EKRANI I LIRË DHE SHPËRDORIMI I LIRISË Nga: Zimo KRUTAJ

EKRANI I LIRË DHE SHPËRDORIMI I LIRISË

Nga: Zimo KRUTAJ

Diskutimet për lirinë e medias, në thelb, kanë përfshirë gjithnjë edhe kufizimet e domosdoshme përkatëse. E lidhur drejtpërdrejt me lirinë e shprehjes, si një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, liria e medias është e sanksionuar ligjërisht dhe përbën një nga shtyllat e veprimtarisë radiotelevizive në vendin tonë. Por, kjo përmasë shumë e rëndësishme e lirisë, e siguruar tashmë realisht, nuk duhet të tejkalohet e të shpërdorohet, duke hyrë në konflikt me të drejta, përmasa lirie e detyrime të tjera të tjera të mediave të shkruara dhe elektronike. Të tilla janë ruajtja dhe mbrojtja e së vërtetës, shëndetit dhe moralit, respektimi i dinjitetit dhe privatësisë së individit, mbrojtja e të drejtave të të miturve, të personave me aftësi të kufizuara etj.

Pavarësisht përkufizimeve detyruese të ligjeve shqiptare apo të konventave ndërkombëtare në këtë fushë, mendoj se duhet ta trajtojmë gjendjen e medias shqiptare, në raport me lirinë dhe vlerat morale, si detyrim profesional e qytetar, si vlerë shpirtërore jo rrallë e munguar në ekranin e vogël. Shpërdorimi i lirisë, nëpërkëmbja e vlerave njerëzore e qytetare, të etikës e kulturës së komunikimit janë dukuri që kanë shoqëruar zhvillimin e vrullshëm të medias sonë elektronike në dekadën e fundit, duke ndikuar negativisht në cilësinë e programeve të saj.

Në panoramën mediatike shqiptare ka disa operatorë radiotelevizivë, veçanërisht televizionet tona kombëtare, që tashmë janë një vlerë e padiskutueshme e lirisë, e pluralizmit, e shoqërisë dhe e kulturës shqiptare. Niveli, përvoja por edhe fuqia e tyre investuese tashmë është e tillë, saqë nuk mund ta nënvleftësojë e ta lërë pas dore cilësinë e programacionit,  afirmimin në media të vlerave morale që edukojnë e formojnë qytetarët e ardhshëm të këtij vendi, përmes respektimit të lirisë dhe shmangies së shpërdorimit të saj. Një shembull të qartë të keqpërdorimit e shpërdorimit të lirisë, të keqinformimit e të dëmtimit, në radhë të parë, të ekuilibrave formues e edukues të fëmijëve e adoleshentëve të sotëm përbën transmetimi integral i prodhimeve të Kinostudios “Shqipëria e re”, apo realizimeve filmike të Televizionit Shqiptar të kohës së diktaturës komuniste. Themi “në radhë të parë” se kjo pjesë e shoqërisë së sotme është e pambrojtur ndaj ideve, mesazheve antihumane e aestetike që rrjedhin prej këtyre realizimeve, që i thurin lavde e hosanara një regjimi diktatorial.

Qëndrimi ndaj regjimit komunist, ndaj diktaturës së proletariatit, ka vite që është bashkëshoqërues i tranzicionit të zgjatur të shoqërisë së sotme shqiptare. Pjesë e rëndësishme e këtij qëndrimi janë raportet me trashëgiminë letrare e artistike të kohës së diktaturës, sidomos me atë pjesë të filmografisë së kohës, e cila, qartas e pa asnjë ekuivok, glorifikon deri në absurd regjimin komunist, figurat politike të saj, luftën e klasave etj. Prej shumë vitesh, media shqiptare, veçanërisht shtypi i shkruar, por edhe media elektronike, përmes rubrikave të shumta si dosierët, intervistat, portretet, emisionet, filmat, dokumentarët, ditarët, etj, i kanë servirur publikut prodhime të pjesshme ose të plota, të realizuara në kohën e diktaturës komuniste. Kemi mendimin se kjo nxitet e bëhet më shumë për arsye që “diktohen” nga një lloj nostalgjie e tregut për këto lloj prodhimesh sesa me qëllime njohjeje, analize apo studimesh të zhvillimeve shoqërore e historike. Të ndikuar nga ky “sukses”, kohët e fundit, ka kanale televizive që transmetojnë në mënyrë të përsëritur, të plotë, pa asnjë lloj komenti, madje duke i paralajmëruar përmes spoteve joshëse, shumë prodhime kinematografike e televizive të diktaturës komuniste.

Transmetimi i plotë i këtyre prodhimeve të Kinostudios “Shqipëria e re” apo të Televizionit Shqiptar, përveçse një shembull i shpërdorimit të lirisë dhe të së vërtetës, është keqpërdorim i dhunës, informim i dëmshëm e i gabuar, shtrembërim e deformim i historisë etj. Përmbajtja e këtyre prodhim-realizimeve është e njohur. Le të kujtojmë vetëm shkarazi mjaft realizime të dobëta filmike, sidomos dokumentarët që kanë në qendër terrorin e kuq të luftës së klasave, gjyqet, luftën kundër fesë, shpërfytyrimin e njeriut si qenie individuale, urrejtjen ndaj pronës, kapitalit, adhurimin deri në flijim për idealin komunist e udhëheqësit komunistë etj, etj. Në thelb ato godasin shtyllat më të rëndësishme mbi të cilat mbështetet zhvillimi i shoqërisë së sotme njerëzore: liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. E gjithë shoqëria shqiptare sot, përmes aksesorëve të ndryshëm të saj, sidomos përmes shkollës dhe familjes, e mbështet edukimin dhe formimin e fëmijëve e të rinjve në shtyllat e mësipërme. Po çfarë i ofrojnë teleshikuesve të mitur adoleshentë e të rinj transmetimet e ritransmetimet e panumërta të programeve të sipërpërmendura? Pasdite e më shpesh në mbrëmje, në një nga orët më të ndjekura, fëmija përpara ekranit, sheh e dëgjon në televizor, nga fillimi në fund, fjalimin Enver Hoxhës “Demokracia proletare –demokraci e vërtetë”. Ndjek me kureshtje moshatarët e vet të dikurshëm dhe turmat në delir para udhëheqësit, apo adoleshentë me kazma e lopata në duar teksa shkatërrojnë institucionet e kultit, faltore, kisha, xhami e tyrbe të vjetra, duke kënduar për Partinë. Sheh edhe një radhë kriminelësh të dënuar nga “Gjyqet e popullit”… Për disa prej tyre, paradite, në shkollë, ka mësuar se janë martirë të kombit e shembuj për t’u ndjekur. Më tej dëgjon se Amerika qenkësh “Xhandar ndërkombëtar e armiku më i madh i popullit shqiptar,” kur sapo ka parë pritjen për ambasadorin amerikan në Tiranë… Dhuna që buron nga ekrani, këtu nuk është më e tërthortë, por e drejtpërdrejtë. Ajo dëmton e deformon koncepte të marra rishtas, krijon koncepte të shtrembra, prish ekuilibra që në vetvete janë të brishtë, por bëhen edhe më të dobët nga përplasja e informacioneve të marra nga burime të ndryshme, për dikë që nuk është ende në gjendje të gjykojë në mënyrë të pavarur. Atij i është dhunuar pikërisht e drejta për të vërtetën, dhe keqinformimi i moshave të reja, në këtë rast, nuk mbaron këtu. Ai përzihet me një dhunim e persekutim të ri, kësaj here mediatik (por që nuk mbetet vetëm i tillë) të të gjithë atyre që ishin viktima të drejtpërdrejta të terrorit komunist, të fëmijëve e të të afërmve të tyre.

Nga ana tjetër, trasmetimi i plotë i një dokumentari që glorifikon diktaturën komuniste zhvlerëson në mendjen e fëmijës, por edhe në ndërgjegjen e tij, për shkak të ndikimit të madh të medias dhe të ndjeshmërisë së moshës, mjaft nocione, përcaktime e parime morale të rëndësishme. Natyra e tyre është e tillë, që, për shkak të specifikave që lidhen me mjedisin, formimin, moshën, personalitetin e karakterin e individit në formim e sipër, nguliten më pas e ndikojnë në gjithë jetën e individit, qytetarit të ardhshëm. Nocionet mik – armik, liri – demokraci, lider – qytetar, i pasur – i varfër, i mirë – i keq, e të tjera, përqasen e ngatërrohen me përcaktimet kriminel – hero, spiun – diversant, anarki – diktaturë, udhëheqës – proletarë, besnik – tradhtar, religjion – ideologji, etj.

Një rrezik më pak i dukshëm, jo dhe aq i drejtpërdrejtë, me një veprim të ngadaltë por të sigurt, është ngulitja te fëmijët dhe moshat e reja e disa kategorive estetike në mënyrë të shtrembër, shpesh të përçudnuar, që më pas është shumë e vështirë të riformohen e të zëvendësohen. Kjo lidhet me të ashtuquajturën estetikë socrealite. Glorifilimi i lejfenizmit, i homus novus të kohës së diktaturës, veç të tjerash, është një nga krimat e para estetike të arteve e sidomos të filmografisë komuniste në vendin tonë. Parulla e njohur për “… ndihmësit e Partisë në edukimin komunist të masave” nuk ishte një slogan dhe aq. Ishte një parim themelor i diktuarës së proletariatit në veprim, ishte filli i kuq i ideologjisë komuniste që përshkonte veprat artistike. Forma dhe figurat artistike, të përdorura në krijimet e asaj kohe, i nënshtrohen këtij qëllimi dhe parë nga këndvështrimi i sotëm, kategoritë estetike lëvizin nga shtrati i tyre i mëvetësishëm dhe nga funksioni normal, duke krijuar deformime e keqkuptime të mëdha. Shtrembërimi i të vërtetave historike shoqërohet me deformimin e të vërtetave apo parimeve estetike e artistike. Këtyre u shtohen edhe situatat e stisura, trajtimet skematike bardhë e zi, varfëria e shprehjes, loja patetike dhe emfatike në shumicën e filmave artistikë, si dhe gjuha e thatë, skeletike, në stilin e raporteve e fjalimeve në kongreset famëkeqe të partisë. Kategori të njohura estetike si e bukura, e shëmtuara, e madhërishmja e ulëta e të tjera, në këto krijime e çorientojnë krejtësisht një personalitet në formim e sipër. Gjithashtu, fëmija apo adoleshenti i sotëm shqiptar të cilit i serviren kino-ditarët, dokumentarët, apo filmat e llojit të sipërpërmendur, pa sqarime e koment shoqërues, ndjehet i pambrojtur dhe i dëmtohen seriozisht formimi, aftësia për gjykim të pavarur dhe shijet. Sepse i duhet të pranojë të mirëqena klishe të tilla (a)estetike si “klerikët armiq e spiunë, gjithnjë të këqij”, “Komisari e sekretari i Partisë i mirë… “Mbreti Zog-satrap”, “Beljerët – tradhtarë e anadollakë” e kështu me radhë… Por teksti i sotëm i historisë së Shqipërisë, që fëmijët bëjnë në shkollë, thotë të kundërtën: Klerikë shqiptarë, të të tri feve, ishin atdhetarë të shquar, gjyqet komuniste shfarosën intelektualë të mirëfilltë, Ahmet Zogu ishte burrë shteti, që themeloi e konsolidoi shtetin shqiptar, dhe bejlerët, përveçse etërit e kombit si Ismail bej Qemali, ishin mendjendritur si fjala vjen bejlerët e Frashërit, Eqrem bej Vlora apo Faik bej Konica, të cilin bota e qytetëruar e quante “enciklopedi shëtitëse”… Filmat e kohës së diktaturës që denigrojnë figura të tilla, të cilat janë ajka e patriotizmit, maja e lëvrimit të gjuhës e të vlerave estetike e artistike, edukojnë shije të këqija edhe për krijimtarinë si vlerë e mirëfilltë në vetvete. Ato i nivelojnë shijet, i shtyjnë drejt mediokritetit kërkesat estetike, pengojnë gjykimin e shëndoshë të shikuesve që, në këtë rast, janë nxënës, si dhe çorientojnë dhe prishin ekuilibrat e domosdoshëm të edukimit e të formimit.  Siç thotë Marshall MCLuhan, në veprën Instrumentat e komunikimit – Media si një zgjatim i njeriut, dukuria e sinestezisë, “bashkimi i shqisave dhe jetës imagjinare” që u realizua “në jetën e përditshme me anë të veprimit estetik të radios dhe televizionit”, duhet konsideruar jo vetëm si mundësi, por edhe si përparësi e medias. Ndaj duhet vlerësuar gjithnjë si e tillë.

Respektimi i lirisë dhe jo shpërdorimi i saj, zbatimi i ligjit dhe parimeve e normave të etikës dhe jo nëpërkëmbja e tyre do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në vlerat dhe cilësinë e asaj që na “mbërthen” para ekranit të vogël. Dënimi i krimeve të komunizmit mund të bëhet me rezolutë, por të gjitha gjymtyrët e shoqërisë, sidomos media televizive, duhet të bëhen pjesë e këtij vlerësimi. Që të kemi sa më pak raste të shpërdorimit të lirisë së ekranit të vogël. Transmetimi me koment, për qëllime ilustruese, është një akt dhe detyrim profesional pasi ajo që mbetet, përtej përmbajtjes së programeve a emisioneve të këtij lloji, është mosrespektimi i kodeve e raporteve etike e profesionale, dëmtimi e keqformimi i shijeve dhe, ç’është më e rëndësishme, cenimi i dinjitetit të publikut. Nuk e kemi fjalën për ndalimin, por për transmetimin kritik të filmografisë për diktaturën, të shoqëruar me analiza e komentet përkatëse, në fasha orare të përshtatshme. Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, një minimum i përgjegjësisë shoqërore, morale e profesionale të medias kërkon të mbahet parasysh se dëmtohet edhe vetë ekrani që transmeton programe të kësaj natyre, të cilat nëpërkëmbin etikën televizive dhe ulin nivelin e cilësinë e komunikimit me shikuesit.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.