E folura në publik: filloni me idenë

FILLO ME IDENË

Chris Anderson

Kushdo që ka një ide, e cila ja vlen të ndahet me të tjerët, është i aftë të mbajë një fjalim të mrekullueshëm. E vetmja gjë që vërtet ka rëndësi në të folurën në publik nuk është vetëbesimi, ose paraqitja fizike, ose të folurit të këndshëm. E vetmja gjë që vërtet ka rëndësi është të kesh diçka me vlerë për të thënë.

Në vijim, fjalën ide po e përdor në një kuptim më të gjerë. Pra, ideja nuk ka pse të jetë vetëm një zbulim i madh shkencor, një shpikje gjeniale, ose një teori komplekse e së drejtës. Mund të jetë edhe thjesht zhvillimi i një sitek. Ose një aspekt i shpirtit njerëzor, shoqëruar me fuqinë e tregimit. Ose një imazh i mrekullueshëm që ka kuptim të veçantë. Ose një ngjarje që ju uroni të ndodhë në të ardhmen. Ose, ndoshta, thjesht një kujtim, për të sjellë në vëmendje se çfarë ka vërtet rëndësi në jetë.

Një ide është çdo gjë që mund të ndryshojë perceptimin që njerëzit kanë për botën. Nëse jeni në gjendje të mbillni idenë tuaj, në mendjet e të tjerëve, keni bërë diçka të mrekullueshme. U keni bërë një dhuratë me vlerë të pallogaritshme. Në një farë sensi, shumë real në fakt, një pjesë e vogël e juaja është bërë pjesë e tyre.

Keni ide që mendoni se mund t’i shërbejnë një audience më të gjerë? Është për t’u habitur sa keq gjykojmë kur përpiqemi t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje. Shumë nga folësit (shpesh meshkuj) duket sikur kanë rënë në dashuri me tingullin e zërit të tyre dhe janë gati ët flasin me orë e orë pa transmetuar asgjë që ja vlen. Nga ana tjetër, ka shumë njerëz (shpesh femra), të cilat nënvlerësojnë, pothuaj totalisht, punën, dijet dhe gjykimet e tyre.

Nëse e keni zgjedhur këtë libër për ta lexuar sepse ju pëlqen ideja e të krekosurit të skenë dhe të qenit një folës TED, apo se kërkoni të frymëzoni audiencën me karizmin tuaj, ju lutem mbylleni librin. Hiqeni nga dora. Nuk është për ju. Në vend të leximit të tij, shkoni bëni diçka tjetër. Ose vazhdoni punoni për të bërë diçka që ja vlen të ndahet me të tjerët. Stili pa përmbajtje nuk bën për ne, ta shpif.

Por, dhe me shumë gjasë ky është rasti, ju keni në veten tuaj gjëra me vlerë për të cilat edhe vetë nuk jeni i ndërgjegjshëm. Sepse nuk ka nevojë të keni shpikur “Sistemin mbrojtës të dritave nga luani”. Ju keni bërë jetën tuaj, që është e juaja dhe vetëm e juaja. Përbërë nga përvoja unike për ju. Për të cilat keni gjykimet tuaja, ngritur pikërisht nga këto përvoja. Secila prej tyre është me vlerë të ndahet me të tjerët. Ju duhet vetëm të zgjidhni, cilën prej?

Jeni i stresuar për diçka? Ndoshta, sepse keni një detyrë klase për të dorëzuar, ose sepse ju duhet të prezantoni rezultatet e një kërkimi shkencor në një mbledhje me kolegët, ose sepse ju duhet të flisni në klubin lokal “Rotary” rreth organizatës suaj, me synim përftimin e mbështetjes së tij. Ose, ndoshta, ju mendoni se nuk keni arritur asgjë në jetën tuaj, asgjë me vlerë që mund të ndahet ose për të cilën mund të flitet. Nuk keni ndonjë aftësi të veçantë krijuese. Nuk e mbani veten për super-inteligjent. Nuk keni ndonjë ide të shkëlqyer për të ardhmen. Akoma, ndoshta nuk e dini edhe nëse keni ndonjë gjë me pasion?

E pranoj. Për secilin nga rastet e mësipërm, pika e nisjes është e vështirë. Meqenëse koha e audiencës është me vlerë, patjetër që në përgatitjen e një fjalimi, duhet të keni diçka për të cilën ju zotëroni dijeni të plota. Teorikisht, gjëja më e mirë që mund të bëni për momentin, është të vazhdoni të kërkoni, në gjetjen e asaj gjëje që ju rrëmben, ju bën t’i kushtoni kohë, t’i shkoni në thellësi dhe, kthejuni këtij libri pas dite vitesh.

Gjithsesi, përpara se të arrini në këtë konkluzion, është me vlerë të kontrolloni dhe, përsëri kontrolloni, brenda vetes tuaj, nëse vetëvlerësimi që keni për veten është i saktë. Ndoshta keni mungesë vetëbesimi? Është me vlerë të ndalemi një farë paradoksi që shfaqet në raste të tilla: ju gjithmonë keni qenë vetja juaj. Por, ju mund ta shihni veten tuaj vetëm nga brenda. Të tjerët ju shohin nga jashtë. Për rrjedhojë, gjërat që të tjerët vlerësojnë te ju, ndoshta për vetë ju mund të jenë krejtësisht të padukshme. Për t’i gjetur këto “gjëra” të mira që ju keni, është mirë të zhvilloni biseda të sinqerta me ata që ju njohin më së miri. Ata janë në gjendje t’ju evidentojnë disa nga karakteristikat tuajat më mirë se vetë ju.

Por në çdo rast, ju keni diçka që asnjë tjetër në botë nuk e ka: përvojën tuaj vetjake jetësore. Nëse dje keni qenë pjesë e një a disa ngjarjeve dhe keni përjetuar një a disa emocione, ato janë, në kuptimin e plotë të fjalës, unike. Jeni i vetmi në 7 milionë njerëz të kësaj bote që keni pasur saktësisht këtë përvojë. Kështu… mund të bëni diçka për to? Pjesa më e madhe e fjalimeve më të mira bazohen, thjesht, në një histori personale dhe në një mësim të vetëm të nxjerrë prej saj. Vërejtët diçka që ju la pa fjalë? Ju habiti? Ndoshta keni parë dy fëmijë duke luajtur në park, ose patët një bisedë me një të pastrehë? Në ato që patë, ose bisedat që zhvilluat, ka diçka që mund të jetë me interes për të tjerët? Nëse jo, mendoni se, në javët në vijim, ndërsa vijoni jetën tuaj, por këtë herë më i vëmendshëm dhe më i ndërgjegjshëm, mund të gjeni diçka që mund të jetë me interes për të tjerët dhe nga e cila ata mund të përfitojnë?

Njerëzve ju pëlqejnë historitë dhe çdo njeri mund të mësojë si të tregojë një histori të mirë. Edhe nëse mësimi që nxjerrim prej saj mund të tingëllojë i njohur, ose për të cilin mendojmë se jemi familjar. Nuk ka asgjë të keqe – ne jemi njerëz. Ne kemi nevojë të kujtojmë! Kjo është arsyeja pse, besimet e ndryshme fetare, zhvillojnë çdo javë predikime, duke na thënë, përsëri e përsëri, të njëjtat gjëra, por formatuar në mënyra të ndryshme. Një ide e rëndësishme, e ndërthurur me një histori të freskët, mund të prodhojë gjithmonë një fjalim të madh nëse thuhet në mënyrën e duhur.

Hidhni një sy në të kaluarën tuaj, në tre ose katër vitet që latë pas. Çfarë ja vlen të veçoni? Cila është gjëja që vërtet ju ngacmon, ose ju entuziazmon më shumë? Ose ju mërzit? Mund të ndani, nga bashkësia e punëve që keni kryer, tri ose katër për të cilat jeni vërtet krenar? Kur është hera e fundit që, gjatë një bisede, jeni shprehur për një çështje dhe, bashkëbiseduesi ju tha: shumë interesante? Nëse do të kishit shkopin magjik, cila është ideja që do dëshironit të shpërndanit dhe ta mbillnit në mendjen e njerëzve?

Shkëputur nga libri “Fjalimet TED”

Përktheu: Valbona Nathanaili

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.