Edukimi i papagallit Nga Rabindranath Tagore

Edukimi i papagallit

Nga Rabindranath Tagore

Përshtati nga anglishtja, Valbona Nathanaili

Na ishte kush na ishte!

Na ishte një herë një mbret që kishte një papagall që e donte shumë. Por Mbreti donte ta edukonte sa më mirë papagallin e tij, pasi të mos shkosh në shkollë është gjë e keqe.

  • Gjëja e parë që më duhet për edukimin e papagallit është t’i siguroj një ndërtesë ku do të arsimohet, – mendoi.

Mbreti mblodhi arkitektët më të mirë të oborrit dhe u kërkoi t’i ndërtonin një kafaz të mrekullueshëm prej ari.

  • Por me çfarë do të mësojë papagalli? Më duhen edhe testet shkollore!

Mbreti mblodhi ekspertët më të mirë për këtë punë. Sipas ekspertëve, tekstet nuk janë kurrë tepër për synimin tonë. Pasi punuan ditë e natë, ia arritën qëllimit.

Pastaj u punësuan mësuesit. Dhe meqënëse ishin më të mirët, paguheshin shumë mirë. Aq e mirë ishte paga, sa me lekët që merrnin nga puna ndërtuan shumë shpejt shtëpi për vete.

Një ditë prej ditësh, Mbreti vendosi të vizitojë shkollën. Kafazi funksiononte më së miri, ndërsa mësuesit e rrethuan dhe filluan t’i tregojnë për metodat që përdornin për mësimin e papagalli. Metodat ishin kaq të mira dhe kaq të shumta, sa mbreti harroi të pyesë për vetë papagallin, kaq i parëndësishëm dukej përpara gjithë atyre arritjeve, ndërsa vetë mësuesit harruan se duhej të flisnin edhe për të.

Nga çfarë pa e dëgjoi,  Mbreti dukej shumë i kënaqur. Çdo gjë ishte perfekt – asnjë e metë.

Sa i takon papagallit, edhe ai nuk kishte pse të qahej – nuk i mungonte asgjë. Për më tepër, gurmazin e kishte të mbushur kaq shumë me gjethet e librave, sa as nuk cicërrinte e as pëshpëriste dot.

Mësimet vazhdonin.

Por një ditë papagalli vdiq! Dhe asnjë nuk kishte idenë më të vogël se kur kishte ndodhur kjo dhe nuk mund të thoshte nëse kishte vdekur dje, pardje… apo para disa kohësh?

Të gjithë i zuri frika! Nipi i Mbretit që ishte në krye të Ministrisë së Arsimit, mori përsipër të raportonte ngjarjen.

  • Zotëri, arsimimi i papagallit përfundoi!
  • Kërceu ndonjëherë? – pyeti Mbreti, kurioz.
  • Kurrë, – ju përgjigj nipi.
  • Po për të fluturuar, fluturoi ndonjëherë?
  • Jo, – pasoi pothuaj e njëjta përgjigje.
  • Më sillni papagallin! – ishte kërkesa e fundit e Mbretit.

Sollën papagallin, i cili iu nënshtrua inspektimeve të rrepta të të gjithë të pranishmëve.

Mbreti preku me gisht trupin e tij. Vetëm gjethet e librave lëshuan një shushurimë të dobët.

Jashtë dritares, fëshfërima e një ere të lehtë pranvere ndërmjet gjetheve të reja të asokas e bënin prillin edhe më të trishtë.

Komenti kryesor që mund t’i bëhet kësaj historie është se kur flasim për arsimin tentojmë të merremi me gjëra të mëdha dhe fokusohemi shumë pak në gjërat e ‘vogla’, sikundër janë fëmijët, kurioziteti dhe dëshira e të cilëve për të mësuar mund të shërbejë si një bërthamë e mrekullueshme rreth së cilës të vërtisim gjithë punën tonë pedagogjike.

Për Tagore, fëmijët janë më të shkathët se të rriturit pasi nuk rëndohen nga pesha e zakoneve të vjetra. Detyra e arsimit është të mbajë gjallë këtë kuriozitet, në respekt të lirisë e individualitetit të fëmijëve.

Në shumicën e shkollave ne kërkojmë të imponohemi me dije e informacion, shpesh në mënyrë vertikale e hierarkike, nga mësuesi te nxënësi. Një karakteristikë tjetër që ndiqet në orën e mësimit është kërkesa për memorizimin e fakteve, teorive e informacioneve të ndryshme, veçanërisht në shkencat politike, histori e gjeografi. Pa nënvlerësuar rolin që ka ky lloj të mësuari, është e rëndësishme të theksojmë se edukimi fillon me mëndjen e fëmijës. Synimi ynë duhet të jetë rritja e lirisë së mendimit në përputhje me mjedisin social pjesë e të cilit është. Artet dhe letërsia janë mënyra shumë të mira për të stimuluar kritikën ndaj atyre zakoneve e traditave që na mbajnë larg ndryshimit, që frenojnë iniciativën për të ecur përpara. Këto përpjekje duhet të fillojnë në moshë sa më të njomë.

Marrë nga libri “The Oxford handbook of Philosophy of education”, edited by Harvey Siegel, 2009, Oxford UniversityPress. 

Përshtati nga anglishtja: Valbona Nathanaili

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.