodin F44, ndërkohë që DSM-IV ka nevojë për përcaktimin e dy ose më shumë gjendjeve të personalitetit dhe identitetit për të vendosur nëse kemi të bëjmë me një çrregullim disociativ.

Çrregullim psikosomatik: Çrregullimet psikosomatike janë një formë komplekse bashkëdiagnozash mes çrregullimeve psikike dhe atyre fizike.

Çrregullime të të menduarit Çrregullime të të menduarit janë shpesh simptoma të patologjive nga grupi i psikozave. Çrregullimet e të menduarit ndahen në ato formale dhe atë të përmabajtjes. Të parat lidhen me formën e të shprehurit, ndërsa të dytat me përmbajtjen e gabuar ose të deformuar të të imagjinuarit, analizuarit, etj.

Depersonalizim Depersonalizimi është humbja, ose ndryshimi i gjendjeve të mëparshme të gjendjeve natyrale të personalitetit dhe gjendjeve emocionale. Gjendja e depersonalizuar ka të bëjë me një tuhajësim të vetes. Shpesh me këtë koncept kihet parasysh dhe një çrregullim psikologjik, kodimin e të cilit po e japim më poshtë.

Depresion Kuptimi i depresionit vjen nga latinishtja dhe nënkupton një gjendje shtypjeje. Në psikologji ai është një prej çrregullimeve nga grupi i çrregullimeve afektive.

Derealizim Derealizimi ose përjetimi i derealizimit ka të bëjë me një ndjesi tuhajësimi i botës përreth. Bota i duket individit si jo e sigurt pavarësisht se detajet e saj janë totalisht të padëmshëm.

Detashim Shkëputje të gjendjeve emocionale nga njëra-tjetra.

Eutim: Eutimia është një gjendje normale jo-depresive. Ajo është opozita e distimisë dhe dallohet nga euforia e cila nënkupton një gjendje tejet të lumtur.

Flashhback Flashhback- u është një simptomë e shfaqur kryesisht te çrregullimi i stresit post-traumatik dhe konsiston në rishfaqjen e imazheve nga e kaluara, të cilat automatikisht risjellin dhe gjendjet emocionale të përjetuara në këtë të kaluar me përmbajtje kryesisht traumatike.

Geshtalt Ky koncept rrjedh nga gjermanishtja dhe nënkupton një plotshmëri, formim, gjendje. Në bazë të këtij koncepti Perls ngriti teorinë e geshtaltit dhe më pas terapinë geshtaltiste. Geshtalti ka një lidhje të drejtpërdrejt me teorinë psikanalitike. Ashtu si në shumë shkolla të tjera, edhe konceptet e reja në këtë teori kanë të bëjnë me mënyrën se si çështje apo konflikte specifike në jetën e individit ngelen pezull dhe kanë nevojë të mbyllen apo të zgjidhen.

Gjendje transi: Gjendje në të cilën individi nuk është i vetëdijshëm për atë që bën. Pas daljes nga kjo gjendje individi nuk mban mend më asgjë nga ato që mund të ketë thënë apo bërë nën gjendjen e transit. Gjendja e transit shpesh arrihen nën efektin e substancave dhe nëse nuk është arritur nën efektin e substancave shkaktohet nga black-out i përcjelljes së informacionit ndërneuronal.

Hipnoterapi: Përdorimi i hipnozës për qëllime terapeutike.

Imazh mendor: Përkthimi ose pasqyrimi i një stimuli të jashtëm në një formë të përbrendësuar mendore.

Kinestetike: Perceptimi i lëvizjes me anë të shqisave.

Kohezion: Ruajtja e grupit (bisedës, gjendjes mendore, gjendjes emocionale) në të njëjtin nivel dinamik.

Kompetenca sociale: Aftësia e individëve për t`iu përshtatur situatave specifike dhe për t`iu përgjigjur atyre në mënyrë të përshtatëshme.

Konjitivizëm: Rrymë e psikologjisë e cila vë theksin tek proceset e të menduarit.

Mekanizëm mbrojtës: Koncept i përdorur nga Freud për të treguar rolin e ndjenjave dhe afekteve në përcaktimin e një çrregullimi psikologjik (krh. Die Abwehr-Neuropsychosen, 1894a).

Mendime irracionale:Mendime jo në përputhje me situatën dhe të cilat e shtrembërojnë reagimin e individit ndaj ambientit, vetes dhe të tjerëve.

Modeli SORK: Model i bazuar te kushtëzimi operant.

Paradigëm: Është një shembull thelbësor nga i cili mund të ngresh një hipotezë apo teori.

Psikanalizë: Rrymë filozofike e themeluar nga Freud dhe nën ndikimin e Bleurer, nga e cila rrodhën teknika psikoterapeutike të cilat vinin theksin në eksplorimin e konflikteve të mbartura nga e kaluara.

PTSD: Çrregullimi i Stresit Posttraumatik (nga anlishtja, posttraumatic stress disorder). Ky çrregullim shfaqet kur individi i është ekspozuar një ngjarjeje traumatike dhe:

1) personi përjetoi, vëzhgoi ose u konfrontua me disa ngjarje, të cilat kërcënuan atë me vdekje ose dëmtim trupor, ose rrezikuan integritetin e tij e të personave të tjerë prezent.

2) personi reagoi me frike intensive, pashpresshmëri dhe tmerr.

Rrafshim emocional: Paaftësi për të patur reagueshmëri emocionale ndaj ambientit të jashtëm.

Situatë ruajtëse: Situatë e cila ka shërbyer për të mbajtur aktive patologjinë e një individi.

Skemë emocionale: Reagimi tipik emocional në një situatë të caktuar, situatë kjo e cila mund të jetë ripërsëritur disa herë gjatë jetës së një individi, duke shkaktur çdo herë të njëjtën reagueshmëri.

Somatizim: Somatizime janë simptomat në nivelin trupor që përfshijnë irritueshmëri të lartë, hipervigjilencë, frikë në rritje ndaj ambjentit të jashtëm, nervozitet dhe çrregullim të gjumit.

Teknikë: Formë ushtrimore e një baze teorike me qëllim praktik, terapeutik, me anë të të cilës arrihen ndryshime në konjicion, emocion dhe sjellje.

Tërheqie sociale: Prirja e individit për t`u izoluar.

Traumë: Fjala traumë e ka prejardhjen nga greqishtja “τράυμα“ dhe që do të thotë plagë, e cila mund të jetë fizike, psikologjike, shpirtërore.

¹ Gjuha gjermane ka bashkime fjalësh, kuptimi i të cilave ndryshon në përkthimin e shqipes duke qene se rregulli gramatikor që e lejon këtë bashkim nuk është i njëjtë për të gjitha gjuhët. „Signalangst“ do mund të përkthehej sipas rregullit të shqipes „ankthi-sinjal“, përkthim ky që nuk mund të kryhet pasi koncepti i mbartur nga gjermanishtja nënkupton „sinjale fillestare të gjeneruara përpara një gjendjeje ankthioze“.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.