Fake english? Nga Valbona Nathanaili 

Fake english? 

U mbars mali dhe polli një mi dhe The mountain got pregnant and a mouse was born, apo The mountain has labored and brought forth a mouse?

Nga Valbona Nathanaili 

Në një takim me Federica Mogherinin dhe Komisionerin Johanes Hahn, në shtator të vitit 2016, në Bruksel, kryeministri ka përdorur fjalën e urtë popullore U mbars mali dhe polli një mi, në formën e një batute.  Zoti kryeministër, në variantin anglisht të tij, shprehet në këtë mënyrë: The mountain got pregnant and a mouse was born. Në fakt, varianti anglisht është “The mountain has labored and brought forth a mouse” (i ngjashëm me atë italisht, sipas znj. Mogherini “La montagna ha partorito un’ topolino”). Të dy variantet, edhe ai anglisht, sipas fjalorit të anglishtes, edhe ai italisht sipas znj. Mogherini, kanë ndryshim nga ai shqip, sepse ata referojnë në fakt vetëm çastin e lindjes (shih fabulën origjinale më poshtë, sipas Ezopit), ndërsa ai shqip referon të gjithë procesin e barrës, nga ngjizja (ose mbarsja) deri në lindje (pjellje).

Thënë ndryshe, varianti jo-shqiptar, ose i huaj, është i kufizuar në kohë, ndërsa varianti shqiptar është i shtrirë në kohë. Pra, kryeministri ka përkthyer nga shqipja në anglisht një fjalë të urtë popullore fjalë-për-fjalë, proces i cili në përgjithësi nuk është mirë të zbatohet në raste të tilla, kur ekziston sinonimi në gjuhën e huaj, sepse tregon mungesë profesionalizmi.

Kjo duhet të ketë qenë edhe një arsye tjetër pse të dy të huajt u treguan pak të ngathët në reagimin e tyre, – thjesht nuk e kuptuan se çfarë donte të thoshte “autori”. Sigurisht që mendoj se ka qenë një improvizim i rastit, ose ndërhyrje emocionale nga ana e kryeministrit tonë, sepse në se ka qenë e përgatitur, tregon që nuk janë bërë kërkimet e duhura për të gjetur sinonimen e duhur të shprehjes në anglisht.

Autorësia The mountain has labored and brought forth a mouse i referohet Ezopit (620-560 p.e.s.), por ka përdorim pothuaj në të gjitha gjuhët – në variante më të shkurtra ose më të gjata, me më shumë ose më pak ndryshime – por gjithmonë në referencë të dikujt që premton shumë, por nuk bën asgjë, ose shumë zhurmë për asgjë etj. etj. Në fund të fundit përvojat me të cilat ndeshen të gjithë popujt janë të njëjta dhe mësimet – kush do të nxjerrë mësime – janë po ato, por e rëndësishme është të referohen saktë, veçanërisht kur përfaqëson e flet në emër të një populli të tërë.

Sipas Ezopit

Një ditë, njerëzit panë se malin e kishin zënë dhimbjet e lindjes. Nga maja i dilte tym, toka lëkundej në këmbët e tij, pemët shkëputeshin dhe shkëmbinj të mëdhenj rrokulliseshin teposhtë. Të tmerruar, u mblodhën të gjithë bashkë, në pritje të ndodhte diçka e tmerrshme. Nisur nga zhurma, patjetër që duhej të ndodhte diçka që nuk kishte ngjarë më parë. Të gjithë prisnin me zemër të ngrirë… Papritmas, një tërmet i fuqishëm… toka u hap. Një humnerë gjigante… Njerëzit u ulën në gjunjë, filluan të falen dhe në frikën se çfarë do të dilte nga barku i malit, menduan fundin… Por asgjë… përsëri asgjë edhe disa çaste më vonë… Më i guximshmi zgjati kokën dhe, pas tij, edhe gjithë të tjerët. E vetmja gjë që dalluan ishte koka e një miu të vogël që po përpiqej të largohej, në kërkim të vrimës së parë.

E njëjta fabul citohet edhe në Arti i Poezisë, kur Horaci, dëshiron të thotë se si nuk duhet të jetë hapja e një poezi:

Dhe mos filloni si autori i kohërave të lashta në një cikël kreshnikësh:

“Do të këndoj fatin e Priamit dhe më të madhes të të gjitha betejave”.

Dhe çfarë na dha në këmbim të premtimit të tij në hapje?

Një mal që shtërzohet e çfarë lind? Një mi qesharak!

(Varianti anglisht)

And don’t start like the old writer of epic cycles:

‘Of Priam’s fate I’ll sing, and the greatest of Wars.’

What could he produce to match his opening promise?

Mountains will labour: what’s born? A ridiculous mouse!

____________________________________

Fotoja kryesore: Sipas Wikipedias, Harper, Maj 1872

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.