DY PËRRALLA Nga Johan GALTUNG

DY PËRRALLA GAMILE, NUMRA DHE GJËRA TË TJERA Nga Johan GALTUNG

Përshtati në shqip: Valbona Nathanaili

Përralla e parë 

Na ishte një herë e një kohë një mulla që ishte nisur për në Mekë mbi një gamile. Rrugës, pranë një oazi, sheh tre burra ulur që qanin. Ndalon gamilen dhe i pyet: – Bijtë e mi, çfarë keni? Ata i përgjigjen: – Babai ynë ndërroi jetë. Ne e donim shumë! Oh, – përgjigjet mullai, – besoj edhe ai ju donte shumë dhe, sigurisht, do ketë lënë diçka për ju.

Të tre burrat, ndalojnë vajtimin, e i thonë: Po, na ka lënë! Na la disa gamile. Dëshira e tij ishte që t’i ndanim ndërmjet nesh në këtë formë: djali i parë të marrë 1/2 e tyre, i dyti 1/3 dhe i treti, më i vogli, 1/9. Sigurisht që ne do zbatojmë vullnetin e tij, por ka një problem. Babai na ka lënë 17 gamile dhe, duke qenë se 17 është numër tek, na vjen keq t’i ndajmë gamilet në këtë formë. Ne i duam shumë gamilet, prandaj jemi të mërzitur.

Mullai mendohet pak e u thotë: Unë po ju fal gamilen time. Në këtë mënyrë, ju bëhen 18 dhe 18, duke qenë numër çift, plotpjestohet edhe me 2, edhe me 3 dhe, edhe me 9. Kështu mos u mërzisni.

Burrat u dukën të hutuar fillimisht, por pas insistimit të mullait, e pranuan dhuratën. Të 18 gamilet i ndanë sipas testamentit: 9 gamile mori djali i parë, 6 gamile i dyti dhe 2 gamile i vogli.

Në total: 9+6+2=17.

Mënjanë, “gjallë e shëndoshë” sikundër të gjitha gamilet e tjera, ishte edhe gamilja e mullait.

-Mbaruat? – I pyet mullai. – Jeni të kënaqur tani? A mund ta marr përsëri gamilen time?

Të tre burrat, ndonëse nuk e kuptuan shumë mirë se çfarë ndodhi, i shprehën mirënjohen. Mullai mori gamilen e tij përsëri, i hipi dhe, gjëja e fundit që panë nga ai ishte një re rëre që ngrihej nga pas, ndërkohë që rrezet e fundit të një dielli mbrëmjeje përqafonin tokën.

Përralla e dytë 

Na ishte një herë e një kohë një avokat që ishte nisur për pushime në shkretërirë në një makinë të shtrenjtë. Rrugës, pranë një oazi, sheh tre burra të ulur që qanin. Ndalon makinën dhe i pyet: Çfarë ka ndodhur, pse qani. Ata i përgjigjen: – Babai ynë ndërroi jetë. Ne e donim shumë! Oh, – përgjigjet avokati, – besoj edhe ai ju donte shumë dhe, sigurisht, do ketë lënë diçka për ju. Unë mund t’u ndihmoj të zbatoni vullnetin e tij, kundrejt një pagese, sigurisht.

Të tre burrat, ndalojnë vajtimin, e i thonë: Po, na ka lënë! Na la disa gamile. Dëshira e tij ishte që t’i ndanim ndërmjet nesh në këtë formë: djali i parë të marrë 1/2 e tyre, i dyti 1/3 dhe i treti, më i vogli, 1/6. Sigurisht që ne do zbatojmë vullnetin e tij, por ka një problem. Babai na ka lënë 17 gamile dhe, duke qenë se 17 është numër tek, na vjen keq t’i ndajmë gamilet në këtë formë. Ne i duam shumë gamilet, prandaj jemi të mërzitur.

Avokati mendohet pak e u thotë: Shumë e thjeshtë. Pagesa ime është 5 gamile. Kështu ju mbeten 12. Numri 12, duke qenë numër çift, plotpjestohet edhe me 2, edhe me 3 dhe, edhe me 6. Llogaritë janë: 6 gamile për djalin e parë, 4 gamile për të dytin dhe 2 gamile për të voglin. Në total: 6+4+2=12 dhe pesë gamile për avokatin.

Dhe kështu bënë. Avokati i lidhi gamilet pas makinës, u nis dhe, gjëja e fundit që panë nga ai ishte një re rëre që ngrihej nga pas, ndërkohë që rrezet e fundit të një dielli mbrëmjeje përqafonin tokën.

Foto kryesore: Nga promovimi i librit të autorit të ri Xhuljan Ferzaj, “Aventurat e Piterit”, COD, 2017.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.