Imitimi shoqëror

Imitimi shoqëror

Elements of Sociology (1913) Autor Franklin Henry Giddings

Ne imitojmë njëri-tjetrin sepse aparati ynë nervor është kaq i organizuar sa çdo imazh, tingull ose prekje përfundon në lëvizje muskulore. Këto të fundit, nga forca e zakonit, kanë krijuar një lidhje të ngushtë me një stimul të tillë. Për shembull, nëse e shihni mikun tuaj teksa zgjat dorën për të marrë një gotë uji, shanset janë që edhe ju të zgjasni dorën për të marrë gotën e ujit që keni pranë, për aq kohë sa nuk reshtni së menduari këtë gjë dhe nuk e përmbani veten me qëllim. Pra, me përjashtim të rasteve kur ne e përmbajmë veten qëllimisht dhe këtë nuk e bëjmë, nëse veprimi i imituar është i këndshëm, ne imitojmë dhe ky imitim është rruga drejt mirëqenies. Në rastin e fundit ndërgjegjja jonë do të përforcojë tendencën për të imituar dhe ne qëllimisht do të përsërisim veprimet tona dhe ato të një tjetri vazhdimisht. Në këtë mënyrë, imitimet e ndërgjegjshme bëhen në miliona njerëz dhe mund të ruhen për mijëra vjet. Civilizimi modern është imitimi i vazhdueshëm i Romës dhe Greqisë. Ky imitim u soll në Evropën gjermanike nga Charlemagne,  udhëtoi për në Angli nëpërmjet Uilliam Pushtuesit dhe arriti deri në Amerikë nga Kolombi. Tani po përhapet nga kombet e Evropës dhe Amerikës në Azi, Afrikë, Australi dhe Oqeani.

Megjithatë, jo të gjitha imitimet mbijetojnë përgjithmonë. Imitimet e shembujve kanë si synim që të arrijnë nëpërmjet metodave të jashtëzakonshme që të kapërcejnë ose të kombinojnë imitimet e rralla. Për këtë arsye, në çdo komb dhe në çdo nënndarje lokale të një popullsie kombëtare disa zakone, si zakonet në të ngrënë, në të veshur dhe në argëtim, praktikisht, në atë vend janë universale, por nuk mund të gjenden në vende të tjera të botës. Për këtë arsye, në çdo popullsi mund të vërehet një përafrim i përgjithshëm ndaj disa lloj veprimesh, shprehjesh dhe karakteresh të qëndrueshëm. Ky është procesi shoqërizues në formën e tij më të brishtë dhe efikase. Ky i shkrin elementët e ndryshëm të popullsive më heterogjene në një tip homogjen. Ai krijon një gjuhë të përbashkët, modele të përbashkëta mendimi dhe standarde të përbashkëta jetese. Duke shkatërruar apo duke zbutur shumë ndryshime origjinale në gjuhë, besim dhe praktikë, procesi shoqërizues nxit martesën jashtë fisit. Këto ndikime do të asimilojnë gradualisht të gjithë elementët jo vendas në popullsinë e Shteteve të Bashkuara, në një model të qëndrueshëm amerikan.

Qëndrueshmëria e konfliktit

Gjithsesi, imitimet nuk janë asnjëherë të përsosura. Shembulli ose kopja nuk riprodhohet asnjëherë në mënyrë të përsosur. Si pasojë, ashtu siç përhapet çdo veprim, ose zakon, nga personi në person dhe nga grupi në grup, forma e tij ndryshohet në njëfarë shkalle, siç ndryshon dhe një histori kur kalon gojë më gojë nga një person tek tjetri. Kështu ajo bëhet kaq e ndryshme nga versioni origjinal, saqë personi që e ka thënë në fillim, vështirë se e dallon. Prandaj, imitimet kanë tendencë të shumëfishohen dhe të reduktohen në mënyrë që të diferencohen. Për këtë arsye, në çdo shoqëri mund të lindë një konflikt imitimesh. Kur kjo ndodh, shoqërohet me një nga dy rezultatet e mundshme. Nëse imitimet konfliktuale janë kontradiktore, njëra prej tyre duhet t’i hapë rrugë tjetrës. Por, nëse ato mund të kombinohen, rezultati mund të jetë totalisht një formë e re aktiviteti, më saktë, një shpikje. Konflikti më i rëndësishëm i imitimeve është ai midis imitimeve të gjërave të vlerësuara prej vjetërsisë që kanë dhe imitimit të risive. Llojin e parë të imitimit e quajmë traditë, ndërsa të dytin e quajmë modë. Ndonjëherë imitimet e traditave e kapërcejnë modën, ndonjëherë, moda e kapërcen traditën.

Si pasojë, ndërkohë që imitimi në tërësi e zbut konfliktin dhe i asimilon elementët e ndryshëm të një popullsie, ndonjëherë, ai vetë bëhet shkak për një konflikt të ri dhe pengesë për asimilim. Pra, pavarësisht motiveve shoqërizuese, në një popullsi mbeten përsëri shkaqe të qëndrueshme të formave konfliktuale që janë edhe më seriozet.

  • Sigurisht, në fillim vijnë instinktet e pushtimit, të cilat mbahen gjallë nga nevoja për të ruajtur vetveten nga shkatërrimi, si dhe instiktet e agresivitetit, që shoqërojnë ato individë dhe popullsi që zhvillohen më shpejt se të tjerat dhe që mbahen gjallë nga instinkte të kundërta nga ato të ruajtjes së vetvetes. Sa herë që një civilizim përballet me egërsinë, ose sa herë që një civilizim i ri dhe në rritje e sheh veten të kundërvënë nga një civilizim i vjetër dhe në rënie, kemi antagonizëm.
  • Së dyti, ekzistojnë dallime të hershme në natyrë dhe zakone të cilat nuk janë shkrirë ose neutralizuar, ende, nga procesi i asimilimit.
  • Së treti, janë ndryshimet dytësore që lindin vazhdimisht gjatë konflikteve të imitimit.

Këtyre u duhen shtuar shkaqet e rastësishme që në momente të caktuara kanë ndikime negative të jashtëzakonshme. Të tilla mund të jenë mbarimi i rezervave ushqimore, si për shembull, gjatë një zie buke; një fatkeqësi e rastësishme, si: përmbytja ose murtaja, e cila i demoralizon njerëzit me frikë dhe shkatërron simpatinë dhe vetësakrificën duke lënë vetëm instinktet kafshërore të vetëmbrojtjes gjatë veprimtarisë së tyre.

Toleranca subjektive

Duhet thënë se këto devijime të vogla nga toleranca, nuk janë të dëmshme. Shkaqet që bëjnë të mundur tolerancën kanë si tendencë ta përdorin atë pas çdo dështimi. Bashkëpunimi me tendencën e konfliktit parësor për të mundësuar një ekuilibër force, nxjerr në pah një dëshirë të ndërgjegjshme për ndreqjen e mosmarrëveshjes. Shoqërizimi e ka pasuruar mendimin dhe karakterin. Prej tolerancës, si një fakt objektiv, ka lindur dhe ideja për tolerancë si një gjest falës, si dhe dëshira për ta ruajtur atë. Tashmë, ka ardhur në jetë një tolerancë subjektive.

 

Përmbajtja e librit 

Popullsia dhe shoqëria / Ku formohen grupimet e njerëzve / Si formohen grupimet e njerëzve / Përbërja dhe uniteti i një popullsie shoqërore / Aktivitetet praktike të qenieve shoqërore / Shoqërizimi / Bashkëpunimi / Kënaqësia shoqërore / Natyra shoqërore / Klasat e qenieve shoqërore / Klasa e lartë shoqërore / Mendja shoqërore: format e mentalitetit të njëjtë / Mentaliteti i njëjtë simpatizues dhe veprimi shoqëror impulsiv / Mentaliteti i njëjtë formal: tradita dhe rregullsia / Mentaliteti i njëjtë racional: opinioni publik dhe vlerat shoqërore / Organizimi shoqëror / Shoqëritë komponente / Shoqëritë përbërëse / Natyra dhe efikasiteti i organizmit / Historia e hershme e shoqërisë / Shoqëria fisnore / Civilizimi

 Foto kryesore: credit V. Nathanaili, Kampala, Uganda.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.