“Fitimtarët” e Campbell  Nga Valbona Nathanaili

“Fitimtarët” e Campbell 

Nga Valbona Nathanaili

Refleksione rreth librit “Fitimtarët. Dhe si e arrijnë suksesin”, Autor Alaistar Campbell

Botues: UET Press ISBN 978-9928-190-55-0/ f. 424, Çmimi 1 200 lekë

Përktheu nga origjinali: Anjeza Xhaferaj

Titulli në original: WINNERS AND HOW THEY SUCCEED

 

Alastair Campbell është i njohur në Shqipëri. Për ata që politikën e kanë “punë”, politikanë ose njerëz që janë në shërbim të saj, emri i tij shpesh lidhet me një emër tjetër të dashur për ne, shqiptarët, Tony Blair. Bashkë janë takuar për herë të parë, më 1983, kur Blair hynte në Parlament si deputet i thjeshtë i laburistëve, ndërsa Campbell raportonte, si gazetar politik, për “Mirror”. Takimi u shndërrua shumë shpejt në miqësi dhe, më 1994, kur Campbell i bashkohet zyrtarisht ekipit të Blair, miqësia e tyre hyn pothuaj në kufijtë e legjendës: për afro 9 vjet ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt, drejtor komunikimi dhe këshilltar, admirues i guximit të Blair dhe kritizer i tij dhe i ministrave të kabinetit që Blair drejtonte. Për gazetaren Ilva Tare, Campbell është “i sjellshëm dhe arrogant, sharmant dhe miqësor, i ndershëm dhe miqësor, i gjatë dhe i papërpunuar, interesant dhe i mprehtë”. “Mbi të gjitha, i sinqertë. Kurrë më parë nuk kisha takuar dikë të fliste aq hapur për dobësitë e tij. Alastair-i e bënte këtë me një lehtësi mbresëlënëse, – shprehet Tare”.

Ali, sikundër e thërrasin shumë nga miqtë e tij, e zgjeroi shumë shpejt rrethin e të njohurve në Shqipëri, me botimin në shqip, më vitin 2012, nga UET Press, të librit me titull “Vitet me Tony Blair, ditari i zëdhënësit të kryeministrit britanik”. Sikundër shprehet Campbell “Shpresa ime, me këtë libër, është të ndihmojë në portretizimin e një burri me vizion dhe energji të pamata, i cili ishte i vendosur të përdorte kohën e tij në pushtet për të bërë diferencën dhe për të sjellë shumë ndryshime për mirë”. Me gjithë çmimin pak të kripur, – libri kushton 1500 lekë, “Vitet me Tony Blair”, shumë shpejt, u shndërrua në një nga librat më të shitur.

Campbell vjen përsëri në shqip me një libër të ri “Fitimtarët. Dhe si e arrijnë suksesin”, përkthyer nga Anjeza Xhaferaj, pedagoge e shkencave sociale pranë UET. Pas largimit nga politika e vijës së parë, – shprehet Campbell në parathënie, zbulova se shumë prej bizneseve punonin pa objektiva, ishin të varfëra në strategji, fushata, komunikim e menaxhim krizash dhe, shumë të tjera, ose nuk kishin taktika, ose ngatërronin strategjinë me taktikën. Për këtë arsye, shpjegon autori, fokusi në librin “Fitimtarët” është tek ata që kanë treguar se kanë aftësinë për të fituar, që konkurrencën e kanë shfrytëzuar si mundësi për të ecur përpara dhe se si (nëse) mjetet dhe strategjitë e përdorura prej tyre, mund t’i transferojmë e zbatojmë në jetët tona, se si botë, në dukje aq të ndryshme, si ajo e sportit, politikës dhe biznesit mund të mësojnë nga njëra-tjetra.

Fitimtarët e Campbell janë sportistë elitarë, biznesmenë të suksesshëm, menazherë të dashur e jetëgjatë në fushën e futbollit e të modës dhe politikanë të admiruar e karizmatikë. Për secilin nga personazhet, në përputhje me linjën e analizës se çfarë i ka bërë më shumë të suksesshëm se të tjerët, ose pse duhet t’i kemi si modelin e “Fitimtarëve”, sjell citime të tyre, bashkëbisedime e intervista të zhvilluara, shembuj nga jeta, si flasin e punojnë, si bashkëpunojnë, si i kanë shfrytëzuar rrethanat, si e konceptojnë konkurrencën, motivohen më shumë nga suksesi apo nga frika e humbjes, si mësojnë nga dështimet etj.

Sipas “The Telegraph”, ideja e madhe te shumë nga personazhet e librit të Campbell është se, më shumë se suksesin, “urrejnë”  humbjen. “E urrej humbjen më tepër nga sa dua fitoren”, thotë Brailsford në një bashkëbisedim me Campbell. “Ishim numri tre, por silleshim si të ishim numri një dhe nuk pranonim, për vite me radhë, të merrnim përgjegjësitë e dështimit e të neglizhimit. Do ishte më mirë të ishim numri një dhe të silleshim si numri dy,” – shprehet Justin King, ish-drejtori ekzekutiv i supermarketeve Sainsbury.

Për John Crace i “The Guardian”, “Fitimtarët” e Campbell janë të lumtur të punojnë në trusni dhe nuk rreshtohen në “zonën e komfortit”. Fjalimi i Edi Ramës, mbajtur në konventën e Partisë Socialiste para zgjedhjeve të 2013, – sipas propozimit të Campbell dhe aprovimit të menjëhershëm të vetë Ramës, fillon me një seri seri klipesh, ku njerëzit e filmuar nuk thonë pse do të votonin pro tij, por përse nuk do ta bënin një gjë të tillë. “Sapo delegatët e partisë kaluan tronditjen e depërtimit të kundërshtarëve e të armiqve të paftuar në konventën ku ata valëvisnin flamujt e partisë dhe brohorisnin, Rama nisi të shpjegojë se, që partia të fitonte, duheshin ballafaquar bindshëm, më parë, pikërisht këta njerëz”, – shkruan Campbell.

“Fitimtarët” e Campbell janë bërë për ditë nga pak. Ata dinë të ndërtojnë strategji, si strategu José Mourinho, që ka dy fjalë kyç: kontroll dhe talent, ose kancelarja gjermane Angela Merkel, që të gjithë strategjinë e saj e ndërtoi mbi bazë të një objektivi “Të shpëtojë eurozonën”; të udhëheqin, si Anna Wintour; të punojnë në skuadër, si Edi Rama; të jenë të vendosur, si Gorbachev; të mos shkëputen nga realiteti ku jetojnë, si Theodore Roosevelt, me thënien e famshme “Mbaji sytë tek yjet dhe këmbët në tokë”, ose Tonny Blair me parimin “sinqeritet maksimal, për të pasur besim maksimal”; të zgjedhin njerëzit me të cilët punojnë, si Bill Gate dhe Jack Welch;

Për Aldwyn Cooper i “The Huffington Post” fitimtarët e Campbell gëzojnë respektin e të gjithëve, jo sepse të gjithë mendojnë si ta, por sepse fitimtarët gjithçka e ndërtojnë në funksion të asaj që besojnë dhe të bëjnë të besosh në ëndrrën e tyre, si Nelson Mandela, Alex Ferguson, Jose Mourinho, Tony Blair dhe Willey Walsh.

Të pakët janë librat që kanë kaq shumë të dhëna, ngjarje, informacion, grimca nga jeta e përditshme të njerëzve që e kanë arritur suksesin jo si rastësi, por falë një pune këmbëngulëse e dëshire të pamatë. Nëse Alastair Campbell do të shkruante një vëllim të dytë të këtij libri, personazhi i parë duhet të jetë vetë ai.

Përmbajtja

PJESA I Trinia e Shenjtë. Kapitulli 1 Strategjia / Kapitulli 2 Udhëheqja / Kapitulli 3 Shpirti i ekipit / Kapitulli 4 Strategu: José Mourinho Kapitulli 5 Udhëheqësi: Anna Wintour Kapitulli 6 Lojtari i skuadrës: Edi Rama

Pjesa II Gjithçka është në mendje. Kapitulli 7 Mendësia e duhur / Kapitulli 8 Mendja ekstreme / Kapitulli 9 Pushteti i projektimit/ Kapitulli 10 Mendësia e një fitimtari të pamposhtur: Floyd Mayweather

Pjesa III Të dalësh mbi turmën. Kapitulli 11 Guximi / Kapitulli 12 Risia /  Kapitulli 13 Të dhënat / Kapitulli 14 T’i shndërrosh të dhënat në risi të guximshme: nga Formula 1 tek Narendra Modi

Pjesa IV Kthimi i pengesave në përparësi. Kapitulli 15 Menaxhimi i krizës / Kapitulli 16 Ringritja Kapitulli 17 Shpirti fitues i Australisë / Kapitulli 18 Mbretëresha: një fitimtare e vërtetë britanike / Konkluzion. Arti i të Fituarit.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.