DILE PJETËR MARKU (Cuca e Maleve)

DILE PJETËR MARKU

Për Dile Pjetër Markun është shkruar shumë, por këtu referohen dy materiale, drama me të njëjtin titull shkruar nga Loni Papa dhe emisioni televiziv “Ngjarje dhe Data” transmetuar në Radio Televizionin Shqiptar, me rastin e 35 vjetorit të vrasjes.

Akoma, drama “Cuca e Maleve” ka qenë pjesë e repertorit të të gjithë trupave teatrore të shkollave të mesme para viteve 1990.

Drama “Cuca e Maleve”. Autor Loni Papa

Synopsis

“Cuca e Maleve” është dramë e letërsisë shqiptare, shkruar nga dramaturgu Loni Papa. Kjo dramë pasqyron luftën për arsimimin dhe emancipimin e gruas dhe të shoqërisë shqiptare ndaj forcave regresive dhe mentaliteteve të prapambetura në vitet e para pas çlirimit të vendit. Ngjarjet zhvillohen në një nga fshatrat e Veriut të Shqipërisë, në vitin 1949. Cuca ishte një vajzë e re, e cila nuk u pagëzua nga prifti i fshatit, sepse i ati, Gjini, nuk pranoi të ngrejë gurin e pendesës pas akuzës për një vjedhje, veprim të cilin ai nuk pranonte se e kishte kryer. Duke qenë se foshnja mbeti pa emër, i gjithë fshati e quajti Cuca.

Në dramë, Cuca është mbrojtëse e së resë dhe e të drejtave të grave. Ajo dëshiron të ndihmojë gratë dhe vajzat e fshatit të shkollohen dhe të kuptojnë të drejtat e tyre, si arsimimi, punësimi, barazia gjinore dhe të mos qëndrojnë të ndrydhura nën peshën e zakoneve dhe mentaliteteve të trashëguara nga e kaluara. Cuca është vajza e vetme në fshat që ka prishur fejesën e saj që në djep (kryer sipas ligjeve kanunore). Ajo ka ngritur në shtëpinë e saj kurse kundër analfabetizmit, për t’u mësuar grave dhe vajzave të shkrim e lexim. Duke u bërë ballë me dinjitet paragjykimeve, Cuca ka arritur të fitojë zemrat e shumicës së malësoreve. Aktiviteti dhe influenca e Cucës në fshat, shihen si sfidë nga Komiteti i Maleve. Me pretendimin se Cuca ka thyer zakonet dhe ka turpëruar fshatin, përkrahësit e Kanunit orvaten të manipulojnë mendimin e një pjese të fshatareve kundër Cucës, por pa ia dalë dot mbanë. Në këto rrethana kur kuptojnë se vajza rebele “po bëhet më e zgjuar dhe po del mbi burrat”, Komiteti i Maleve urdhëron vrasjen e saj. Një natë të errët, ndërsa Cuca është e vetme në shtëpi me nënën e verbër, katër burra hyjnë me pabesi, e nxjerrin me forcë nga shtëpia dhe e vrasin.

Drama “Cuca e Maleve” është vlerësuar me çmimin e Republikës të Shkallës së Dytë në vitin 1972.

DILE PJETËR MARKU – Heroinë e Popullit. Me rastin e 35 vjetorit të vrasjes

Çfarë ka kreshta që mendon? / Një bijë të vetën po kujton / Për Dilën një dëshmore / Sokoleshën kashnjetare.

Fli e qetë në tokën nanë / Moj Dilicë moj sokoleshë, / Çou shih Kashnjetën tonë / Se sa bukur sot është veshë.

 Lapidar ty të ka n’gritë /  emri yt t’na bëjë dritë.

  • (Kënga e shoqëruar me çifteli, me vargjet e mësipërme do të shoqërojë fillimin e emisionit me plane nga lapidari, varrezat e dëshmorëve dhe portretin e Dila Pjetër Markut).

Folësi: Kështu do t’i këndonte populli nëpër vite njërës prej bijave të tij trimëreshë, Heroinës së Popullit, Dila Pjetër Markut, Dilicës së Mirditës. Sokolesha e Kashnjetit apo si do e njihte mbarë Shqipëria me emrin Cuca e Maleve, me veprën e saj të pavdekshme do të hynte natyrshëm në këngë, në dramë, në rapsodi.

Mirdita, emër i bukur i një krahine me male të larta, të veshura me petkun e blertë të bjeshkëve. Në rrëzë të këtyre maleve e bjeshkëve, në shpatullat e kodrave, shtrihet fshati Pregen. Natyra i fali bukuri të rrallë Fregenit dhe tërë Mirditës, por mbi të gjitha njerëz të guximshëm, që kanë jetuar atje ku ishte vështirë të jetohej.

Këtu, në këtë shtëpi të Fregenti, në këtë familje të varfër që gjithë jetën ka vuajtur për bukën e gojës, u lind më 30 maj 1931, Cuca e Maleve, Dile Pjetër Marku.

Asnjë pushkë nuk u dëgjua atë ditë. Zakoni e donte që krisma të dëgjohej vetëm kur lindin djem, paçka se Dilica do të rritej burrneshë. Nuk i kishte mbushur ende të gjashtë muajt kur i vdiq i ati, Pjetri, dhe mbeti jetime. E ëma, Gjela, ishte e verbër, ndërsa i vëllai, Prenga, ishte ende fëmijë për të mbajtur mbi shpinë hallet e rënda të familjes. Në këto rrethana të vështira, tërë fëmijëria e Dilicës do të kalonte në mjerim e errësirë të plotë. Ashtu si gjithë vajzat e Kashnjetit e të tërë Mirditës, ajo u rrit pa shkollë e dituri. Edhe ato pak shkolla që kishte Mirdita në atë kohë, ishin në dorën e klerikëve. Dilica do të rritej nën presionin e ligjeve të egra të Kanunit dhe nën ndikimin e zakoneve të vjetra prapanike. Që kur ishte në djep, 7 muajsh, pikërisht mbi bazën e atij Kanuni, ishte fejuar larg Fregenit.

Fëmijëria e Dilicës do të kalonte në Mirditën e ngarkuar me barën shekullore të urisë, me plagën e pashëruar të vëllavrasjes, me hijen e zezë të kishave dhe të sarajeve të kapedanëve gjakpirës. Ishin ato kohëra, kur malësorët bënin ditë të tëra rrugë për të blerë një grusht misër dhe fare pak kripë.

Ndërsa kulloste bagëtinë nëpër shpatet e maleve, Dila dëgjoi për herë të parë se ishte themeluar Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila ishte vënë në krye të Luftës për çlirimin kombëtar e shoqëror.

Takimet e shpeshta me partizanët filluan të zgjojnë në ndërgjegjen e saj ndjenjën e një jete të re, krejt të ndryshme nga ajo që kishte kaluar. Ajo e shikonte se gratë dhe vajzat malësore po luftonin krah më krah me burrat dhe vëllezërit e tyre për të shporrur okupatorët dhe tradhtarët e vendit.

Kur mësuan lajmin mbi çlirimin eShqipërisë, edhe Dila, edhe nënë Gjela, nuk dinin si ta shprehnin gëzimin e tyre.

  • Të punosh për Partinë, ja këtë të bësh moj Cucë – i thoshte nënë Gjela. Ne jemi të varfër. Përveç jetës, nuk kemi gjë tjetër se çfarë t’i japim Pushtetit të Ri Popullor, moj bijë e nënës.

Në vitet e para të çlirimit, Dilen do ta gjejmë mes shoqeve, në ballë të luftës kundër zakoneve prapanike në Malësinë e Kashnjetit

Shumë shpejt ajo bëhet një propogandiste e flaktë e vijës së Partisë. Emri i saj fillon të dëgjohet anembanë Mirditës. Kontaktet e shpeshta me kuadro të njohur të Partisë si Bardhok Biba e Ndrec Ndue Gjoka, e lartësojnë dhe aftësojnë Dilen edhe më shumë si luftëtare të së ardhmes.

Megjithë presionet e armikut të klasës, Dila do të shkonte aty ku e thërriste zëri i Partisë, në mbledhjet e rinisë, në kurset e luftës kundër analfabetizmit, në aksionet e ndryshme ku luftohej e punohej për ndërtimin e jetës së re.

Ishte verë e vitit 1948. Në fshatin Kalur bëhej një mbledhje për të dalë vullnetarë në ndërtimin e hekurudhës tiranë – Durrës. Dile Pjetër Marku ngrihet e para:

  • Me leje? Jam me fjalën tuaj, o i deleguar i rinisë. Më regjistroni vullnetare.

Sinkron: Mrika Biba

Folësi: Aty ku derdhej djersa për ndërtimin e hekurudhës, Dila u kalit edhe më shumë me vështirësitë e jetës. Armiqtë vazhdonin pa ndërprerje veprimtarinë e tyre për të përkulur e gjunjëzuar këtë vajzë të Malësisë. Fjalët e dala lart e poshtë nga armiku i klasës dhe reaksioni se ajo ishte një “vajzë e përdalë”, se “kishte koritë malet e shkelur rëndë ligjet e Kanunit”, megjithëse i rëndonin në shpirt, mundi t’i përballojë së bashku me ndihmën e shokëve të Partisë që gjithmonë i qëndronin pranë, me guxim.

  • Mbahu o burrneshë, – i thoshte vazhdimisht Bardhok Biba. Ti je sokolesha e Partisë.

Dila e kishte gjetur tashmë rrugën e saj. Ajo ishte përgatitur shpirtërisht për t’u përballur me çdo sakrificë, deri në derdhjen e gjakut për Partinë. Është koha kur reaksioni lëviz në përpëlitjet e tij të fundit duke kryer akte sabotimi, vrasje e krime të shëmtuara. Bandat e tërbuara të kriminelëve kërkonin të zhduknin me çdo kusht manushaqet e para në pranverën mirditore. Ishin këto banda që më 7 gusht 1949 vranë Sekretarin Politik të Komitetit të Partisë të Rrethit Mirditë, Heroin e Popullit Bardhok Biba. Vrasja e komunistit hero tronditi thellë zemrat e mirditorëve, tronditi edhe zemrën e Dilës 18 vjeçare.

  • Kriminelët vranë Ndrec Ndue Gjokën, vranë Martën e Prenën, vranë Mrikën, të vranë ty o Bardhok. Kujtimi yt na jep forcë, na jep krahë.

Pikërisht në këto momente, Dile Pjetër Marku shkon vullnetare për të dytën herë në hekurudhë. Tashmë Dila e Kashnjetit, duke mos përfillur presionet e shantazhet, me guxim do ta thoshte hapur fjalën e Partisë, kudo dhe kurdoherë, për të drejtat e gruas në punë, shoqëri e familje.

Sinkron: Drane Lushi

Emri i Dilicës ishte kthyer në një emër të urryer për reaksionin. I ashtuquajturi Komiteti i Maleve vendosi të hakmerrej me çdo kusht. Nata e 14 nëntorit 1950 ishte me shi. Kriminelët, së bashku me priftin e fshatit Don Zef Oroshin, kishin hartuar planin e vrasjes së Cucës së Maleve. Skena ishte ngjethëse.

Sinkron:  Gjela Marku, nëna e heroinës

Folësi: Pse ke vajtur në hekurudhë? Ti po na prish gratë! Ç’të duhet ty Partia?

Këtyre fjalëve të ndyra të kriminelëve, Dila ju përgjigj me kokën lart:

  • Partia është jeta ime.

Kriminelët e lidhën vajzën sokoleshë. Nëna e verbër plakë, e mbetur vetëm, dëgjon nëpër natë krisma pushke. Këtu, në këtë vend, buzë përroit të Fregenit, 35 vjet më parë, u vra nga kriminelët për të mbetur e pavdekshme Dila Pjetër Marku, që do të hynte në histori me emrin Cuca e Maleve. Sokolesha 19 vjeçare e Kashnjetit, veprimtarja e zjarrtë e rinisë, luftëtarja e palodhur për dritën e përparimit, ngrihet sot në piedestalin e trimërisë nga Partia.

Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e ka dekoruar Dila Pjetër Markun me titullin e lartë “Heroinë e Popullit“.

Cuca e Maleve, shqiponja e maleve, bija e Partisë, ka mbetur me veprën e saj të pavdekshme simbol heroizmi dhe frymëzimi për të gjithë brezat.

Në foto kryesore

Roza Anagnosti në rolin e Cucës dhe Margarita Xhepa në rolin e nënës së saj.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.