Ideja e drejtësisë Amartya Sen

Hyrje ose “Një qasje për drejtësinë” Nga Amartya Sen

Përkthyen Valbona Nathanaili, Tritan Verteniku

Rreth dy muaj e gjysëm përpara sulmit mbi Bastijën në Paris, që efektivisht shënoi fillimin e Revolucionit Francez, oratori dhe filozofi politik Edmund Burke, deklaroi përpara Parlamentit britanik, në Londër: ‘Ka ndodhur një ngjarje për të cilën është e vështirë të flitet dhe e pamundur të qëndrohet në heshtje’. Kjo ndodhi më 5 Maj 1789. Fjala e Burkes kishte nënkuptime të tjera, përveç sulmit të Bastijës. Rasti kishte lidhje me akuzat ndaj Warren Hastings, që në atë kohë komandonte fushatën në British East India, për vendosjen e rregullit britanik në Indi dhe që filloi me shënimin e fitores në betejën e Plassey (23 qershor 1757).

Kur akuzonte Warren Hastings, Burke i drejtohej ‘ligjeve të përjetshme të drejtësisë’ – të cilat sikurse Burke pretendonte – ishin ‘dhunuar’ nga Hastings. Pamundësia e të qendruarit në heshtje rreth një subjekti të caktuar është një fenomen që lidhet me shumicën e rasteve të padrejtësive të dukshme, të cilat na tërbojnë në mënyrë të atillë, sa vështirë të tregohet me fjalë. Akoma, çdo lloj analize ndaj padrejtësisë kërkon, patjetër, një artikulim të qartë dhe shqyrtim të arësyeshëm.

Në fakt Burke i gjeti fjalët e duhura duke folur me elokuencë jo vetëm për një veprim të gabuar të Hastings, por për shumë të tillë, gjë që vazhdoi me paraqitjen e mjaft arësyeve të qarta për akuzimin e Hastings dhe të natyrës së rregullit britanik në Indi:

  • Unë akuzoj zotin Warren Hastings për krime të rënda dhe sjellje të ulëta.
  • Unë e akuzoj në emër të gjithë popullit të Britanisë së Madhe të bashkuar në këtë Parlament, sepse ka tradhëtuar besimin e dhënë nga ky Parlament.
  • Unë e akuzoj në emër të gjithë popullit të Britanisë së Madhe, sepse ka njollosur nderin kombëtar që duhet ta mbronte.
  • Unë e akuzoj në emër të gjithë popullit Indian, sepse ka dhunuar ligjet e të drejtat e tij dhe sepse ka shkatërruar pronat e ka shkretuar krejt vendin
  • Unë e akuzoj në emër të ligjeve të përjetshme të drejtësisë – që i ka dhunuar.
  • Unë e akuzoj në emër të vetë natyrës njerëzore, të cilën e ka poshtëruar, plagosur dhe shtypur për të dy gjinitë e njerëzve, të çdo moshe, pozite dhe gjendje shoqërore e jetese.

Kuptohet që argumenti kryesor këtu është arsyeja për të akuzuar Warren Hastings dhe zgjidhja është duke i dhënë një grusht të fortë. Në të vërtetë, Burke paraqet një tërësi arësyesh të qarta për akuzën e tij dhe, sikundër do të shprehem më poshtë në këtë punim, përdor të ashtuquajturën ‘terren shumice’, që është përdorimi i linjave të ndryshme të dënimit pa kërkuar emërues të përbashkët të vlerave të tyre të afërta. Nënteksti në këtë rast është, nëse duhet të biem dakord, apo jo, për një linjë specifike censure të një konsensusi të arësyeshëm mbi diagnozën e një padrejtësie që duhet ndrequr sa më shpejt. Ajo që është e rëndësishme të vërehet këtu, si diçka kryesore për idenë e drejtësisë, lidhet me faktin se mund të kemi një sens të fortë padrejtësie në nivele të ndryshme dhe të mos biem dakord për një nivel të caktuar, si arësyeja mbizotëruese për diagnozën e padrejtësisë.

Ndoshta një ilustrim më imediat dhe më bashkëkohor i kësaj pikëpamje të përgjithshme mbi pasojat e përbashkëta, mund të jepet kur marrim në konsideratë një ngjarje të kohëve të fundit lidhur me vendimin e qeverisë së ShBA për sulmin ndaj Irakut në vitin 2003. Ka mënyra të ndryshme kur gjykohen vendime të këtij lloji, por çështja këtu qendron në mundësinë që një numër argumentesh të qarta e të larmishme të çojnë në të njëjtin konkluzion, – në këtë rast se politika e zgjedhur nga koalicioni i drejtuar nga ShBA për fillimin e luftës në Irak ishte e gabuar.

Nuk po komentoj këtu ashpërsinë faktike të pretendimeve të Burkes, por vetëm qasjen e tij të përgjithshme kur paraqet bazat e shumta për akuzën. Tezat e veçanta të Burkes rreth pabesisë personale të Hastings ishin deri diku jo shumë të drejta për Hastings. Për habi të madhe, Burke kishte mbrojtur më parë mashtruesin Robert Clive, i cili ishte më tepër përgjegjës për shkeljen e ligjeve në Indi në kohën e sundimit të Kompanisë – në një kohë kur Hastings u përpoq të kryente diçka për zbatimin e ligjeve dhe rregullit (si duke marrë masa njerëzore për administrimin e Kompanisë, gjë që ishte lënë krejt pas dore më parë). Unë i kam diskutuar këto ngjarje historike gjatë një fjale përkujtimore në London City Hall, me rastin e 250 vjetorit të betejës së Plassey (‘Importance of Plassey’), në qershor 2007. Leksioni u publikua në një version të gjerë si ‘Imperial Illusions: India, Britain and the wrong lessons’, The New Republic, December 2007.

Konsiderojini argumentet e ndryshme që janë paraqitur, secili me arsyen e tij, si kritika të vendimit për të luftuar në Irak.

  1. Së pari, konkluzioni se pushtimi ishte një gabim bazohet nga domosdoshmëria e një miratimi global, veçanërisht nga Kombet e Bashkuara, përpara se një vend të drejtojë ushtrinë e tij ndaj një vendi tjetër.
  2. Një argument i dytë lidhet me rëndësinë e të qenit të mirëinformuar, për shembull me faktin nëse kishte apo jo armë të shkatërrimit në masë në Irak përpara se të fillonte sulmi, pasi nëse do të kishte kjo do të shkaktonte shfarosjen ose largimin e shumë njerëzve.
  3. Një argument i tretë ka të bëjë me demokracinë si ‘qeveri nëpërmjet diskutimit (duke përdorur frazën e vjetër të John Stuart Mill, por që është përdorur më parë nga Walter Bagehot) dhe me përqëndrimin mbi rëndësinë politike që merr mosinformimi i duhur që iu servir njerëzve amerikanë duke thënë se Sadam Huseini kishte lidhje me sulmet e Al- Qaedas, gjë që e bëri më të vështirë vlerësimin e duhur të vendimit për fillimin e luftës.
  4. Argumenti i katërt e sheh problemin themelor ndryshe nga të tjerët që thamë më sipër, thjesht nga pasojat që vijnë pas ndërhyrjes ushtarake: a do të sillte paqe dhe rregull në vendin e pushtuar, ose në Lindjen e Mesme, ose në botë dhe, a do të mund të reduktonte rrezikun e dhunës globale dhe të terrorizmit apo do t’i shtonte më shumë ato?

Sigurisht që janë paraqitur argumente dhe në favor të pushtimit. Një prej tyre lidhej me besimin se Sadam Huseini ishte përgjegjës për terrorizmin e 11 shtatorit dhe një argument tjetër lidhej me supozimin se ai ishte i lidhur krejtësisht me Al- Qaedan. Asnjë nga këto nuk rezultoi i drejtë. Është e vërtetë që Huseini ishte një diktator brutal, por ka dhe shumë të tjerë të tillë në gjithë botën.

Të gjitha këto janë konsiderata serioze dhe përfshijnë preokupime të ndryshme vlerësuese.Për më tepër, asnjëra prej tyre nuk mund të cilësohet si e parëndësishme kur çmohen veprime të këtij lloji. Por, në përgjithësi, ato nuk të çojnë në të njëjtin konkluzion. Nëse thuhet, si në këtë shembull specifik, se të gjitha kriteret e qendrueshme të çojnë në të njëjtën diagnozë të një gabimi të madh, atëhere del qartë konkluzioni specifik pa patur nevojë për përcaktimin e prioriteteve relative që i shtohen këtyre kritereve. Reduktimi arbitrar i parimeve të shumta dhe potencialisht konfliktuale vetëm në një të tillë, duke i copëtuar të gjitha krieteret e tjera të vlefshme, nuk është në fakt parakusht për arritjen e konkluzioneve të shëndosha e të dobishme mbi atë që duhet bërë. Kjo zbatohet po aq shumë në teorinë e drejtësisë sa dhe në çdo pjesë tjetër të disiplinës së arësyes praktike.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.