Fjalimi përshëndetës në Universitetin e Teksasit Admiral William H. McRaven (veteran i flotës detare të SHBA-së)

Fjalimi përshëndetës në Universitetin e Teksasit

Admiral William H. McRaven (veteran i flotës detare të SHBA-së)

17 maj 2014

Përktheu dhe përshtati në shqip: Valbona Nathanaili

Slogani i universitetit është: “Çfarë fillon këtu, ndryshon botën!”. Më duhet ta pranoj… më pëlqen. “Çfarë fillon këtu, ndryshon botën!”

Sot janë pothuaj tetë mijë studentë që diplomohen pranë Universitetit të Teksasit. Ask.com, një model i shkëlqyer i rigorozitetit analitik, thotë se, mesatarisht, një amerikan ka mundësinë të takojë dhjetë mijë njerëz gjatë gjithë jetës së tij. Një shifër vërtet e madhe. Por nëse secili nga ju ka mundësinë të ndryshojë jetën e vetëm dhjetë personave, dhe përsëri secili nga këta të dhjetë, ndryshon jetën e dhjetë të tjerëve – vetëm dhjetë – atëherë në pesë gjenerata, ose përgjatë 125 viteve, brezi i të diplomuarve në vitin 2014 do të ketë ndryshuar jetën e 800 milionë njerëzve.

Tetë qind milionë njerëz! Mendoni pak: më shumë se dyfishin e popullsisë aktuale të Shteteve të Bashkuara. Nëse diplomohet edhe një brez tjetër, atëherë ju mund të ndryshoni jetën e gjithë popullsisë së botës, të tetë miliardë njerëzve. Por nëse mendoni se është e vështirë të ndryshosh jetën e dhjetë njerëzve, t’ua ndryshosh përgjithmonë, e keni gabim.

E kam parë të ndodhë përditë, në Irak dhe Afganistan. Një ushtarak i ri, oficer, mori vendimin të shkojë në të majtë, në vend të merrte në të djathtë në një rrugë në Bagdad dhe shpëtoi dhjetë shokët e skuadrës nga një pusi e ngritur aty pranë.

Në provincën e Kandaharit, në Afganistan, një nënoficere e skuadrave për përfshirjen e forcave femërore në luftime pati ndjesinë se diçka nuk po shkonte si duhet dhe e drejtoi togën larg vendit të dyshuar, ku doli se ishte instaluar një bombë artizanale që peshonte 230 kilogram. Veprimi i saj shpëtoi jetën e një duzine ushtarësh.

Nëse mendoni edhe më shumë, vendimi për të ndërmarrë një akt të tillë nga një person, nuk arrin të shpëtojë vetëm jetën e disa a shumë ushtarëve, por edhe të fëmijëve të tyre që ende nuk kanë lindur. Dhe jetën e fëmijëve të fëmijëve të tyre. Gjenerata të tëra arrijnë të shpëtohen nga një vendim, nga një person.

Ndryshimi i botës mund të ndodhë në çdo cep të saj. Çdo person është në gjendje ta sjellë këtë ndryshim. Kështu, çfarë fillon këtu, vërtet mund të ndryshojë botën, por pyetja në vijim është: Si do të duket bota pas këtij ndryshimi?

Personalisht jam i sigurt se do të duket shumë, shumë më e mirë, dhe nëse do keni durimin të më dëgjoni mua, marinarin e regjur, sikur edhe për një moment, sugjerimet e mia mund t’u ndihmojnë në rrugën tuaj drejt bërjes së kësaj bote më të mirë. Mësimet që kam nxjerrë gjatë kohës që shërbeja në ushtri, u siguroj se kanë rëndësi, edhe sikur të mos keni mbajtur asnjë ditë uniformë.

Kanë rëndësi pavarësisht gjinisë, etnisë, sfondit, orientimit a statusit tuaj social. Betejat që na duhet të zhvillojmë në këtë botë janë të ngjashme dhe mësimet për të dalë fitimtarë dhe për të bërë përpara – në ndryshimin e vetes dhe të botës përreth nesh – janë të vlefshme për t’u ndjekur e zbatuar njësoj, nga të gjithë.

Kam qenë pjesë e forcave SEAL për tridhjetë e gjashtë vjet. Gjithçka filloi me marrjen e vendimit për të lënë Universitetin e Teksasit dhe për të filluar stërvitjen në qendrën e këtyre forcave, në Koronado, Kaliforni. Bazat e stërvitjes si SEAL do të thotë gjashtë muaj vrapime të gjata torturuese në rërën e butë, not në mesnatë në ujërat e ftohtë të San Diegos, kalim pengesash të llojeve të ndryshme, orë pafund ushtrime gjimnastikore, ditë pagjumë dhe të qenit të vazhdueshëm në një gjendje të ftohti, lagështie dhe të vajtueshme.

Janë gjashtë muaj nën trysninë e vazhdueshme të luftëtarëve të trajnuar profesionalisht, të cilët kërkojnë të zbulojnë dobësitë e pranishme, në mendje e fizik, dhe t’i eliminojnë të gjithë ata që i shfaqin nga mundësia për të qenë ndonjëherë pjesë e forcave NAVY SEAL. Nga ana tjetër, stërvitja në këtë bazë kërkon të identifikojë studentët, që janë në gjendje të udhëheqin në mjedise në gjendje kaotike e të vështirë, nën ndikimin e një stresi të vazhdueshëm dhe praninë e kushteve sfilitëse. Për mua, bazat e trajnimit për të qenë pjesë e forcave SEAL ka qenë një periudhë jetësore e mbushur me sfida pafund për gjashtë muaj.

Sa më poshtë do të gjeni dhjetë mësimet që kam nxjerrë nga stërvitja si pjesë e forcave SEAL dhe shpresoj shumë të kenë po atë vlerë edhe për ju, ndërsa bëni përpara në jetë.

___________

Çdo mëngjes, gjatë stërvitjes bazë si pjesë e forcave speciale SEAL, instruktorët e mi, që në atë kohë ishin të gjithë veteranë të luftës në Vietnam, hynin në dhomat e kazermës dhe gjëja e parë nga e fillonin inspektimin ishte krevati ku flinim. Çdo gjë ishte në rregull, nëse qoshet ishin katrore, batanija e sipërme e tërhequr dhe puthitur më së miri, jastëku vendosur tamam në qendër, në anën e kokës së krevatit, ndërsa batanija e dytë e palosur me mjeshtëri dhe e vendosur në anën e kundërt.

Një detyrë e thjeshtë, që në rastin më të mirë mund të quhej rutinë. Por çdo mëngjes na kërkohej që rregullimi i krevatit të arrinte në perfeksion. Në atë kohë na dukej paksa qesharake një detyrë e tillë, veçanërisht sa i takon faktit që aspironim të bëheshim luftëtarë të vërtetë, anëtarë të skuadrave SEAL, të përgatitur më së miri për beteja të ashpra, por mençuria e këtij akti të thjeshtë më është vërtetuar vazhdimisht.

Nëse rregulloni krevatin çdo mëngjes, keni kryer detyrën e parë të ditës. Ky veprim u jep një ndjesi të vogël krenarie dhe u inkurajon të realizoni, më pas, edhe një detyrë tjetër, pastaj edhe një tjetër, edhe një tjetër. Në fund të ditës, detyra e parë e mbaruar me sukses është bërë pjesë e një serie detyrash të realizuara. Rregullimi i krevatit përforcon faktin se në jetë kanë rëndësi edhe gjërat e vogla.

Nëse nuk jeni në gjendje të kryeni si duhet gjërat e vogla, nuk do të jeni në gjendje të kryeni asnjëherë si duhet as gjërat e mëdha. Dhe nëse për një arsye a një tjetër, dita juaj ka qenë e keqe, kur të ktheheni në shtëpi do të gjeni krevatin e rregulluar – që ju vetë e keni rregulluar – dhe një krevat i rregulluar është në gjendje të ngjallë kurajën se dita e nesërme do të jetë më e mirë.

Nëse doni të ndryshoni botën, filloni duke rregulluar krevatin.

___________

Gjatë stërvitjes bazë SEAL, studentët ndahen në grupe, që shërbejnë, njëkohësisht, edhe si ekuipazhet e barkave. Çdo ekuipazh përbëhet nga shtatë studentë: nga tre për çdo anë të gomones së vogël dhe një që ka rolin e timonierit dhe përcakton mbajtjen e ritmit gjatë vozitjes. Ekuipazhi formohet çdo ditë në breg të plazhit, instruktohet si të kalojë nëpër zonën e dallgëve dhe të vozisë për disa kilometra përgjatë bregut.

Në dimër, lundrimi në Koronado do të thotë përballje me valë deri 3 metra të larta dhe është jashtëzakonisht i vështirë. Zgjidhja është që të gjithë të vozisin sa më shpejt dhe çdo lëvizje e lopatave të sinkronizohet me numërimin e timonierit. Është shumë e rëndësishme që secili nga ne të ushtrojë të njëjtën forcë te lopata, ose të bëjë përpjekje të barabarta, nëse nuk duam që varka të përfundojë në drejtim të kundërt me dallgën dhe, pa asnjë lloj ceremonie, përmbys e direkt e në breg. Që varka të arrijë në destinacion, të gjithë duhet të vozisin.

Nuk mund ta ndryshoni botën i vetëm – do të keni nevojë për ndihmë – dhe nëse doni vërtet ta përshkruani të gjithë rrugën, nga pika e nisjes deri në destinacion, duhen miq, kolegë, vullneti i mirë i njerëzve të panjohur dhe një timonier i fuqishëm që t’ju udhëheqë.

Nëse doni të ndryshoni botën, gjeni dikë t’ju ndihmojë të vozisni.

Rreth autorit

Admiral William H. McRaven (veteran i flotës detare të SHBA-së) ka shërbyer në flotën detare ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është dalluar për cilësitë e aftësitë e shkëlqyera.

Përgjatë karrierës tridhjeteshtatë vjeçare, si pjesë e skuadrave për operacione speciale të flotës detare ushtarake (NAVY SEAL), ka kryer detyrën e komandantit në të gjitha nivelet.

Admiral me katër yje, detyra e tij e fundit ka qenë komandant i të gjitha forcave speciale operacionale të Shteteve të Bashkuara.

Aktualisht mban pozicionin e kancelarit në sistemin e Universitetit të Teksasit.

Fjalimi është shkëputur nga libri “Nëse doni të ndryshoni botën… RREGULLONI KREVATIN”, botuar nga Minerva, Tiranë, 2018.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.