Diçka po lëviz Nga Amik Kasoruho

DIÇKA PO LËVIZ

Nga Amik Kasoruho

Shkëputur nga libri “ÇMIMI I NJË ËNDRRE. ZGJIMI I MUNDIMSHËM I SHQIPËRISË”

Botimi i parë: Edizioni VIVERE IN, Roma, 2000

 Fjala i takon gjysma atij që flet dhe gjysma atij që dëgjon

Montaigne

Më 12 dhjetor 1986, mbarë një familje durrsake i bëri bisht mbikëqyrjes së policëve para kangjellave të ambasadës italiane në Tiranë: ia doli të futej në të dhe kërkoi strehim politik. Ky fakt jo vetëm që krijoi një incident diplomatik (autoritetet italiane nuk u dorëzuan para kërkesave të vazhdueshme të qeverisë shqiptare për t’i kthyer të arratisurit), por dalëngadalë mori formën e një prove qëndrueshmërie, duke i dhënë një goditje të fortë ballinës së demokracisë për të cilën kishte folur aq shumë PPSh-ja. Konflikti midis Shqipërisë dhe Italisë, për opinionin publik shqiptar, mori një rëndësi domethënëse: në rast se vëllezërit Popa do t’i dorëzoheshin policisë shqiptare (e cila nuk ngurroi të sajonte aty për aty provat për gjoja një veprimtari keqbërësish të rëndomtë dhe vulgarë), shpresat dhe besimi ndaj botës perëndimore do të kishin pësuar një tronditje jashtëzakonisht të fortë.

Qeveria shqiptare u kufizua me bisedime diplomatike dhe pastaj e la krejt në harresë këte fakt që, në kohë të tjera, mbase do të kishte marrë një kthesë të paparashikuar.

Vëllezërit Popa psherëtinë të lehtësuar. E me ta edhe mbarë vendi: përballë një prove të madhe, qeveria ishte dorëzuar. Këte nuk do ta harronte askush.

Një fat i çuditshëm kishte dashur që administrata Ramiz Alia  të niste me arratisjen e një familjeje dhe të përfundonte me eksodin e dhjetëra-mijëra qytetarëve.

Shqipërinë e vizitoi për herë të dytë Strauss-i. Nuk u mor vesh asgjë nga ç’u diskutua midis tij dhe qeveritarëve të Tiranës dhe aq më pak u panë rezultate. Sidoqoftë edhe në këtë rast shqiptarët u  ndien të motivuar të shpresonin: ishte një gjë krejt e jashtëzakonshme që një personalitet i botës perëndimore vinte në vendin e tyre.

Siç ishte bërë traditë, të nesërmen e mbylljes së punimeve të Kongresit IX të PPSh-së (1987), gazetat, në rubrikën  tyre të zakonshme Të vemë në jetë vendimet e Kongresit të Partisë, që fillonte e shtypej pas çdo kongresi, nisën të botonin një ortek artikujsh që u bënin jehonë atyre vendimeve. Por, ndryshe nga herët e tjera, në ndonjë prej atyre artikujve nxirrnin krye elemente të reja  në plot kuptimin e fjalës: në radhë  të parë toni më i zgjedhur, më intelektual. Pastaj fakti që një pjesë e atyre artikujve ishin nënshkruar jo vetëm nga shkruesit  e zakonshëm rrogëtarë, por edhe nga intelektualë, qofshin edhe komunistë, por që kishin opinione disi të përparuara. Midis këtyre, përshtypje të veçantë bëri një shkrim i nënshkruar nga prof. Hamit Beqja, pedagogjist, në të cilin gjykohej se i kishte kaluar koha luftës kundër trashëgimtarëve (në kuptimin gjeneracional) të “klasave të përmbysura” si shprehje e një interpretimi konservator të përvojës marksiste mbi konceptin e luftës së klasave. Për tematikën që trajtonte dhe për ndonjë pohim të tij pak të shtyrë (Prof. Beqja shkruante se të rinjtë nuk duhet të pësonin për “fajet” e prindërve të tyre, natyrisht, pa dhënë mendim për ato “faje” dhe pa vënë në dyshim kuptimin e fjalës “faje”), artikulli mund të konsiderohej ose një herezi, ose një përmbysje e praktikës së vlerësimit shoqëror. Autori ishte shok i ngushtë i Ramiz Alisë. Ishte pra me vend të mendohej se, në një farë mënyre, luante pak rolin e zëdhënësit të kryetarit të ri të partisë. Artikuj të tillë nuk mund të botoheshin në shtyp pa qenë dhënë më përpara pëlqimi i aparatit ideologjik të PPSh-së. Duhet patur parasysh se Beqja e kishte botuar artikullin e tij në gazetën Zëri i Popullit, organ i KQ së PPSh-së. Natyrisht, në praktikë nuk u bë asgjë. Bijtë e të përndjekurve politikë, si dhe më parë, nuk patën mundësi të ndiqnin studimet universitare, por botimi i një artikulli të tillë të shtynte të mendonte se diçka po ziente. Ishte një përpjekje për të testuar terrenin? Ishte një provokim? Ishte një nga ato spiralet e shumta të taktikës oportuniste që hapeshin kohë mbas kohe për tu mbyllur menjëherë? Edhe kësaj radhe ishte një nga ato slogane që shërbenin si opium për popullin? Ishte një lëvizje për të fituar kohë dhe për të shmangur vëmendjen publike, duke folur për gjëra që për disa brezni ishin konsideruar tabù?

Ndërsa gjindja fillonte të pyeste ç’po ndodhte me të vërtetë, apo thjesht nëse ishte duke ndodhur gjësendi, po në gazetën Zëri i Popullit, pak kohë më vonë u botua një artikull, kësaj here i nënshkruar nga Ylli Popa, kardiolog i njohur i vendit, i cili kishte qenë mjek i Enver Hoxhës, anëtar i Partisë dhe deputet i kuvendit popullor.

Për herë të parë publikisht dhe në një gazetë të KQ vihej në dyshim roli mbizotërues i partisë në jetën e vendit, edhe pse me aludime. Shkruar në një stil shumë tërheqës dhe me një ton thellësisht intelektual, që tregonte një erudicion jo të zakonshëm dhe një kulturë të formuar jo vetëm nga veprat e “korifenjve të marksizëm-leninizmit”, duke perifrazuar burrin e shquar të shtetit francez, Clemenceau, prof. Popa mbronte të drejtën e njeriut të mund të zgjidhte cilën perëndi të nderonte dhe të mos kushtëzohej nga konsiderata të imponuara nga autoritetet. Referimi ndaj njëmendes, ishte shumë i dukshëm. Miti i kryetarit të padiskutueshëm, të vetëm dhe të pagabueshëm, bosht i praktikës diktatoriale vihej në diskutim. Madje edhe më shumë, e zhvishte nga brerorja e mitit.

Vëllai i autorit të artikullit, Agim Popa ishte anëtar i KQ: edhe ai, një arsye më shumë të mendohej se përsëri nuk ishte fjala për një nismë vetjake të autorit të artikullit. Agim Popa kishte punuar shumë vjet në kah të Alisë në aparatin e propagandës së KQ[1] dhe ditët e para të protestës antikomuniste dha dorëheqjen nga PPSh-ja duke botuar edhe një letër të hapur në të cilën paraqiste arsyet që e kishin shtyrë të tërhiqej nga partia. Njerëzit në këtë rrëmujë të folmesh të ndryshme përpiqeshin të kuptonin atë që nuk thuhej haptas.

Shkurt mund të thuhet se nuk po jetohej një gjendje ku nuk lëvizte gjë. Diçka po lëvizte. Elementi i ri që dilte nga këto fakte të pazakonta ishte se disa ndryshime i dëshironin edhe ata që deri atëherë kishin përfituar nga regjimi. Të zgjedhur politikisht dhe të besueshëm, intelektualët e formuar nën regjimin duhej të ishin një mbështetje e pakushtëzuar e politikës së partisë. Por edhe midis tyre u ndje nevoja për të ndryshuar. Ndoshta sepse, duke qenë të privilegjuar, kishin patur mundësi të krijonin një ide të ndryshme të jetës që bëhej përtej kufijve të shtetit; ndoshta sepse gëzonin të drejtën të njiheshin me atë lloj letërsie (politike- filozofike, kulturore, informative, teknike etj.) që ishte krejt e ndaluar për masat, apo gjithsesi për njerëzit që nuk ishin të autorizuar nga autoritetet; ose sepse një pjesë e tyre ndiheshin të fyer o të lënë pas dore kur e shihnin veten që kishin mbi vete drejtues jokompetentë, me të vetmen meritë se i bindeshin qorrazi partisë së Hoxhës dhe se i qëndronin besnikë me fanatizëm. Natyrisht në këtë evolucion nuk duhet përjashtuar faktori oportunizëm, mbase shumë vendimtar, duke konsideruar konjunkturat e reja që po formoheshin më shumë jashtë sesa brenda vendit. Të gjithë e njihnin historinë e Pilatit.

Ata që ishin nga ana tjetër e barrikadës, nuk mund t’ia lejonin vetes të ushqenin iluzione. E kuptonin këtë evolucion të të besuarve të partisë në kundrimin e realitetit, por nuk e harronin thënien e lashtë timeo Danaos et dona ferentes[2] . Një dhuratë kaq e dëshiruar dhe e çmuar siç ishte liria, e ofruar nga ata që deri atëherë kishin bërë gjoja nuk kujtoheshin se liria mungonte kryekëput, a nuk mund të fshihte një qëllim tjetër?

Gjenda ishte e këtillë që çdo hapje dhe nga cilado anë të vinte, do të pranohej mirë e bukur. Në emër të së ardhmes njerëzit ishin gati të falnin një pjesë të padrejtësive që ishin kryer në të kaluarën.

Por Alia, i cili duket se nuk kishte këllqe për të qenë një burrë i vërtetë shteti, nuk e rroku flur çastin e përshtatshëm, u tregua i pavendosur dhe humbi rastin të mbetej në histori. Populli i tij, atëherë humbi mundësinë të rreshtohej në rrugën e ripërtëritjes shoqërore dhe politike midis të parëve në Lindje. Po ishte vetëm çështje kohe.

[1] Lidhjet e miqësisë dhe të farefisnisë midis personazheve të jetës shqiptare të atyre kohëve ndikonin shumë për të interpretuar faktet.

[2] Lat. U trëmbem grekëve edhe kur bëjnë dhurata.

Foto kryesore: Amik Kasoruho në moshën 17-vjeçare, pak përpara arrestimit.

Foto credit: Autori

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.