I penguari Nga Valbona Nathanaili

I penguari

Nga Valbona Nathanaili

“Ca pika shiu ranë mbi qelq”. Kështu fillon një nga poezitë më të bukura të Ismail Kadaresë, shkrimtarit tonë të shquar, një nga më të lexuarit dhe, njëkohësisht, nga më të diskutuarit nga ne, bashkëkombasit e tij. Titulli i poezisë është “Mall”, por veçoj edhe një tjetër, në fakt shumë larg sfondit romantik të së parës, shkruar në një kohë dhe për një kohë që tani quhet “e kaluar” jo vetëm si koncept: “Mësueset e fshatit”. Njëzet vjet pas përmbysjes së asaj kohe dhe, ndoshta, tridhjetë ose më shumë vjet pasi janë krijuar, u rikthehem herë pas here dhe gjithmonë më duket sikur i lexoj për herë të parë. Por nuk mendoj se jam e vetmja. Nuk ka shqiptar, besoj, që nuk di të thotë të paktën disa vargje nga “Mall”, ose të mos bëj ndonjë vërejtje të bukur rreth shiut, sa herë bie shi, duke ju referuar pikërisht këtyre vargjeve; nuk ka mësuese që ka punuar në fshat në kohën e diktaturës, të mos e ketë lexuar të paktën një herë “Mësueset e fshatit”: “Në udhëkryqe, ndanë xhadeve/ ditët e shtuna dalin shpesh/ dhe zgjasin dorën nga makinat/ herë dy nga dy herë veç e veç …”

Në një Shqipëri në diktaturë, “midis dëshirës për të treguar dhe detyrimit për të heshtur”, (Ftesë në studio, 1990:135), Kadare zgjodhi të parën. Sigurisht që lista me krijimet e mrekullueshme të Kadaresë mund të zgjatet pa fund, por vlera e Kadaresë-shkrimtar qëndron jo vetëm në ato që ka shkruar, por edhe në ato që ka arritur të frymëzojë: na ka mbushur me optimizëm, na ka ushqyer me patriotizëm e atdhedashuri, na ka nxitur të njohim, duam e vlerësojmë të kaluarën, na ka bërë të guxojmë të ëndërrojmë për më mirë, e ka çuar fantazinë tonë përtej kufizimeve që diktonte koha… Nisur nga vlera e jashtëzakonshme e veprës së tij, me dhe pa të drejtë, jemi përpjekur të ndajmë njeriun nga shkrimtari, udhëtarin e përkohshëm në këtë botë, vdekëtarin, nga krijuesi i një vepre të përjetshme, përkthyer në më shumë se 40 gjuhë të huaja, vepër e cila, përpos sa më lart, ka kontribuar në mënyrë të veçantë në pasurimin e kulturës europiane me vlerat tona dhe të vendit tonë. Akoma, me dhe pa të drejtë, kemi vënë në balancë Kadarenë e censuruar dje, me Kadarenë e lirë sot, duke kaluar në sitë çdo fjalë, çdo gjest, çdo deklaratë e gjykim të tij.

“Dhe thënia e vjetër e Heraklitit, vazhdon Kadare te ‘Mall’, seç m’u kujtua sot për dreq/ të zgjuarit janë bashkë në botë/ kurse të fjeturit janë veç”.

Në një Shqipëri në demokraci, Kadare pohon: “Po të isha nga një vend tjetër, ndoshta do isha thjesht shkrimtari i dashur dhe i lexuar, sikundër janë shumë nga kolegët e mi në botë, por jam nga Shqipëria, një vend që herë pas here ka bërë zgjedhje të gabuara. Për rrjedhojë, dua apo nuk dua, kam një mision, në mënyrë të natyrshme e të vetvetishme: ndërkohë që bëj letërsi, kërkoj të ndihmoj, sado pak, me mendimin e gjykimin tim, në orientimin drejt një kahe të mbarë të popullit shqiptar” (nga takimi me studentë e pedagogë në UET, 2011). Në funksion të këtij misioni, tezat e tij kryesore, të formuluara qartë, pa ekuivoke e alegori tashmë, dalë nga takimet që ka bërë së fundmi (jo vetëm në UET), mund të formulohen në:

  1. Duhet të heqim dorë nga debati “Shqipëri europiane ose jo”. Për Kadarenë duket se një debat i tillë ka vetëm një shpjegim: shterpësi. Shqipëria është europiane gjeografikisht, historikisht dhe shpirtërisht: “Duhet të ecim dhe të shikojmë përpara, t’u vëmë kapakun disa debateve të panevojshme dhe kryqin disa llogarive, të mbyllim disa dosje dhe të hapim të reja. Fakti që ne vazhdojmë të kemi ‘nëpër këmbë’ të njëjtat dosje për pothuaj një qind vjet, do të thotë që energjitë tona po shpenzohen në mënyrë të gabuar”.
  2. Kosova nuk është një shtet multietnik. Për Kadarenë, që Kosova të shpallet shtet multietnik, kjo nuk duhet të bjerë në kundërshtim me një parim themelor, mbi të cilin janë ndërtuar shtetet në Europë që pohon se “kombësia zotëruese përcakton kombësinë e shtetit”: “Askush në Europë sot nuk guxon të kërkojë të ndërrojë emrin e shtetit francez ose gjerman, belg ose zviceran, për hir të mbizotërimit të një shumice komunitetesh. Franca ka më shumë komunitete të huaja se Kosova, shumë më tepër; Gjermania po ecën drejt këtij fenomeni; Anglia është duke e arritur atë proporcion. Por askush, e përsëris, askush nuk mund të guxojë të ëndërrojë të shpallë ndonjërin prej këtyre vendeve multietnik. Dhe nuk ekziston as tendenca më e vogël!” (biseda cituar më lart).
  3. Në Shqipëri nuk ka nacionalizëm ekstrem, që në optikën e shkrimtarit tonë të dashur, “një gjë e tillë e ka pasuruar jetën tonë”, në ndryshim nga Ballkani, që është një “mozaik nacionalizmash të ashpra”.
  4. Gjuha shqipe, si një gjuhë tipike indoeuropiane dhe me një zhvillim të natyrshëm sikundër të gjitha gjuhët e tjera, është një gjuhë me autoritet dhe, standardi i saj, nuk duhet vënë në dyshim; për më tepër, standardi i gjuhës shqipe nuk duhet të ngatërrohet me gjuhën letrare ose me gjuhët kryesore të folura shqipe. Në rastin e gjuhës shqipe, ndonëse standardi i saj u krijua në kushte fatkeqe, në kushtet e mënjanimit të kulturës veriore, kryesisht asaj katolike, për arsye thjesht politike, madje sipas Kadaresë meskine, por standardi i gjuhës shqipe nuk është as vepër e Enver Hoxhës dhe as e regjimit komunist: “do të ishte një ngatërrim, e thënë ndryshe, një nder i madh për këtë regjim dhe për këtë njeri të themi që na paska krijuar një gjuhë shqipe”.

Është koha që i bën shkrimtarët apo janë shkrimtarët që bëjnë kohën? Për mua, dje dhe sot, Ismail Kadare, me një histori 55 vjeçare krijimi e shtrirë në dy sisteme të ndryshme, i nominuar vetëm një herë për çmim Nobel nga ne, bashkëkombasit e tij, është po ai: shkrimtari i dashur dhe misionari i kombit shqiptar.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.