“Edhe një shqip. 31 Intervista” Autor: Rudina Xhunga

“Edhe një shqip. 31 Intervista” Autor: Rudina Xhunga

Nga Dritan Hila (Parathënia e librit)

Unë nuk e mbaj mend telefonatën e parë që më ka bërë Rudina Xhunga. Në fakt, klisheja e marrëdhënies burrë-grua, e klasifikon si më të paharrueshmen dhe unë duhej të mos e kisha harruar pasi ishte dera që më hapi njohjen me gruan, e cila do të bëhej njeriu i jetës sime. Por tani që bëj një analizë, mendoj se shkak i kësaj harrese janë ditët e mëpastajme me gruan time. Në telefonatën e parë ishte një femër. Më pas ishte Rudina Xhunga, e cila çdo ditë të jetës ma ka kthyer në një kënaqësi shpirtërore dhe intelektuale. Nuk e kisha për herë të parë që dilja në transmetime televizive, por ishte dalja ime në emisionin e saj “Shqip”, e cila më ktheu nga një prej figurave anonime që gëlojnë aq shumë në eter, në personazh publik të identifikueshëm. Dhe këtë ia di për nder asaj.

Ka një intuitë të lindur për të vlerësuar nëse njeriu që ka përballë vlen apo jo; instiktivisht ndan mediokren nga vlera; e ftohtë në gjykimin e veprimeve të politikanëve sa dhe pasionante në kapjen e kauzave të drejta; pëlqen apo shmang njeriun, gjestin, vendin, gjithçka që i ofrohet duke gabuar rrallë në përcaktimin që jep; naive deri në habi për gjëra të thjeshta që i di çdo femër e zakonshme. Është ky zhbalancim nga e zakonshmja që e bën të jashtëzakonshme. Por ashtu si unë, që jam një ndër shumë zbulimet e saj, ajo ka sjellë emra ku e ku më të mëdhenj: Arbën Xhaferin, kur ai dhe shqiptarët e Maqedonisë me problematikat e tyre ishin ende enigmatikë për shqiptarët e Shqipërisë; Rexhep Qosen, në gjithë kompleksitetin e tij; Erion Veliajn dhe aktivistë të Mjaft!-it kur këta nuk ishin më shumë se një bezdi për policinë e Tiranës; Edi Ramën, kur mendohej se qenia Kryetar Bashkie ishte një aksident i historisë, përballë Fatos Lubonjës që ishte ashtu siç është; shqiptarë të njohur në botë si Jaho, Pirgu, Sala, Paci, Preljocaj, por që kalonin pa vëmendje në vendin nga vinin; Gideon Levy-n, gazetarin kontrovers izraelit që përkrah palestinezët; gazetarë investigativë amerikanë që operojnë në Ballkan dhe gazetarë ballkanas që ndeshen çdo ditë me mafien; Michel Houellebecq, shkrimtarin francez që përzuri CNN-in dhe pranoi Rudinën vetëm se i dukej ekzotik vendi i saj i panjohur, nga ku ajo i dërgonte maile për katër vite rresht. Ka sjellë politikanë të Shqipërisë me debatet e tyre, ku në klishenë logoritëse, kanë edhe shkëndija qytetarie, të cilat mendoj se vinin nga studioja ku flisnin. Por kjo është ajo që do të lexoni në këtë libër.

Ajo që unë kam parë pas kuintave dhe në shtëpi, është një nënë e cila në një dorë mban kompjuterin apo librin, dhe njëkohësisht bisedon me Alanën duke i zbuluar botën. Dhe të dyja i bën me të njëjtin seriozitet, ndaj jo më kot në zemrën e Alanës nuk ka vend për të tjerë. Pas çdo interviste me shkrimtarë, qëndron gjithë kolana e tyre e lexuar në orët e vona të natës, pasi ka vënë vajzën në gjumë. Para çdo interviste me politikanë janë qëndrimet e tyre të mëparshme të përgatitura nga Sonja, Dorina apo Elira. Fat që politikanët tanë nuk shkruajnë.

Dikur, Dino Buzzati, në fund të romaneve dhe tregimeve të tij, vinte një tufë me shenja pikësimi dhe i thoshte redaktorit që t’i vendoste ku e shikonte të nevojshme. Në shkrimet e mia e bën Rudina. Është kritikja dhe redaktorja e parë e shkrimeve të mia dhe njeriu që më futi në morsën e shkrimit të shkurtër të stilit amerikan. Dhe kjo është një punë shtesë e paditur e gruas time. Jo pak e vështirë dhe shpesh herë pa rezultat, kur nuk ia del të më ndryshojë mendjen për qëndrimet politike ndaj njerëzve të cilët për mua janë politikanë, ndërsa për Rudinën miq të hershëm. Kur Ron Howard bëri film librin e Dan Brown “Kodi i Davinçit”, kritika ishte dyshuese nëse do të ndiqej nga publiku diçka e thënë një herë në një bestseller. E njëjta pyetje vlen për përmbledhjen me intervista të Rudinës të ndjekura një herë në emisionin më të shikuar të së hënës.

Unë mendoj se ia vlen, së pari sepse leximi na jep të gjithë kohën e nevojshme që aparati ynë i analizës të bluajë çfarë i intervistuari ka dashur të thotë dhe nënkuptojë. Së dyti, për shkak se shumë njerëz që kanë folur në këtë libër, janë personazhe botërorë që e njihnin (nëse) në mënyrë sipërfaqësore vendin tonë. Pas kësaj, kanë folur shqip me një shqiptare. Dhe kjo bën diferencën. Pasi tashmë shumë njerëz që shkruajnë librin e botës dhe bëjnë historinë e saj, jo vetëm i njohim, por edhe na njohin. Falë gruas time, Rudinës.

Botues: UET Press. ISBN 978-9928-190-53-6

Redaktor Dorina RIZVANOLLI

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.