Fajtorë pa faj  Nga Valbona Nathanaili

Fajtorë pa faj

Ose “Të gjithë që të pasurohen edhe më shumë disa”

 Nga Valbona Nathanaili

29 korrik 2016

Sapo morëm edhe “sihariqin” e fundit nga qeveria: ulet kufiri i taksueshëm i blerjeve on-line në 22 euro. E thënë shkurt: çdo blerje që e kalon këtë shumë, – afro 3000 në lekë shqiptare, taksohet me 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH + 2.4% taksë doganore). Por po të shtojmë edhe faktin që vetëm posta (e shpejtë dhe e sigurt) për të sjellë mallin deri në Shqipëri shkon, përgjithësisht, afro 20 euro, ndërkohë që bankat, tepër vigjilente për raste të tilla, mbajnë komisione, vlera e mallit që mund të sjellësh pa taksuar nuk është më 22 euro, por 0 euro, ose 0 lekë. Një qeveri që ndikohet kaq thjesht e shpejtë nga çdo grykës i pangopur nuk besoj se kemi pasur më parë.  Një qeveri më anti-globale ndërkohë që ka një ministri inovacioni dhe një ministri integrimi vështirë se mund të mendohej. Një qeveri më të djathtë se kjo qeveri e majtë që kanë votuar një milion shqiptar uroj të mos kemi më.

Sipas qeverisë, ky vendim merret “për të shmangur konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import.” Duhet të jetosh në ndonjë planet tjetër që ta besosh një arsyetim të tillë. Ose t’i kesh paratë me thasë e të mos kuptosh luftën për mbijetesë që bëjnë shqiptarët e thjeshtë për t’ia dalë deri në fund të muajit. Ose të jesh aq hundëlesh, sa çdo paaftësi për ta siguruar këtë konkurrencë të ndershme t’ia faturosh popullit. Ose thjesht je injorant në ekonomi e politika dhe ne, populli, si gjithmonë vuajmë mediokritetin dhe grykësinë e atyre që na drejtojnë.

Konkretisht. Subjektet tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend e kanë për detyrë të paguajnë taksa dhe tatime. Nuk çudit njeri kjo. Çudi do të ishte po të kalonin mallrat e tyre pa paguar këto detyrime. Por nuk jemi ne, njerëzit e thjeshtë, fajtorët që në vend ka konkurrencë të pandershme. Pse duhet të ndëshkohemi për një faj që nuk e kemi bërë? Cili gjykatës, veçanërisht tani që jemi edhe të “reformuar”, do guxonte të jepte një verdikt të tillë? Shteti ka mekanizma për ta bërë “zap” konkurrencën e pandershme. Shteti bëri zap, kur deshi, ose kur ishte më i devotshëm se sa duhej, – sipas kryeministrit, – vjedhësit e energjisë elektrike në fshatrat më të humbur të Shqipërisë dhe të mos bëjë dot zap disa “biznesmenë” që bëjnë tregti me çanta e valixhe dore!? Ose që bëjnë blerje on-line me çmime të ulura e kur ka oferta dhe pastaj na i shesin me çmime skandaloze? Po konsumatorin kush e mbron ose do ta mbrojë në raste të tilla? Konkurrenca e pandershme dhe synimi për ta shmangur atë, si shkak për të ulur kufirin e blerjeve të taksueshme on-line është jo i besueshëm si argument. Dhe jo bindës, sepse dukshëm është i njëanshëm: mbron pakicën e pasur dhe dënon shumicën e varfër.

Akoma, pagesa e këtyre taksave nga bizneset nuk është se i varfëron ata – njëlloj do na e faturojnë neve që ri-blejmë atë që ata kanë blerë ose edhe ri-blerë më parë, sepse është biznes fitimprurës, por për blerësit që shfrytëzojnë blerjet on-line është një mundësi e mirë për të pasur diçka cilësore,  – ndonjëherë në të rrallë për hir të së vërtetës, të përballueshme për të ardhurat. Që nuk ta sigurojnë pikërisht këta tregtarë që “qahen” për konkurrencën e pandershme, që arrijnë të lobojnë në shtresat më të larta të vendimmarrjes dhe të ndryshojnë politikat e një shteti. Nga kjo formulë e re e taksimit, shtresa që preket më shumë është e ashtuquajtura e mesme, po ajo që, e njëjta qeveri, ja rriti tatimin në të ardhurat sepse fitonte shumë – e famshmja taksë progresive (!!) Kapitalistët “fshatarë” shqiptarë që ende ulen këmbëkryq në tavolinë e kanë mentalitet të kohës së Zogut, nuk pyesin për disa euro ose lekë më shumë a më pak. Deputetët e ministrat jo e jo – rrobat e tyre nuk duken nga ato që blihen me -60 %. Të varfrit kanë luftën për mbijetesë. Si gjithmonë mbetet shtresa e mesme, ose shtresa “ndërmjet”, mallkimi i së cilës është se di më shumë se duhet dhe punon për fshatarët e mësipërm, por duke qenë e lidhur ngushtësisht me rrogën dhe të ardhurat modeste, është e paaftë për të qenë faktor në ndryshim. Dhe paguan heshtjen dhe komformitetin e vet.

Sipas revistës “Monitor”, referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, është rritur shumë numri i transaksioneve që lidhen me blerjet on-line jashtë vendit. Që do të thotë më pak blerje në qendrat tregtare dhe në dyqanet e butikët që mbushin rrugët e qyteteve tona. Kjo përbën shqetësim jo sepse ka më pak xhiro për pronarët e vegjël në dyqanet e rrugës, por sepse ka më pak blerje në qendrat e mëdha tregtare, pronarët VIP të të cilëve, e kanë të thjeshtë të ndikojnë në vendimmarrjen e qeverisë, sipas parullës: “Të gjithë që të pasurohen edhe më shumë disa”. Një lloj si në komunizëm: vetëm se atëherë të gjithë vishnim pantallona doku dhe fustane me copë turke, ndërsa tani të gjithë të vrapojmë të TEGU e QTU kur bëjnë ulje firmat me çmimet më të ulëta në Europë. I njëjti uniformitet, vetëm se ka ndryshuar marka e lustra. Shqipëria europiane sipas modelit të vitit 2016.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.