Diabetes mellitus Nga Ben Blushi

Diabetes mellitus

Pjesë nga libri Hëna e Shqipërisë Autor Ben Blushi (ff. 139-41)

Pesimizimi është i ngjashëm me diabetin. Ai është një sëmundje që e mpin nevojën për ndryshim. Është si diabeti për trupin e njeriut. Prek të gjitha shqisat, duke zvogëluar shpejtësinë e reflekseve dhe kalbur ngadalë. Gangrenizon gjymtyrët, verbon sytë dhe ul ritmin e zemrës. Unë do ta quaja pesimizëm diabetik. Diabetes mellitus, sipas greqishtes së vjetër, ose depërtimi i mjaltit.

Më ngacmon shumë përkthimi i këtij togfjalëshi, sa mjekësor, aq edhe letrar. Kur e lexon është tingëllues, frymëzues dhe ushqyes. Një lugë mjaltë të hap oreksin, do thoshte gjyshja ime. Gjithkush do zgjidhte mjaltin përpara kripës ose piperit. Por në fakt, akti është vdekjeprurës. Imagjinoni një trup që nginjet në mjaltë dhe mezi lëviz nga apatia, nga rëndesa në stomak, nga ngathtësia e gjymtyrëve dhe që gradualisht fillon e verbohet, horizonti i mjegullohet, kufijtë humbin largësinë e tyre, ngjyrat – forcën dhe shkëlqimin që u japin syve, derisa zemra zmadhohet, zgjerohet, sforcohet dhe rëndohet, duke mos prodhuar dot fuqinë motorike që duhet t’u përcjellë gjithë organeve të tjera për t’i vënë në lëvizje. Diabetes mellitus. Depërtimi i mjaltit.

Pasoja e këtij pesimizimi diabetik është e parashikueshme: pas 40 apo 50 vitesh popullsia e Shqipërisë do kufizohet deri në masën që i vlen elitës së pasur për fuqi punëtore. Të tjerët, të papunët dhe të pazotët, do jenë gjithnjë e më të pakët. Ata do kufizohen jo sepse do pasurohen, por sepse do pakësohen si racë, duke lindur më pak. Siç edhe thotë studimi i OKB-së që citova në fillim të këtyre mendimeve. Shqiptarët e varfër do të shtohen më pak derisa të zhduken vetë. Dhe ndoshta pas njëqind vitesh, Shqipëria nuk do ketë më të varfër, sepse ata nuk do të lindin më, ose më saktë nuk do të kenë arsye dhe kushte për të lindur. Pesimizmi diabetik, si pasojë dhe pabarazia si shkak do kenë fituar. Shqipëria do të jetë më e vogël, sepse çdo ditë e më shumë njerëz do t’i bëjnë këtë pyetje vetes: A mund të jetosh në Shqipëri? E nëse duhet të shmangim zvogëlimin e Shqipërisë duhet ta fshijmë këtë pyetje. Gjergj Fishta do të thoshte Surgite Mortu, Cohi të Dekun. Por ai ishte një prift. Dhe priftërinjve nuk u lejohet të parashikojnë.

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.