Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike Nga Zimo KRUTAJ

Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike

Refleksione Nga Zimo KRUTAJ

Kur më bie në dorë një libër i mirë, më vjen ndër mend një varg i një mikut tim poet që shkruan ” … marr librin dhe iki me padurimin e shfletimit të faqeve…” Kësaj here, teksa mora librin e Rami Memushajt “Himara në dritën e të dhënave historike, gjuhësore dhe etnologjike”, (botim i shtëpisë botuese “Toena”, 2004) m’u kujtuan, që nga vitet e fëmijërisë, vargjet  e një kënge të hershme labe “ Himara në breg të detit / Shtatë fshatëra që janë / Të penës e të dufeqit…/ I tregojn’ gjoksin dovletit / Si zogjtë në tramundanë!” Më pas, edhe pse nuk i hasa në libër, kur e përfundova së lexuari, m’u kujtuan rishtas këto vargje të papërsëritshme, për bukurinë, fuqinë shprehëse dhe lakonizmin me të cilin portretizojnë cilësitë karakteristike të himarjotëve, virtutet, mençurinë, burrërinë e qëndresën historike të tyre. Të tillë dalin Himara dhe himarjotët edhe në librin “Himara…”, të gjuhëtarit dhe pedagogut të njohur Rami Memushaj, por kësaj here, jo me ekzaltime e figura të gjetura poetike, por nën dritën e dokumenteve, dëshmive, fakteve e ngjarjeve historike, trajtesave, argumenteve e dukurive gjuhësore, dhe të dhënave e burimeve etnologjike, të paraqitura me një përkujdesje shkencore të rreptë, me një ndjenjë atdhetarie të përgjegjshme, me gjuhë të përkorë e stil të admirueshëm.

Po përse Himara? Pse pikërisht tani? Përgjigjen e gjejmë të përmbledhur në shënimin përcjellës të autorit në kopertinën e librit… “ Pas jehonës që patën në vend ngjarjet e tetor – nëntorit 2003 në bashkinë e Himarës, nuk janë të paktë ata që duan të dinë diçka për Himarën dhe për banorët e saj. Duke qenë se aleati më i madh i armiqve të kombit tonë në përpjekjet për të na përçarë e për të na larguar nga njëri – tjetri ka qenë kurdoherë padituria, për të shpërndarë mjegullën e paragjykimeve e të mëtimeve pa baza historike ndaj Himarës, jam përpjekur në këtë libër të ndriçoj prejardhjen e himarjotëve, vendin e saj në Labëri, lidhjet tradicionale e historike me krahinat fqinje dhe çfarë e dallon atë prej tyre.”

Kemi të bëjmë, pra, me një shtysë, një qëndrim e vokacion sa shkencor, kulturor e intelektual, aq edhe qytetar e atdhetar. Një libër që lind si kërkesë e domosdoshme, si nevojë aktuale e ndërgjegjes dhe mendësisë së shoqërisë së sotme shqiptare, po kurrsesi i shkruar me ngut, një libër që rri me dinjitet, si në tryezën e punës së intelektualit e studiuesit ( shqiptar apo të huaj), si në bibliotekën e shtëpisë së njerëzve të thjeshtë. Kjo bëhet e mundur jo aq për shkak të punës së madhe njohëse, hulumtuese, studimore e përgatitore, ( vetëm burimet bibliografike të shfrytëzuara janë më tepër se 150 volume), përzgjedhjes e paraqitjes së sa e sa dokumentave, se sa falë përpunimit e zotërimit të lëndës, njohurive dhe aftësisë së autorit për të arritur e shprehur me argumente bindëse përfundime me vlera të mirëfillta. Shkurt, një libër që na duhet, i shkruar siç duhet,(jo vetëm siç e duam ne, shqiptarët) që vjen në kohën e duhur.

Ndjenja e masës, paanësia, e plotëria e librit ndjehen që në  konceptimin e strukturimin e tij. Autori, pas një parathënieje të shkurtër e një fjale hyrëse, në kreun e parë trajton konceptin e pakicave dhe etnive, përkufizimin dhe raportet midis tyre, llojet e pakicave dhe përcaktimin e tyre duke iu referuar akteve e dokumentave të konventave të ndryshme ndërkombëtare për to. Më tej vijon me paraqitjen, trajtimin, interpretimin e argumentimin e të dhënave, dëshmive, dokumentave, tezave e hipotezave për lashtësinë e Himarës ( shek IV para Krishtit), për vendin e saj si pjesë e Kaonisë së lashtë ilire, e më pas, në rrjedhën e shekujve, si pjesë e Epirit nën sundimin romak e bizantin, Arbërisë e Labërisë. Lidhjeve tradicionale të Himarës me këtë të fundit, marrëdhënieve, mitologjisë, besimeve, shtresimeve kuturore, folklorit e sidomos gjuhës amtare të himarjotëve autori u kushton vëmendje të veçantë. Pas analizave të hollësishme, të shtjelluara me argumente bindëse e herë herë shteruese, me qartësi, thellësi e paanësi shkencore, arrihet natyrshëm në përfundimin se “faktet historike, tradita vendëse, gjuha dhe trashëgimia gojore, të gjitha dëshmojnë se himariotët janë shqiptarë.”

Kur e mbaron së lexuari librin, nuk mund të mos mbushesh me dashuri e krenari për historinë e lashtë e të re të Himarës e të himariotëve, burrave “ të penës e të dufeqit”, për të cilët , MiloVarfi nga Vunoi shkruan në gazetën “Dielli” më 1913 se janë

“… kollona dhe fryma e Shqipërisë.” Për këtë vend ku, siç thuhet në librin në fjalë, ka zbarkuar Jul Cezari, ku kishin kalatë dhe vilat e pushimit sundimtarët e Epirit dhe perandorët e Bizantit, ku gjendet Vasilikoi i Ana Komnenës e kështjella e Ali Pashë Tepelenës, ku banorët i shkruajnë letra papëve të Romës, Carëve të Rusisë e mbretërve të Evropës që t’i ndihmonin në qëndresën e tyre kundër sulltanëve të Turqisë. Për vendin ku “kanë lindur shkrimtarë, kapedanë, gjeneralë e klerikë të shquar. Për qëndrimin atdhetar të këtyre të fundit mjafton të shohim një fragment të përgjigjes që kryetari i Epitropisë së Himarës, Ikonom Anastas Zotua, i kthen, më 1891, Mitropolisë së Drinopullit për qëndrimin ndaj Lidhjes së Prizrenit:

  • “…Epitropia e Kishës Qendrore të Himarës, në një mbledhje të saj, vendosi t’ju kujtojë se nuk keni asnjë të drejtë të ndërhyni në çështjet tona, dhe përsa u përket akuzave që na bëni, ato janë krejt pa baza. Kurrë s’kemi ndryshuar as bindje, as karakter dhe mbas vitit 1875 kemi vazhduar t’i qëndrojmë besnik idealit tonë kombëtar për lirinë e popullit shqiptar. Lidhja është e shqiptarëve dhe himariotët janë shqiptarë. Lidhja është e shqiptarëve dhe jo e turqve dhe vepra dhe qëllimi i Avdul Frashërit, Myslim Gjolekës, Koto Hoxhit Mikel Haritos etj. janë dhe tonat. Kjo është rruga e popullit të Himarës.”

Më qartë s’ka si bëhet…

Dokumente të tilla, edhe më të hershme e të rëndësishme, sjell Rami Memushaj në veprën e tij. Jo vetëm vlera autentike e tyre, jo veç shtjellimi e argumentimi i fakteve historike, kulturore apo dukurive gjuhësore dhe lidhjet organike ndërvepruese, por edhe gjuha e zgjedhur, shqipja e kulluar dhe stili i rrjedhshëm dëshmojnë qartë për atë që autori e shpall që në hyrje. Ky libër është shkruar me një ndjenjë të thellë dashurie për Himarën dhe për bijtë e saj. Një dashuri që sot bëhet më e thekshme e kthehet në një ndjenjë prekëse dhembshurie kur sheh indiferencën e mungesën e përkujdesjes së shtetit shqiptar për këtë margaritar të bregdetit tonë.

Në mbyllje na duhet të cekim një fakt gjithsesi trishtues. Prej kohësh mediat tona vizive e të shkruara vijojnë të na servirin për “best-seller” gjithfarë botimesh me vlera të dyshimta apo, më së paku, ende të pakonfirmuara, kur botimi i një libri si “Himara…”apo i të tjerëve të përafërt me të, duhej të përbënte një ngjarje për kulturën tonë kombëtare. Është vërtet trishtuese e për të ardhur keq, nëse bëhet fjalë për mungesë vëmendjeje, paaftësi, apo rastësi. Ama, nëse është “harresë” e qëllimtë a kushedi ç’tjetër, duhet t’i vemë gishtin kokës se këmbanat bien edhe për ata që s’duan t’i dëgjojnë.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.