Dita e zakonshme  e një shkolle publike Nga Valbona Nathanaili

Dita e zakonshme  e një shkolle publike

Nga Valbona Nathanaili

Është një shkollë e vogël diku në periferi të Tiranës, me afro 450 nxënës, nga të cilët më shumë se gjysma i përkasin komunitetit rom. Nga klasa e parë në të tetën ndesh pothuaj të njëjtat mbiemra dhe, po ashtu, edhe të njëjtat probleme: dikush me prindër të divorcuar, dikush me babanë të vdekur e dikush me të dy prindërit pa papunë. Më i pasuri është fëmija i rojes së shkollës. Në ora 7.45 dera e oborrit mbyllet – asnjë nuk mund të futet më në shkollë, të paktën jo në orën e parë. Nën thirrjen e një mësueseje “Rrjeshtohu ore handikapat i dreqit” kalamajtë-nxënës zënë secili vendin që u takon, të përcaktuar në bazë të klasës. Më të dashur janë të vegjëlit. Të mësuar të shahen ngado, veshët e tyre duken indiferentë ndaj kësaj thirrjeje. Sidoqoftë, rrjeshti i përsosur formohet dhe duke ngrënë akoma byreqe me gjizë që kullojnë nga yndyra, të blera për 200 lekë të vjetra diku nga fillimi i rrugicës marrin rrugën për në tempullin e dijes. Por për fatin e tyre të keq në banjën e çunave është thyer një xham …

Në mbretërinë e 10 lekëshit

Për çdo dëm që bëhet në shkollë duhet të paguajnë të gjithë për ta zhdëmtuar. Zhdëmtimi është financiar. Askush nuk kujdeset të gjejë fajtorin, ose të hulumtojë pse ndodhi ajo. Rrugë e gjatë, i bie nga Kina. Më mirë me 10 lekësha. Të gjitha pa përjashtim do paguajnë nga 10 lekë: 10 lekë për xhamin e thyer, 10 lekë për të blerë një vazo për klasën, 10 lekë për të blerë gëlqere se do lyhet palestra, 10 lekë se do blihen topa për orën e fiskulturës, 100 lekë për rojen, 10 lekë për bravën e klasës që u prish gjatë pesë minutëshit pushim dhe, së fundi, edhe 10 lekë për testimin e radhës. Nxënës me lista emërore në dorë që mbledhin e dorëzojnë te mësuesit 10 lekëshat e mbledhur: o zyyyysh, Xheni ka paguar 100 lekëshin e rojes, por nuk ka paguar 10 lekëshin e vazos …. O zyyyysh …

Mungon zysha

Në shkollë sot mungon një mësuese. Nuk ka rëndësi se çfarë lënde jep, nuk ka rëndësi se për çfarë arsye mungon, njëlloj sikundër nuk ka rëndësi se kush e jep alarmin – vetë mësuesi i “sëmurë” apo roja i shkollës. Është rregull që të lajmërohet në një zyrë që quhet dispozicioni e cila të dërgon një mësues papunë (në pritmëni quhet në gjuhën shkencore) që zëvendëson mësuesin që mungon. Mësuesi i dispozicionit është xhongler i vërtetë. Në orën 7.15 merr lajmin se në shkollën filan mungon një mësues, për shembull, mësuesi i historisë dhe niset. Nuk ka idenë më të vogël se me çfarë klase do të bëjë mësim, sikurse nuk ka idenë më të vogël se çfarë lënde do të shpjegojë. Me një siguri për t’u admiruar dhe vendosmëri për të marrë deri më një lekët për faktin se hyri në mësim dhe mbajti nxënësit brenda katër mureve, ai ‘zhvillon’ gjithë orët e mësimit të mësuesit që mungon.

Aktivitete të ndryshme

Mbledh planet edukativë të mësuesve. Shembulli nr. 1. Shkolla është vendi i edukimit. Edukim artistik: ndeshje futbolli në klasë. Edukim mjedisor: vaditja e lulevë të klasës.

Në bashkëbisedimet informale me mësuesit. Shembulli nr. 2. Mësuesi mburret se në fund të klasës së parë nxënësit e tij dinë të recitojnë ose të thonë ndonjë gjë-a-gjëzë.

Mbas kontrollit operativ në klasë. Shembulli nr. 3. Një muaj pasi është bërë festa e abetares, në klasë ka akoma analfabetë.

8 vjeçarja të jep zanat

Është në klasën e tretë, më e vogël se fshesa, por është ajo që e bën pastrimin e klasës çdo ditë. E ka caktuar mësuesja. “E bën me dëshirë”, thotë mësuesja. Dhe vërtet, sa herë të shkosh mbas mësimit në klasë, ajo është aty, duke pastruar. Të qesh me shumë dashuri, të përshëndet, pastaj vrapon të marrë kovën me ujë ose për të gjetur një fshesë të mirë. Asnjëherë nuk ka qëndruar mbas mësimit për të sqaruar diçka që nuk kuptonte nga matematika, ose për të marrë pjesë në ndonjë lodër, ose …. Mësuesja thotë se shteti më paguan vetëm për orët e mësimit, se gjërat kanë ndryshuar, se kemi një rivlerësim të gjendjes sonë dhe të punës për të cilën paguhemi, se ka ikur ajo kohë kur mund të punonim më shumë se ç’paguheshim … Është tema për të cilën diskuton më me shumë kompetencë, edhe pa orar. Dhe po kaq kompetente është edhe tjetra, edhe tjetra, edhe tjetra …

Mirupafshim nesër!

Foto kryesore: Fëmijë gjatë një aktiviteti shkollor në palestrën e shkollës “Xhezmi Delli”.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.