Edhe këtë radhë po njëlloj Nga Valbona Nathanaili

Edhe këtë radhë po njëlloj

Nga Valbona Nathanaili

Në kohë të vështira bëhen politika të mira, – kjo është një aksiomë që e përdorin shumë politikanë, veçanërisht kur janë në opozitë, jo si ngushëllim për pozicionin ku ndodhen, por si katalizator për më shumë alternativa mendimi se si do ecet përpara. Me përjashtim këtu te ne, – në kohë të vështira bëhen politika edhe më të vështira. Aq të vështira, sa ngado t’i sjellësh gjithmonë prodhojnë absurd. Aq absurde janë, sa duhet me patjetër të kenë arbitër të jashtëm.

Në fakt, për të gjithë ne që jetojmë në këtë absurd, shkalla e tij nuk matet me numrin e arbitrave të huaj që hyjnë e dalin në këtë vend, qofshin këta edhe politikanë, por me këmbënguljen e të ashtuquajturve politikanë tanë për të vazhduar me të njëjtën mendësi të fiksuar si përpara njëzet vjetësh, por që sot duket se ka marrë përmasat e një flluske gati për të shpërthyer. Nuk aprovohet ligji për vetingun se mungon opozita, por zgjidhet presidenti dhe caktohet edhe data e zgjedhjeve ndonëse mungon opozita.

Njëzet vjet “demokraci” ata karakterizohen nga e njëjta dëshirë për të zhvatur sa më shumë për vete e për miqtë dhe nga i njëjti moral për të mos dënuar asnjë nga kasta; ose nga e njëjta kokëfortësi për të mbajtur ligje që kritikohen nga të gjithë. Njëzet vjet “demokraci”, por të rrallë janë ata politikanë që nuk kanë provuar çdo lloj posti ministror të mundshëm, apo që kanë qëndruar në poste të tilla për dy e tre mandate me radhë, megjithëse ka ndryshuar tërësisht krahu i drejtimit të vendit dhe u është dashur të lëpijnë atë që kanë pështyrë një mandat më parë. Ndërkohë, po të kemi parasysh edhe gjuhën e egër dhe denigruese me të cilat dy forcat kryesore i drejtohen njëra-tjetrës, duket si mision i pamundur për këdo njeri të zakonshëm, por jo për ta.

Për të krijuar një tablo sa më të qartë për një vend, – këshillojnë shumë autorë, – mos shihni indekset e zhvillimit, të cilët në pjesën më të madhe manipulohen lehtësisht, ose nga vetë qeveritë, ose nga vlerësuesit e tyre. Qeveritë e kanë shumë të thjeshtë të plotësojnë disa kritere fikse, si veproi për shembull Vladimir Putin më vitin 2012, i cili vendosi si synim që vendi i tij do të përmirësonte treguesit që lidheshin me “lehtësinë e të bërit biznes” dhe, brenda gjashtë vjetëve, Rusia u ngjit nga vendi i 120-të në vendin e 20-të, por në fakt nuk e ndryshoi situatën, sepse numri i investitorëve të huaj në këtë vend është relativisht i ulët. Pra tregues më të mirë, por gjendja po ajo. Ndërsa sa u takon vlerësuesve, shumë nga institucionet që hartojnë dhe masin këto indekse janë klientë të qeverive që i kërkojnë për arsye marketingu të arritjeve të tyre dhe për t’i përdorur në zgjedhjet e radhës si suksese personale. Pra, kur klienti paguan parà, a ka mundësi që perspektiva ekonomike e tij të jetë e keqe? Sigurisht që jo.

Për të qenë sa më objektiv, një nga mënyrat më të mira për të filluar me vlerësimin e gjendjes së një vendi është të dëgjosh se çfarë thonë vendasit. Dhe ka kaq shumë rrjete sociale, portale e komente që kundërshtojnë këtë situatë absurdi e palaçollëku e hajdutllëku e mashtrimi ku ndodhemi, sa kur i vendos përballë arritjeve që trumbetohen, dyzimi se këta që bëjnë politikë vërtet kanë të njëjtën mendësi të fiksuar njëzet vjeçare, papritmas zhduket e shndërrohet në siguri. E vetmja thirrje që nuk dëgjohet më është “E duam Shqipërinë si gjithë Europa,” – por aq shumë europianë kanë thënë se na ka humbur çelësi që hap portën tuaj të hyrjes, sa të paktën këto ditët e para nuk e kemi dëgjuar ende.

Të gjitha lajmet që vinë nga fushata zgjedhore nuk përbëjnë më lajm. Të duket sikur po vështron The Voice, – do kthehet juria (lexo: arbitrat ndërkombëtarë) dhe do i marrin ata të çadrës? Apo do kthehet juria (lexo: arbitrat ndërkombëtarë) dhe do i thonë atyre të ndërtesës përballë ju nuk bëni, shkoni në shtëpi, përgatituni edhe pak e pastaj ejani përsëri. Çfarë do ndodhë ndryshe këtë radhë? Me apo pa çadër, me apo pa zgjedhje “demokratike,” do kemi përsëri të njëjtët deputetë dhe të njëjtët ministra. Duket si një skenar që ka njëzet vjet që shkruhet nga të njëjtët autorë, pse këtë radhë duhet të kenë më shumë frymëzim dhe të veprojnë ndryshe?

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.