Fituesi i “Çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë, 2014″, Ben Blushi, me librin Otello, Arapi i Vlorës. Nga Valbona Nathanaili

Fituesi i “Çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë, 2014″, Ben Blushi, me librin Otello, Arapi i Vlorës.

Nga Valbona Nathanaili

Çmimi akordohet nga: Federation of European Publishers, European Writers’ Council,  European Union Prize for Literature, European Booksellers Federation & Creative Europe

“Jam shumë i lumtur për fitimin e këtij çmimi. Çmimi është një mundësi shumë e mirë për të komunikuar me lexuesit në një gjuhë tjetër, është një mënyrë më e bukur për të folur në gjuhë të ndryshme. Otello im është i ngjashëm me atë të Shekspirit, sepse njëlloj si ai vdes në fund për dashurinë, por gjithsesi është më i pastër, ndonëse më i dobët.” Me këto fjalë Ben Blushi, fituesi i “Çmimit Europian të Letërsisë” për vitin 2014 me librin Otello, Arapi i Vlorës përshëndeti të pranishmit në ceremoninë e dorëzimit, organizuar në sallën Agora, në mjediset e Panairit Ndërkombëtar të Librit që organizohet çdo vit në Frankfurt. Çmimi u dorëzua dje, më 8 tetor 2014, ora 10.00, nga Michel Magnier, Drejtor për kulturën dhe kreativitetin në Drejtorinë e Përgjithshme për Edukimin dhe Kulturën në Komisionin Europian, me motivacion  “Për cilësinë dhe kreativitetin që shfaqet në veprën Otello, Arapi i Vlorës, botimiUETPress dhe Mapo Editions.

Sipas Magnier, çmimi europian për letërsinë po shndërrohet në një faktor kryesor për qarkullimin e literaturës në Europë. Në një Europë me 84 gjuhë dhe 3 alfabete, është për t’u përshëndetur fakti që gjithmonë e më shumë vende po i bashkohen këtij çmimi. Fondet për përkthim po rriten nga viti në vit. Përkthimi i veprave të autorëve fitues është prioritet tashmë për Europën.

Synimi i Çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë është të nxjerrë në pah kreativitetin e letërsisë europiane dhe pasurinë e diversitetit të saj, të promovojë qarkullimin e letërsisë në Europë, si dhe të inkurajojë një interes më të madh për veprat letrare në përgjithësi.

Mbas ceremonisë së dorëzimit të çmimeve, u organizua një panel me autorë europianë, Janne Teller nga Danimarka; Marica Bodrožiž nga Gjermania, fitues i çmimit Europian i letërsisë për vitin 2013; Mely Klyak, Gjermania; Katri Lipson, nga Finlanda, fitues i çmimit Europian të letërsisë për vitin 2013; Michail Schischkin nga Rusia.

Debati u zhvillua mbi bazën e këtyre tematikave: Si mund t’a shndërrojmë Europën nga një labirint burokratik, në një aventurë letrare? Si mund ta bëjmë të funksionojë – me 24 gjuhë dhe 30 ose më shumë vende? Pse ka kaq shumë çmime kombëtare për letërsinë, por shumë pak në nivel evropian? A është kultura një lidhje e dobët brenda Bashkimit Europian? A është në gjendje letërsia të bëjë diçka për të kapërcyer tensionet që ekzistojnë në Europë? Duke folur në terma kulturorë, çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Britania e Madhe?

Promovimi zyrtar i çmimit të Bashkimit Europian për Letërsinë, mbas ceremonisë në Frankfurt, u pasua me një takim të dytë, në Bruksel, i mbushur me aktivitete e intervista të shumta. Axhenda e takimeve në Bruksel, në vija të përgjitshme, përfshinte:

Dita e parë, më 16 nëntor 2014: Intervistë me Damian Horner në Cook and Book, lëvizje nëpër qytet dhe fotografi. Synimi – krijimi i një klipi në fund.  Ora 19.30, darkë në Stanhope hotel (Wellington room) me autorë fitues nga vendet e tjera dhe përfaqësues nga Këshilli Europian. Dita e dytë, më 18 nëntor 2014, nga ora 20-21.30: Ceremonia zyrtare në Concert Noble, Rue d’Arlon 82, 1000 Brussels; të pranishëm: 13 autorët fitues nga vendet pjesëmarrëse në çmim për vitin 2014. Çmimi u dorëzua nga Komisionieri për Arsimin, Kulturën, Rininë dhe Qytetarinë i Bashkimit Europian, në prani të shumë figurave publike nga fusha e kulturës, letërsisë dhe politikës. Pjesë e ceremonisë së dorëzimt të çmimeve ishte leximi, nga autori fitues, i një paragrafi nga vepra. Për të kënaqur lexuesit e dashamirësit e shumtë të Ben Blushit, paragrafin e zgjedhur nga Otello po e bashkangjisim:

  • Megjithëse Otello nuk e njihte dashurinë, zemra e tij kishte masën e duhur për ta mbajtur dhe durimin e mjaftueshëm për ta pritur. Kur jetonte në shkretëtirë, ishte i vogël, kur erdhi në Venedik, ishte i vetmuar, ndërsa në Vlorë ishte i frikësuar. Në këto tri udhëtime të jetës së vet ai nuk kishte menduar për dashurinë, sepse kur je i vogël, kur je i vetmuar dhe i frikësuar mendja të shkon te gjëra më të thjeshta, si gëzimi, miqësia dhe qetësia. Por dashuria rritet bashkë me zemrën e njeriut. Si thoshte Stefan Gjika që ia kishte parë zemrën, ajo ishte më e kuqe se e njerëzve të tjerë. Megjithëse nuk do donte ta zëvendësonte me zemrën e tij, natyrisht për të mos i shtuar më shumë vuajtje vetes, Stefan Gjika mendonte se Otello ishte i gatshëm për të dashur. Prandaj një ditë e pyeti: E di ti ç’është dashuria? Për habinë e tij Otello reagoi si një burrë dhe jo si një fëmijë dhe tha po. Çfarë është, e pyeti. Otello pa nga dritarja dhe duke lëvizur qerpikët për të kujtuar fjalë për fjalë një gjë që me sa duket e dinte, tha: Dashuria është lidhja mes një burri dhe një gruaje. Kaq pak, – vazhdoi doktori, – edhe një motër dhe një vëlla janë të lidhur me njëri-tjetrin. Dashuria e motrës dhe e vëllait kalon nga prindërit, – u përgjigj Otello. Ajo e burrit dhe e gruas kalon nga fëmijët. Stefan Gjikës iu duk sikur fliste me një kaktus shkretëtire që nuk i ka njohur kurrë gjethet, por vetëm rrënjët.

Dita e fundit e qëndrimit në Bruksel, 18 nëntor 2014: Organizatorët kishin mundësuar takimin e autorëve fitues me agjentë e botues nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe me përfaqësues të Këshillit Europian, nga ora 10.30 – 13.00, në hotelin Stanhope.

Intervista e dhënë në Bruksel nga Ben Blushi lidhur me çmimin dhe domethënien që vetë çmimi ka për të si autor, mund të ndiqet e plotë në linkun http://www.euprizeliterature.eu/node/415.

Pjesë e ‘zinixhirit’ të promovimeve të çmimit ishte edhe një event në një “bookshop” në shtetin përkatës (në rastin tonë u zhvillua në Tiranë, Friends Book House).

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.