Gjashtë parimet për një përgjegjshmëri efektive Nga Douglas B. Reeves

Gjashtë parimet për një përgjegjshmëri efektive

Douglas B. Reeves

Fushata e fundit për standarde dhe përgjegjshmëri ka bërë që shumë arsimtarë të zbatojnë reformën bazuar në përgjegjshmëri në distriktet e tyre. Por ndërkohë që shumë nga këto iniciativa do të vazhdojnë të lulëzojnë, të tjera janë të destinuara të dështojnë, sepse nuk kanë një qasje holistike kundrejt përgjegjshmërisë, – deklaron Douglas B. Reeves, kryetar dhe themelues i Qendrës për Përgjegjshmëri në Arsim.

Synimi i vërtetë i çdo sistemi përgjegjshmërie, – vazhdon Reeves, – është përmirësimi i mësimdhënies dhe i mësimnxënies. Sidoqoftë, sistemet vetë, ndonëse përqendrohen në rezultatet e testeve, sugjerimet që japin statistikat apo faktorë të tjerë, i shohin, shumë shpesh, më shumë si synime në vetvete se sa si argumente për të hapur arsyetime e debate. Në këtë artikull, Reeves nënvizon gjashtë parime, që duhen të kihen në vëmendje, për të pasur një përgjegjshmëri efektive.

          PARIMI NR. 1: PËRSHTATJE

Ndonjëherë, objektivat dhe strategjitë hartohen në kundërshtim të plotë me çfarë bëjnë thirrje sistemet e përgjegjshmërisë. Përgjegjshmëria duhet të jetë tema unifikuese, strumbullari, përreth të cilit duhet të hartohen strategjitë, të jepen shpërblimet, të bëhen miratimet dhe të vlerësohet stafi.

Pak kohë më parë kam punuar në një distrikt ku u planifikua të punohej duke e ndërtuar sistemin e përgjegjshmërisë në përputhje me parimin e standardeve prioritare, që do të thotë duke u fokusuar kryesisht në standardet më të rëndësishme, pa u marrë me shumë probleme në të njëjtën kohë. Kjo ishte retorika! Por në rreshtin e parë të formës së vlerësimit të mësuesit, shkruhet: “A i ka trajtuar mësuesi të gjitha temat e kurrikulës?”

Në një tjetër distrikt, ku mësuesit e kanë përgjegjshmërinë mënyrë të menduari, thonë:

  • Ne merremi me provat: dimë se sa më shumë nxënës të përfshihen në aktivitete ekstrakurrikulare, aq më e mirë do të jetë pjesëmarrja dhe aq më të mira do të jenë arritjet e nxënësve.

Por, nëse i hedhim një sy sistemeve të miratimit dhe të shpërblimit po në këtë disktrikt, do të shohim se mësuesit e promovuar dhe të shpërblyer më mirë janë më ‘përjashtuesit’: ata vërtet u morën më shumë me orët e tyre të mësimit dhe aktivitetet jashtëshkollore, por duke pranuar gjithmonë vetëm nxënësit më të mirë, më të dalluar dhe lënë mënjanë çdo nxënës tjetër, rezultatet e të cilëve ishin ‘të padëshiruara’.

Në të dy rastet që solla në vëmendje, sistemi i përgjegjshmërisë ishte në kundërshtim me objektivat dhe strategjitë.

PARIMI Nr. 2: SPECIFIKIME

Nuk jam në gjendje të ndjek as edhe një tjetër konferencë, ku nën shtrëngimin e duarve dhe mes pankartave të ndryshme, këndohet në kor, refreni: “Të gjithë nxënësit mund të nxënë”. Personalisht, vërtet besoj se të gjithë nxënësit mund të nxënë, por asnjëherë nuk kam arritur diçka vetëm me mantra. Përgjegjshmëria nuk është përdorimi i mantra-s; nuk është përgjithshmëria.

Ne duhet të dimë, specifikisht, çfarë funksionon. Ne duhet të hulumtojmë në komunitetin tonë se cilat strategji sjellin e shoqërohen me përmirësimin e arritjeve të nxënësve; duhet të fokusohemi tek sjelljet dhe jo vetëm tek rezultatet e testeve. Me fjalë të tjera, të matet çfarë sjell rritja. Njëlloj siç vendosim standarde për fëmijët, duhet të vendosim standarde edhe për të rriturit: anëtarët e bordit, administratorët, mësuesit dhe, ndoshta ndonjëherë, edhe për prindërit.

PARIMI Nr. 3: PËRKATËSIA

Duhet të ekzistojë një marrëdhënie direkte ndërmjet strategjive që zbaton shkolla dhe përmirësimit të nxënies së nxënësit. Sigurisht, përkatësia nuk është gjithmonë e dukshme. Disa kërkime shkencore tregojnë se, me përjashtim të vendit të parë që e ka frekuentimi i shkollës, faktor tjetër shumë i rëndësishëm, që ndikon në përmirësimin e rezultateve të përftuara nga testet dhe sjelljen në klasë, lidhet me projektet joartistike.

Dikush mund të thotë se është e qartë që, më shumë projekte joartistike, do të thotë rezultate më të mira në testet me shkrim apo se ato ndikojnë në përftimin e rezultateve më të mira edhe në testet e leximit. Por, ajo që nuk është e qartë për të gjithë, është fakti se edhe ndryshime të vogla në kurrikul, që lidhen me praninë më të madhe të projekteve joartistike, kanë lidhje me përmirësime të ndjeshme në matematikë, në shkenca të aplikuara e ato sociale. Pra, mund të flasim për një marrëdhënie specifike që ekziston ndërmjet strategjive që gjejnë vend në klasë dhe rezultateve të arritura.

A provojnë këto marrëdhënie se rezultatet janë rastësore? Jo domosdoshmërisht. Por ato na sigurojnë një mënyrë testimi për hipotezën se më shumë projekte joartistike përmirësojnë rezultatet e testeve dhe ndikojnë, po ashtu, edhe në përmirësimin e sjelljeve të nxënësve. Nëse do të pyesja çdo mësues, “Pse nuk bën më shumë projekte joartistike?”, shumë prej tyre do të më përgjigjeshin: “Nuk kam kohë!” Çështja numër një është koha, koha dhe vetëm koha. Këta mësues po artikulojnë hipotezën se, nëse shpenzojnë më shumë kohë me projekte, nuk do të kenë mundësi të trajtojnë të gjithë kurrikulën e, për rrjedhojë, rezultatet do të jenë më të ulëta. Unë ndoshta mund të mos kem qenë i zoti të provojë rastësinë por, të paktën, kam hedhur poshtë hipotezën.

 PARIMI Nr. 4. RESPEKTI PËR DIVERSITETIN

 “Të gjithë nxënësit mund të nxënë” nuk do të thotë se “të gjithë nxënësit janë të njëjtë”. Për më tepër, diversiteti nuk lidhet domosdoshmërisht vetëm me karakteristikat e jashtme. Nëse do ta marrim seriozisht një çështje të tillë, kjo do të thotë që diversiteti duhet parë jo vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda. Por, që ky parim të bëhet pjesë morale dhe intelektuale e kurrikulës, duhet që për shkolla të ndryshme të kemi qasje të ndryshme. Kjo do të thotë që kemi nevojë për qasje, teknika dhe strategji mësimdhëniejeje të ndryshme.

Kur Sekretari i Shtetit për Arsimin në SHBA, Rod Paige, drejtonte shkollat publike të Houston, nuk tha “mënyra ose rruga ime” për të arritur në të 200 shkollat, por tha: “Doni që diversiteti të respektohet? Doni të respektohen stile, përqasje dhe strategji të ndryshme? Po, do t’ua japim, do ta bëjmë. Por çmimi i lirisë është transparenca. Çmimi i provës për të bërë gjëra të ndryshme është aftësia për të vajtur tek njëri-tjetri dhe, më tej, tek unë, plotësisht transparentë për rezultatet, për të më bërë me dije, me sinqeritet, çfarë funksionoi dhe çfarë jo”. Kjo është ajo që kërkon përgjegjshmëria. Ju mund të përqafoni strategji të ndryshme për të raportuar strategjitë e përdorura, por fitoni a humbisni, dështuat apo ia dolët mbanë, të gjitha duhen raportuar.

Është e rëndësishme të risjellim në vëmendje se respekti për diversitetin nuk do të thotë të pranojmë anarkinë apo se të gjitha pikëpamjet janë njëlloj të rëndësishme. Ne mund ta respektojmë diversitetin pa hequr dorë nga parimet tona themelore. Duhet të kemi aftësinë ose, më mirë akoma, kemi mandatin, të pranojmë se disa vlera janë më mira. Vlerat e lirisë, të së vërtetës dhe të së drejtës janë më të mira se shtypja dhe totalitarizmi. Duhet të jemi të aftë të flasim në emër të këtyre vlerave. Nuk mund të grabitet çdo parim.

PARIMI Nr. 5: PËRMIRËSIMI I VAZHDUESHËM

Jeff Howard, president i Institutit për Efikasitet, përdor një analogji që mund të rezonojë me ata që kanë fëmijë të vegjël. Ai e quan efekti nintendo dhe i referohet një fëmije i cili nuk mund të fokusohet ose të përqendrohet; ka dëshirë të lëvizë nga një cep i klasës në tjetrën, derisa ju veni në punë lodrën nintendo, pas së cilës fëmija fiksohet pa lëvizur qoftë edhe një fije floku, ndërsa qëndron i ulur, përballë saj, me orë të tëra.

Çështja që ngre dr. Howards është: “Sa gjatë do të qëndrojë fëmija i ngujuar pas ekranit, nëse rezultatet e lojës do t’ia nisni me e-mail, të themi, pas nëntë javësh?” Ajo që e mban fëmijën të ngujuar pas ekranit nuk është, tamam, vetëm ajo që ndodh në ekran, por edhe rezultati për lojën që e merr në çast. Për rrjedhojë, nëse duam të ndërtojmë një sistem holistik përgjegjshmërie, vlerësimet një herë në vit, që jep sistemi, nuk janë të mjaftueshme. Duhet të ndërtojmë sisteme, në gjendje të bëjnë vlerësime për fëmijët, liderët dhe mësuesit të paktën një herë në muaj. Për pasojë, duhet të angazhohemi e të ndërtojmë sisteme më të mira mësimi.

PARIMI Nr. 6: FOKUSIMI MBI ARRITJET, JO MBI NORMAT

Di se, në një nga shtetet e SHBA, në Bordin e Arsimit është votuar që arritjet e 80% të nxënësve duhet të jenë mbi mesataren. Meqenëse kam mësuar statistikë për një kohë të gjatë, sado të më flasë Garrison Keillor, nuk mund të më bindë se një shpërndarje e tillë është e mundur. Por këtu ka vend për të ngritur një çështje tjetër. Kur dëgjojmë që nxënësit krahasohen me norma dhe mesatare, reagimi i brendshëm, që të lind menjëherë, është se ka diçka që nuk shkon, që i lëndon fëmijët. Sidoqoftë, edhe pse mund të jetë e vërtetë, mesataret dhe normat prekin edhe fëmijët e përparuar.

Grafiku këmbanë[1] i prek, tinëzisht, të gjithë fëmijët. Është një mënyrë joefektive dhe e papërshtatshme, për të matur arritjet e fëmijëve. Ju vërtet mund të keni disa fëmijë ”mbi mesataren”, të cilët në mënyrë të padrejtë mund të jenë të vetëkënaqur me veten, por, edhe ata, sa edhe fëmijët që gjenden në pjesën e poshtme të grafikut këmbanë, njëlloj dëmtohen nga normat. A e dini se 55 % e fëmijëve që morën 55% të pikëve në lexim nuk dinë të shkruajnë një ese? Më tej akoma, a e dini se 55% e fëmijëve që mësojnë matematikë nuk janë në gjendje të gjejnë një logaritëm në raste të ndryshme? E vetmja gjë që ka rëndësi është nëse nxënësit plotësojnë qartë pritshmëritë, në mënyrë objektive dhe të pandryshueshme,  jo kush është i pari dhe kush i fundit.

Po sugjeroj se ka rëndësi është që të mendojmë rreth përgjegjshmërisë në mënyrë krejt të ndryshme. Në këtë vend është bërë një punë e mrekullueshme, sa kohë jemi në gjendje të bëjmë të përgjegjshëm një fëmijë nëntëvjeçar. Më lejoni t’ju sugjeroj një parim moral: nuk duhet të guxojmë t’i bëjmë fëmijët tanë më shumë të përgjegjshëm sa ç’kërkojmë nga vetja jonë.

PËRGJEGJSHMËRIA EFEKTIVE: NJË MINITEST PËR ADMINISTRATORËT

 Le të supozojmë se gjendeni në një situatë të tillë. Infermierja e shkollës vjen e ju thotë: “Shef, kam lajme të këqija. Sistemet tona të përgjegjshmërisë tregojnë se 44 për qind e fëmijëve nuk kanë bërë vaksinimin e duhur. Çfarë të bëjmë?”

Ju:

a. Pushoni nga puna infermieren

b. E botoni çështjen në gazetë, me synim vënien para përgjegjësisë dhe poshtërimin e Departamentit të Shëndetësisë, në lidhje me programet e vaksinimit

c. Krijoni një projekt pesëvjeçar me objekt studimin e programeve dhe të kurrikulës së vaksinimit

d. Mblidhni të dhënat, por nuk i publikoni, ndërkohë që në shkollë e bëni problem shumë të madh

e. Vaksinoni fëmijët.

Pjesa më e madhe e administratorëve i përgjigjen pikës e të testit. Edhe nëse përdor një test tjetër, për një problem të ngjashëm, për shembull, se në kafetarinë e shkollës nuk plotësohen standardet e higjienës, përsëri pjesa më e madhe e përgjigjeve do të jenë për pikën e. Është një përgjigje që nuk ngjall shumë polemika.

Por, nëse në test problemi që shtrohet lidhet me leximin ose matematikën, sa shpesh u përgjigjemi ose ndalemi në variantet a, b, c, d para se të vendosim për e-në? Njerëzit që punojnë në shkollën e mesme e dinë fatin e fëmijëve që nuk arrijnë të kenë sukses në lëndë të tilla. Përgjithësisht braktisin shkollën dhe, me statistika, ka shumë më tepër rreziqe shëndetësore për një nxënës që braktis shkollën se për një nxënës që nuk është vaksinuar.

Kjo na orienton drejt një diskutimi tjetër: si mund të zbatohet sa më drejt përgjegjshmëria? Cili ishte qëllimi i raportimit të problemit të vaksinimit? Ishte thjesht një raport departamenti apo synonte përmirësimin e shëndetit të fëmijëve tanë? Përgjigja e saktë duhet të jetë përmirësimi i mësimdhënies dhe i nxënies së fëmijëve tanë. Nuk kemi synim të thyejmë rekorde apo të poshtërojmë njeri. Nuk kemi synim të krijojmë gjah për median. Synimi i parë dhe i vetëm është përmirësimi i arritjeve të nxënësve.

____________

[1] “Grafiku këmbanë” është huazuar nga titulli i librit me autor Richard J. Herrnstein. Grafiku i shpërndarjes së vlerave të inteligjencës për një popullsi normale ka formën e një këmbane (shënim i përkthyesit).

2 replies
  1. ALBERT FRASHERI says:

    Problemi shtrohet nen nje kendveshtrim konkret por kerkon nje fare elasticiteti ne menyren e te menduarit. Shpreh kete bindje sepse nese mesuesi dhe drejtuesit e arsimit nuk jane ambjentuar me kete liri mendimi dhe forma konkrete te debatit, kane veshtiresi te futen ne valle apo te kuptojne thelbin e “responsibility”. Do kuptuar edhe realiteti per te cilin flet Douglas Reeves. Fjala vjen ai e kupton dhe e shpreh pamundesine qe 80% e nxenesve nuk mund te superojne nivelin mesatar dhe e shpreh boterisht ate bindje. Por kush nuk eshte realist mund ta deformoje e ta shperfytyroje idene “responsibility”. Me dy fjale, dua te them qe mesuesi do azhornim dhe trajnim te vazhdueshem deri sa te familjarizohet me nje menyre te re te vleresuari te problemeve te mesimdhanies e te te nxenit, perndryshe ai do mbetet nje mesimdhanes as tradicional dhe as modern. Botimi i ketij artikulli, per mendimin tim, eshte nja nga gjerat e vyera per te cilat shkolla ka nevoje duke filluar nga drejtuesit e saj.

    Reply
    • Valbona Nathanaili says:

      Do shtoja akoma që ne, si shoqëri, nuk jemi mbledhur akoma dhe të vendosim se çfarë filozofie do zbatojmë në arsim, dhe si ta bëjmë arsimin e, bashkë me të, edhe shkencën e shëndetësinë, të pavarur nga politika, Pra, nisur nga situata në të cilën ndodhemi, kemi nevojë për një dokument bazë, të përgjithshëm, i cili të udhëheqë punën tonë për një periudhë të paktën dhjetëvjeçare.

      Reply

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.