Domosdoshmëria që udhëheqësit politikë të mos qëndrojnë “përjetësisht” në drejtim 

Ngritja dhe rënia e kombeve. Forcat e ndryshimit në botën post-krizë Autor Ruchir Sharma

Përktheu Valbona Nathanaili

Shtëpia Botuese “Pema”, Prishtinë, qershor 2017

Pjesë nga libri

Janë të rrallë ata udhëheqës politikë që e kuptojnë se mënyra më e mirë për të siguruar një vend të respektuar në histori është të tërhiqen pas një mandati të suksesshëm. Përkundrazi! Shumë prej tyre aspirojnë të vdesin në postin e kryetarit dhe bëjnë të pamundurën, – duke tejzgjatur kufizimet kohore që ka mandati, zhvendosur sa nga një post drejtues në tjetrin, ose edhe emëruar në poste drejtuese miqtë a të afërmit për të shërbyer në këmbë të tyre. Në Rusi, Putin u dredhoi kufizimeve kohore të mandatit duke u zhvendosur nga zyra e kryeministrit në atë të presidentit dhe anasjelltas. Në Turqi, Erdoğan ka ndjekur një udhë pak a shumë të njëjtë: pasi dështoi në ndryshimin e rregullave që e ndalonin të kandidonte si kryeministër i vendit për herë të katërt, kandidoi për president më vitin 2014 dhe fitoi. Me ardhjen në fuqi, firmosi urdhrin që rezidenca e presidentit të vendit të ishte ajo e ish-kryeministrit, pallati i sapondërtuar nën drejtimin e tij, me një mijë dhoma dhe që kishte kushtuar 600 milionë dollarë. Njëlloj si Putin dhe shumë të tjerë përpara tij, Erdoğan mund të kishte siguruar një trashëgimi të denjë, si një nga udhëheqësit më të mëdhenj të kombit për periudhën e pasluftës, – nëse do të ishte tërhequr me nder pas dy mandateve të njëpasnjëshëm. Por, në vend të kësaj, zgjodhi të qëndrojë dhe të jetë në qendër të një debati kontrovers. Në fund, – thotë Ralph Waldo Emerson, – të gjithë heronjtë janë thjesht njerëz të mërzitshëm.

Është shenjë e keqe për një vend kur udhëheqësit e tij nuk heqin dorë nga privilegjet që të jep pushteti dhe e shohin veten si të personifikuar me kombin. Socialisti bolivian, Evo Morales, e drejtoi vendin përgjatë dy mandateve dhe arriti të krijojë një ekonomi pothuaj të fortë. Më pas, ia arriti të ndryshojë kushtetutën dhe të mundësojë zgjedhjen e vetes edhe për një mandat të tretë, e cila përsëri nuk është shenjë e mirë. Ndërkohë, udhëheqësit aktualë të Brazilit, Malajzisë, Afrikës së Jugut dhe Venezuelës, – të gjithë janë zgjedhur me kujdes nga paraardhësit e tyre dhe kanë ndjekur pothuaj politika krejtësisht të ngjashme. Të tjerë e trashëgojnë pushtetin te të afërmit ose bashkëshortet dhe kjo është arsyeja, pse gruaja ambicioze e presidentit peruvian, Ollanta Humala, gjykohet nga shumë vëzhgues si pasardhësja e mundshme e tij, ose si presidentja e Argjentinës, Cristina Kirchner, mori postin e saj.

Nëse regjimet e konsumuar dhe të vjetër nuk kanë gjasa t’u ofrojnë njerëzve shpresën për reformimin e ekonomisë, e kundërta është e vërtetë për regjimet e rinj. Le të marrim në konsideratë përsëri protestat e verës së vitit 2013: Në atë kohë, në njëmbëdhjetë nga njëzet e një vendet më të mëdha të botës në zhvillim, partitë që përbënin shumicën kishin qëndruar në pushtet për më pak se tetë vjet dhe asnjë nga regjimet e tyre nuk u vendos në shënjestrën e protestave masive. Një rast i debatueshëm mund të jetë Egjipti, ku revoltat e Pranverës Arabe përmbysën dy regjime të njëpasnjëshëm, shumë shpejt, por në vitin 2013 protestat ishin kundër qeverisë ushtarake të ish-Marshallit në terren Abdel Fattah el-Sisi, i cili pothuaj nga të gjithë konsiderohej si mishërimi i diktatorit të vjetër Mubarak. Me pak fjalë, protestat e klasës së mesme në të katër anët e botës kanë qenë kundër regjimeve të konsideruar si në grahmat e fundit të agonisë së tyre, për t’u dhënë mundësi e hapur udhën të rinjve të provojnë vetveten. Këta regjime të rinj mbështeteshin në udhëheqës të pasprovuar në politikë, por të promovuar se do të ndërmerrnin reforma serioze për çuarjen përpara të ekonomisë, si për shembull në Meksikë, Filipine dhe Pakistan. Në këto vende, të rinjtë, të mirë-arsimuarit dhe klasa e mesme nuk kishin arsye të kundërshtonin miqtë e tyre dhe të dilnin në rrugë. Ata kishin arsye të besonin se ndryshimi për mirë është i mundur nën drejtimin e udhëheqësve të rinj. Dhe kështu bënë. Dhe kështu duhet të bëjnë të gjithë ata që vështrojnë këto kombe.

 

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.