Drejtori i shkollës i shek. XXI. Çështje aktuale të lidershipit dhe të politikës

Drejtori i shkollës i shek. XXI. Çështje aktuale të lidershipit dhe të politikës

Autorë Milli Pierce, Deborah L. Stapleton

Përktheu nga anglishtja: Valbona Nathanaili

115 f. 190 x140 mm ISBN 978-9928-127-02-0 Çmimi 700 lekë Albanian University Press, 2011 (© anglisht: Harvard University Press

Rafti në bibliotekë: Shkenca shoqërore. Arsim. Udhëheqje. Edukim.

Libri ”Drejtori i shkollës i shekullit XXI” ofron diskutime të matura dhe plot ide të reja lidhur me çështjet kryesore me të cilat duhet të përballen drejtorët e shkollave publike. Autorë të artikujve të përmbledhur në këtë botim janë liderë të fushës së arsimit, me synim inicimin e këndvështrimeve të ndryshme dhe frymëzimin e veprimeve të reja, të gjitha nën ombrrellën e përmirësimit të shkollave publike dhe aftësive të lidershipit, të atij lidershipi që i kemi besuar arsimimin e fëmijëve tanë në mijëvjeçarin e ri. Libri trajton një varg çështjesh: Si do t’i përgjigjen liderët shkollorë ndryshimeve që po shoqërojnë politikat sociale, progresit të teknologjisë apo zhvendosjeve të popullsisë? Çfarë efektesh kanë në punën e tyre standardet dhe kërkesat për përgjegjshmëri? Cilat janë sfidat e mbushjes së hendekut të arritjeve ndërmjet të bardhëve dhe të zinjve? Siç vë në dukje Milli Pierce, një nga autorët e librit, në fjalët e saj paraprijëse, drejtorët e shkollave të shekullit të XXI duhet të jenë të pajisur me aftësitë e krijimit të grupeve të përkushtuar të punës, karakterizuar nga dëshira për të vepruar, të gatshëm të ndihmojnë në funksionimin e shkollës së tyre, sepse:

  • Nëse presim që të gjitha punët të bëhen vetëm nga liderët, jemi të sigurt se e vetmja performancë që do të mund të arrijmë është ajo e një mediokriteti statik, jo për shkak të paaftësisë së tyre, por për shkak të faktit se po u kërkojmë të jenë supernjerëz.

Nga libri: 

Shkollat publike janë shpresa më e mirë për arsimim për miliona fëmijë që jetojnë brenda kufijve të Shteteve të Bashkuara. Në një sipërmarrje të tillë gjenden të punësuar afro 5 milionë mësues dhe më shumë se 92000 drejtues. Sigurisht, që ky biznes nuk është më i madhi që mund të rendisim në aktivitetet që ushtrohen në vendin tonë, por në shumë komunitete, sistemi arsimor publik punëson më shumë njerëz se çdo biznes tjetër lokal.

Aktualisht, pak fëmijë po arsimohen për të punuar në mjedise teknologjike. Prodhimi, dhe nëse do të përmendja vetëm pak degë të tij si hardware, software dhe kompanitë biomekanike, i kanë mbështetur shpresat në përgatitjen e forcës së ardhshme punuese në shkollat publike. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është kjo: “A po bëjmë aq sa duhet, po punojmë si duhet, që të gjithë fëmijët të jenë të përgatitur për botën në të cilën jetojmë?” Në përputhje me rezultatet e testeve shtetërore, në 49 nga 50 shtetet, përgjigja është jo. Ndoshta, arsyeja për këtë përgjigje negative është se akoma nuk kemi mundur të biem në konsensus për tre çështje të rëndësishme: Çfarë duhet të dinë fëmijët? Çfarë duhet të jenë të aftë të bëjnë fëmijët? Si duhet të jenë fëmijët kur t’i nxjerrim në jetë, kur të kenë mbaruar klasën e dymbëdhjetë?

Çdo njeri që përdor një kompjuter apo laptop është në dijeni të rritjes së shpejtë teknologjike. Shkalla e përmirësimit të hardware duket se dyfishohet për çdo pesë vjet. Më kujtohet se kompjuterin e parë e kam pasur vetëm më vitin 1984: shumë i rëndë, me një disk të jashtëm dhe e bleva për 5000 dollarë. Sot, kam një laptop që e kam blerë për shumë më pak para (1200 dollarë), me shumë më tepër memorje dhe peshon vetëm 3 paund. Nuk kam arritur ende në atë pikë që të përdor teknologjinë Palm në vend të laptopit tim, por nuk dyshoj se së shpejti një gjë e tillë do të ndodhë.

Po jetojmë në një botë të re. Interneti ka ndryshuar përgjithmonë mënyrën tonë të jetesës: praktikisht, nuk ka asgjë që nuk mund të mësohet përmes tij, brenda një periudhe kohore prej disa minutash, për vende a njerëz. Kush do e çoj më tej këtë teknologji që po ecën me ritme kaq të shpejta? Kush do i zgjerojë kufijtë tanë të dijes? Nëse fëmijët tanë nuk do të jenë në gjendej ta bëjnë një gjë të tillë, atëherë kemi arsye të besojmë se do na duhet të importojmë njerëz nga vende të tjera.

Puna që do të bëjnë fëmijët tanë i ka rrënjët në të ardhmen. Cilat janë aftësitë dhe njohuritë themelore që duhet të zotërojnë ata? Çfarë duhet të dinë dhe çfarë duhet të jenë në gjendje të bëjnë? Nëse shqyrtojmë me kujdes kurrikulën shkollore, problemi bëhet më se transparent. Në të kaluarën mësuesit kanë dhënë mësim mbështetur në një përqasje të thjeshtë. Për shembull, nxënësit mësonin të “bënin” matematikë. Më tej, mësuesit provonin t’u mësonin nxënësve si t’i zbatonin njohuritë e fituara brenda disiplinës, që do të thotë se nxënësit duhet të ishin të aftë të zgjidhnin ushtrime të ndryshme bazuar në formula të njohura apo të bënin arsyetime për situata të ngjashme. Në disa shkolla, zbatimet shkonin edhe një hap më tej: nxënësit mësonin si t’i zbatonin njohuritë e fituara në disiplina të tjera, për shembull, mësonin të zbatonin, aparatin matematik të përvetësuar, në shkencën e fizikës, shkenca të tjera apo deri muzikë. Por shumë rrallë, ose pothuaj asnjëherë, nxënësve nuk u mësohej si të zbatonin njohuritë e fituara për probleme që dilnin në botën reale: të parashikueshme, ato me të cilat përballemi në jetën e përditshme apo të paparashikueshme, ato me të cilat ndoshta nuk jemi ndeshur ende por që do të kenë nevojë të zgjidhen. Pjesa më e madhe e sfidave dhe e nevojave të mësimnxënies gjendet në mbretërinë e këtyre problemeve. A mundet shkollat t’u japin përgjigje këtyre problemeve?

Për momentin, përgjigja shumë e dukshme, është: jemi pothuaj afër asaj ku duhet të jemi. Një vështrim i kujdesshëm në shkollat e mesme na tregon sa shumë kemi nevojë të dimë. 35 për qind e fëmijëve që janë në klasë të nëntë ose të dhjetë, dinë të lexojnë sa një fëmijë në klasë të pestë ose të gjashtë dhe, ndonjëherë, edhe më pak. Çfarë duhet të dinë nxënësit? Ata duhet të dinë si të lexojnë. Mësuesit e shkollave të mesme nuk japin mësime leximi e shkrimi. Kjo është diçka për të cilën ata nuk janë të trainuar. Në një bisedë që pata para disa kohësh me një kushërirën time, mësuese matematike në shkollë të mesme, edhe ajo ma vuri në dukje, me shqetësim, një problem të tillë. Kur e pyeta cila ishte sfida e saj më e madhe e të mësuarit, m’u përgjigj: nuk di si t’u mësoj nxënësve të mi lexim dhe, të më besosh, janë njohuri për të cilat ata vërtet kanë shumë nevojë. Ajo më konfirmoi një fakt që unë e dija: shkrimi e leximi nuk është pjesë e kurrikulës së shkollës së mesme. Nëse nxënësit e këtij niveli shkollimi kanë vështirësi në lexim, me shumë gjasa, nuk janë të përgatitur për të konkurruar për pozicione në ekonominë tonë bazuar në dije.

Nga ana tjetër, ajo çfarë duhet të dinë nxënësit ndikon direkt në rolin e drejtorit të shkollës. Pritshmëritë për drejtorët e shkollave kanë ndryshuar me kërkesat që po dalin në sistemin arsimor parauniversitar. Roli i drejtuesit, kryesisht si menazher, po zëvendësohet nga dita në ditë me nevojën për të pasur lider mësimor. Bota jonë e re kërkon drejtorë të cilët dinë si të identifikojnë liderët mësimorë, janë të aftë të ndërtojnë grupe instruktorësh, bëjnë përpjekje ta rekrutojnë lidershipin nga radhët e komunitetit shkollor, mbikëqyrin dhe, sigurisht, e kuptojnë mësimin. Për më tepër, drejtuesit e sotëm të shkollave duhet të mbajnë ritmin e reformës dhe të gjejnë mënyra për të siguruar mjetet e duhura për zhvillimin e nevojshëm profesional që do të rezultojnë në përmirësimin që pritet.

Për të plotësuar këto kërkesa, drejtuesit i kanë të gjitha mundësitë të shfrytëzojnë bollëkun e informacionit që gjendet në dispozicion të tyre lidhur me performancën e nxënësve dhe kompetencat e mësuesve. Testimet që po kryhen vit pas viti janë një burim i mirë të dhënash lidhur me atë se çfarë mësojnë fëmijët tanë. Por më duhet të pohoj se pak drejtorë shkollash i përdorin me efektivitet këto të dhëna apo janë në gjendje të bëjnë analiza të tyre. Vërtet fëmijët testohen gjithë kohën, por duket se përfundimet përdoren më shumë për të bërë lajm apo hartuar kronika për faqen kryesore të gazetave, se për t’u përdorur si mjet për të na udhëhequr në zgjedhjet tona mësimore. Të gjitha këto të dhëna mund të na shërbejnë fare mirë si baza për ngritjen dhe hartimin e planit për zhvillim profesional të mësuesve. Këtu mendoj se ka vend për të hapur një parantezë të vogël: të lexosh dhe të analizosh të dhëna kërkon një varg njohurish dhe aftësish specifike. Drejtorët e shkollave duhet të nxënë si të veçojnë të dhëna të ndryshme nga njëra-tjetra, si të përcaktojnë se cilët nxënës po nxënë dhe cilët jo apo si të ndihmojnë mësuesit të zhvillojnë strategji efektive për tejkalimin e mungesave që vihen re në nxënës të ndryshëm. Aftësi të tilla për drejtorët e shkollave janë të nevojshme, nëse shkollat do të duan të jenë të afta të arsimojnë nxënës të suksesshëm për ekonominë bazuar në dije.

Në kohën e punës, drejtorëve të shkollave ju duhet të parashtrojnë një varg shumë të madh kërkesash, të merren me shumë çështje pothuaj në të njëjtën kohë. Ndoshta, vetëm kjo deklaratë e thjeshtë shpjegon arsyen pse vuajmë nga mungesa e drejtorëve në ditët tona këtu, në ShBA. Ne parashikojmë që në tri vitet e ardhshëm, të humbasim afro 40 për qind të forcës së punës drejtuese. Përgjegjshmëria po i mbyt drejtorët e shkollave, po ju merr edhe atë pak autoritet që kanë. Në konfidencë, një drejtor shkolle më thotë: “Më janë dashur tre vjet për të hequr një mësues të paaftë”. Më vitin 1975, një drejtor tipik shkolle punonte 40 orë në javë; sot, shumica e tyre pohojnë se ju duhet të punojnë afro 60 orë/javë. Ditë më e gjatë pune, marrëdhënie me unionet e mësuesve apo probleme të vështira komunikimi, janë shumë faktorë që po e ndryshojnë nga dita në ditë rolin e drejtorit të shkollës, duke e kthyer në një pozicion gjithmonë e më pak të kërkuar.

Përpos të gjithave, drejtorët e shkollave janë avokatët e fëmijëve. Për të ushtruar një rol të tillë me sa më shumë efektivitet, ata duhet të njohin dhe të kuptojnë diferencat kulturore që ekzistojnë ndërmjet familjeve dhe anëtarëve të stafit të shkollës. Nga ana tjetër, shumë komunitete janë të ndarë në varësi të klasave apo të racave. Një numër gjithmonë e më i madh nxënësish po migrojnë në Shtetet e Bashkuara, duke ndikuar në shtresëzimin e komunitetit në mënyra të tilla që as nuk mund të përfytyroheshin deri edhe 30 vite më parë. Lëvizja nga një shtet në tjetrin po kthehet në një fenomen të përditshëm e të zakonshëm. Në çdo shkollë të ShBA që të shkoni, do gjeni nxënës bilingual, ndërkohë që vetë bilingualizmi, si dukuri, në mënyrë të vazhdueshme, po shihet si i dëmshëm. Roli i drejtorit të shkollës është të sigurojë arsim të barabartë dhe mbështetjen e duhur sociale për çdo nxënës të shkollës, një detyrë jo e lehtë, kur fokusi kryesor është testi, testi dhe përsëri testi. Drejtori duhet të sigurojë arsimimin e çdo fëmije: si të atyre që vijnë së bashku me familjet e tyre në kërkim të një jetë më të mirë, ashtu edhe të atyre që kanë lindur këtu, që përsëri, së bashku me familjet e tyre, janë në kërkim të një jetë më të mirë.

Në orën time të mësimit, shpesh u kërkoj nxënësve të më thonë se cili është synimi i shkollimit dhe, çdo vit, më duhet të rishoh ose të rishqyrtoj vlerat dhe besimet e mia. Lorraine Monroe, një ish-drejtore shkolle në New York dhe një person nga e cila kam mësuar shumë për rolin e drejtorit të shkollës në shkollat publike, përdor një shprehje që kam dëshirë ta sjell këtu, para jush, e cila në një farë mënyre përmbledh gjithë filozofinë time aktuale lidhur me synimin e shkollimit: shkollat efektive duhet të transformojnë jetët e fëmijëve. Puna e drejtorit të shkollës është të sigurojë që çdo fëmijë të shihet si një fëmijë që premton. Asnjë drejtor nuk duhet të pranojë mësues që kufizojnë shpresat e fëmijëve. Personalisht nuk kam takuar kurrë ndonjë fëmijë që nuk donte të respektohej, të vlerësohej dhe ta donin. Por, nëse fëmijët nuk kanë përftuar aftësitë e nevojshme për t’u përshtatur në mënyrën e duhur me botën përreth, shanset janë që ata të mos mësojnë si të duan, në radhë të parë, veten e tyre dhe, aq më pak, të besojnë se të tjerët do të kenë arsye për t’i dashur. E thënë thjesht, shoqëria jonë nuk ka luksin t’i lejojë vetes konceptin e fëmijëve të hedhur tutje. Aftësitë që u nevojiten drejtorëve të shkollave mund të mësohen e përvetësohen. Nuk bëhet fjalë për asnjë lloj misteri. Krye-mbikëqyrësit, drejtorët e unionet e mësuesve mund dhe duhet të punojnë së bashku në krijimin e shkollave publike, ku të gjithë fëmijët ndihen të suksesshëm dhe të vlerësuar. Ne dimë çdo gjë që ka nevojë të dihet për ta bërë si duhet një gjë të tillë. Por, dua ta mbyll me shprehjen e Ron Edmonds, pionierit të lëvizjes për “shkolla efektive”: “Si është e mundur që nuk e kemi bërë një gjë të tillë deri më sot?”

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.