Historia e Kinës Autor Qizhi Zhang 

Historia e Kinës Autor Qizhi Zhang 

Përkthyen nga anglishtja Valbona Nathanaili (kapitujt 1-7) dhe nga kinezishtja Iljaz Spahiu (kapitujt 8-15)

Seria e librit akademik kinez / Shtëpia Botuese “Dituria”, Tiranë, 2017. 

Çmimi 1 500 lekë, f.498.

Titulli në origjinal është “Hyrje në historinë dhe kulturën kineze”, ndërsa në botimin shqip, Shtëpia Botuese “Dituria” e nxori me titullin e thjeshtë “Historia e Kinës”, për ta përshtatur me kolanën “Historia e popujve dhe e shteteve” që kanë në qarkullim në shqip. Edhe kopertina është përshtatur – ndryshon nga botimi anglisht dhe ai kinezisht.

Është historia më e plotë e këtij vendi interesant, që shtrihet nga vitet 2500 p.e.s. dhe deri në ditët tona, mbushur me fakte interesante, emra dhe personazhe, kultura të shumta, sa të ndryshme aq edhe të ngjashme, por pjesa më e madhe të panjohura për lexuesin shqiptar më parë.  Sipas librit, historia e shkruar e Kinës i ka fillesat e saj që në kohën e dinastisë Shang (afërsisht 1700-1046 p.e.s), ndonëse tekste të mëvonshëm të historisë, si për shembull Dëshmitë e një historiani të madh (afërsisht 100 p.e.s), ose “Analet bambu” (Zhushu Jinian) konfirmojnë ekzistencën e një dinastie tjetër përpara Shang, atë të dinastisë Xia. Autori u referohet vazhdimisht gjetjeve të shumta arkeologjike, fakteve e provave, si dhe studimeve të autorëve më të cituar në këtë fushë.

Sipas librit, falë shumë projekteve shkencore, të ndërmarra me synim studimin e “rrënjëve”, ose të origjinës së civilizimit kinez, të udhëhequra nga breza të tëra studiuesish, sot zotërojmë një qasje më të thellë shkencore dhe, vetë dija jonë rreth civilizimit parahistorik kinez, jo vetëm është pasuruar edhe më shumë, por i është afruar gjithmonë e më shumë së vërtetës. Në Kinë gjenden gjurmët e një prej civilizimeve më të hershme të njerëzimit, gjurmë që dëshmohen nga të dhënat në veprat historike, nga pasuria e zbulimeve arkeologjike, si dhe nga një vazhdimësi e qartë historike që përfshin disa mijëra vjet zhvillim. Pranohet, gjerësisht, që civilizimi kinez dallohet për kontribute të shquara në zhvillimin e civilizimit të përgjithshëm botëror. Nga ana tjetër, duhet të pohojmë që ekzistojnë akoma çështje të hapura që lidhen me origjinën dhe zhvillimin e hershëm të civilizimit kinez, për të cilat ka vend për hulumtime të mëtejshme.

Studiues si Xu Xusheng dhe Meng Wentong, kanë paraqitur idenë që, në kohërat parahistorike, në Kinë kanë ekzistuar tre grupe fisesh: grupi Huaxia i Kinës qendrore, vendosur pranë lumit të Verdhë dhe lumit Luo; grupi etnik Yi i Kinës lindore, vendosur në rajonet Haidai; grupi barbar i Kinës jugore, vendosur pranë lumit Yangtze dhe lumit Hanjiang. Më vitet 1960, Su Bingqi, ndërsa kryente hulumtime për marrëdhëniet kulturore ndërmjet Kinës qendrore dhe Kinës juglindore në periudhën parahistorike, parashtroi ndarjen në rajone kulturore, bazuar në kulturën arkeologjike: kultura Yangshao në Kinën qendrore; kultura Qingliangang-Dawenkou në Shandong-un jugor dhe Jiangsu-n verior; kultura Qujialing në hapësirën ndërmjet lumit Yangtze dhe lumit Hanjiang. Pas viteve 1980, i njëjti studiues, në hulumtimet rreth origjinës së civilizimit kinez, vendosi një theks të veçantë në Kinën veriore që përfshinte zonat përreth maleve Yanshan dhe Murit të Madh. Ai solli edhe një herë në vëmendje hipotezën e tre grupeve, formuluar fillimisht nga Liang Siyong. Sipas Liang Siyong, bazuar në gërmimet arkeologjike në ish-provincën Rehe, kultura Hongshan mund të perceptohet si “kulturë kufitare, kulturë e lindur në vijën e takimit të dy zonave” dhe mbrojti idenë që “sa kohë marrëdhëniet e sistemit kulturor në kohën e neolitit të vonë, në të dyja anët e Murit konfirmohen, atëherë me shumë siguri mund të ndërmarrim studime krahasuese ndërmjet historisë së lashtë dhe gjetjeve arkeologjike.” Hipoteza e Liang Siyong për ekzistencën e tre grupeve mund të përfshijë edhe jugun e zonës verilindore të Kinës. Edhe Tian Changwu ka publikuar hipotezën e tij, por të përbërë nga katër grupe, duke shtuar një grup në hapësirën veriore, përfaqësuar pikërisht nga kultura Hongshan.

Nga ekzaminimi i kulturave të lashta kineze është e qartë se, në kohën kur kulturat primitive fillojnë të përparojnë, duke u bërë pjesë e shoqërive më të avancuara, fiset e lashta të ndarë nga njëri-tjetri, fillojnë të përzihen me njëri-tjetrin, gjë që siguron kushtet e nevojshme për lindjen e civilizimit modern kinez.

Sa i takon analizës historike të origjinës së civilizimit kinez, në fillim ka qenë mbizotëruese doktrina e teorisë së “Një Kinë qendrore” (Zhongyuan Zhongxin) – në kinezishte, fjala “Kinë” është Zhongguo, kuptimi i së cilës është “Vend i mesëm”. Më pas, në mënyrë graduale, historianët kanë zhvilluar teorinë e origjinës së shumëfishtë, e cila njihet edhe si teoria “Yjet në qiell” (Man Tian Xingdou). Teoria e dytë pretendon se në fillimet e historisë, njerëzit e lashtë ishin të shpërndarë nëpër të gjithë territorin kinez njëlloj si yjet në qiell. Su Bingqi argumenton se:

  • … ka ekzistuar pothuaj gjithmonë pikëpamja se lumi i Verdhë është djepi i të gjithë popullsisë kineze dhe se kultura kineze u zhvillua, së pari, në hapësirën përreth tij dhe, më pas, u shpërnda në të gjithë territorin. Pra, kulturat e rajoneve të tjera janë mbështetur vetëm në këtë kulturë për t’u zhvilluar më tej. Kjo është një anë e historisë. Në anën tonë të historisë, hapësira përreth lumit të Verdhë ka dhënë vërtet një kontribut të madh, veçanërisht në periudhën kur ne fillojmë të kemi të dhëna rreth civilizimit, ku duket se ka qenë një kulturë mbizotëruese. Por në të njëjtën kohë, kemi zhvillime edhe të kulturave të tjera në hapësira të tjera, të cilat dallohen për karakteristikat e tyre të veçanta. Gjetjet arkeologjike në vende të ndryshme vërtetojnë këtë pikëpamje. Ndërkohë, ndikimi që këto kultura kanë pasur te njëra-tjetra është me përfitim dypalësh: jo vetëm Kina qendrore ka ndikuar në rajonet e tjera, por edhe kultura e asaj vetë është ndikuar nga kulturat e rajoneve të tjerë.

Su beson se duhet të veçojmë gjashtë zona të cilat kanë dhënë një kontribut të madh në lindjen e civilizimit të hershëm kinez: (1) Shaanxi, Henan dhe Shanxi; (2) Shandong dhe rrethinat e tij; (3) Hubei dhe rrethinat e tij; (4) rrjedha e poshtme e lumit Yangtze; (5) Kina jugore, zona me qendër liqenin Poyang dhe delta e lumit Zhujiang (6) Kina veriore përreth Murit të Madh. Disa studiues të tjerë, për të shpjeguar origjinën e civilizimit kinez dhe të zhvillimit të tij, kombinojnë teorinë e një origjine me teorinë e origjinës së shumëfishtë. Sipas tyre, duhet të pranojmë që shpërndarja shumë-faktoriale, së bashku me “hënën me yjet në sfond” (zhong xing peng yue) formojnë, në një sens tjetër, planin qendror kulturor, plan i cili gjendet edhe në qendër të zhvillimit social dhe kulturor të të parëve tanë kinezë.

Analiza e mësipërme është identike me konkluzionet e studiuesit Zhang Guangzhi: “Pavarësisht në se marrin në konsideratë Kinën veriore apo Kinën jugore, mund të propozojmë hipotezën se, që në vitet 4000 p.e.s., disa kultura rajonale, me karakteristika dhe tipare dalluese janë lidhur më njëra-tjetrën dhe kanë formuar një sferë ndërveprimi.” Për më tepër, vazhdon studiuesi:

  • … kjo sferë ndërveprimi, e formuar afro 4000 vite më parë, kufizohet, në veri nga lumi Liao, në jug nga Taiwan dhe delta e lumit Zhujiang, në lindje nga bregu i detit dhe, në perëndim, nga Gansu, Qinghai. Zona mund të quhet sfera kineze e ndërveprimit, ose sfera pre-kineze e ndërveprimit, sepse kjo sferë pre-historike formon qendrën gjeografike në Kinë dhe të gjitha kulturat rajonale të kësaj sfere luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e civilizimit kinez në kohën e dinastive Qin dhe Han.

Shënim

“Seria e librit akademik kinez” përmbledh, organizon dhe paraqet disa nga veprat më të mira në fushën e studimeve që lidhen me Kinën. Titujt në këtë seri përfshijnë ato të botuara nga autorë kinezë, të cilët i kanë kryer studimet dhe e kanë filluar karrierën jashtë vendit të tyre të origjinës. Veprat e këtyre autorëve janë botuar fillimisht, në origjinal, në gjuhën angleze, ndërkohë që ndikimi i punës së tyre ka qenë shumë i madh në botën perëndimore, si për shembull studiuesit Hu Shi, Fei Xiaotong etj. Krahas këtyre autorëve, një vend po aq i rëndësishëm në këtë seri u jepet edhe autorëve më të hershëm, kinezë dhe jokinezë, vepra e të cilëve ka qenë e një niveli të rëndësishëm intelektual në kuptimin dhe paraqitjen e shoqërisë moderne kineze.

Sa i takon tematikës, “Seria e librit akademik kinez” shtrihet në një spektër të gjerë, nga filozofia, ekonomia dhe histori, deri te legjislacioni, gjeografia e kulturës dhe politikat rajonale. Seria e këtyre botimeve, nga të cilët për përkthim në gjuhën shqipe është zgjedhur libri “Historia e Kinës” është një burim shumë i mirë për kërkuesit shkencorë dhe studiuesit, të interesuar për zhvillimet në Kinë, sikundër edhe për lexuesin me interesa të përgjithshëm.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.