DETERMINIZMI EKONOMIK

DETERMINIZMI EKONOMIK. Analizë sipas George Ritzer & Jeffery Stepnisky

Shkëputur nga libri “Teoria sociologjike”, me autorë George Ritzer & Jeffery Stepnisky.

Përktheu: Bojken Abazi

Marx-i shpesh të jep përshtypjen sikur ka qenë një determinist ekonomik. Me fjalë të tjera, duket sikur ai i jepte një rëndësi madhore sistemit ekonomik, duke arsyetuar se ky sistem përcaktonte të gjitha fushat e tjera shoqërore: politikën, fenë, sistemet e ideve, e kështu me radhë. Megjithëse Marx-i nënvizoi rëndësinë që kishte sektori ekonomik, të paktën në shoqërinë kapitaliste, si mendimtar dialektik ai nuk mund të mendonte në mënyrë deterministe, për vetë faktin se mendimtari dialektik karakterizohet nga besimi se ndërmjet sektorëve të ndryshëm të shoqërisë ekzistojnë kundërpërgjigje të vazhdueshme dhe ndërveprime reciproke. Nuk ka se si politika, feja etj., të shndërrohen në fenomene të rëndomtë, të cilët përcaktohen nga ekonomia, pasi këto fenomene ndikojnë mbi ekonominë, ashtu si dhe ekonomia ndikon mbi to. Pavarësisht natyrës së mendimtarit dialektik, Marx-i ende interpretohet si një determinist ekonomik. Ndonëse disa aspekte të veprave të Marx-it mund të të çojnë në përfundime të tilla, interpretime të cilat bazohen vetëm mbi këto aspekte, nuk marrin parasysh energjinë e vrullshme dialektike që mbizotëron në teorinë e tij.

Në veprën e tij, Agger (1978) e vlerëson periudhën nga viti 1889 deri në vitin 1914, si periudha kur interpretimi i teorisë marksiste si një lloj determinizmi ekonomik arriti kulmin me “Internacionalen e Dytë Komuniste”. Kjo periudhë historike shpesh është vlerësuar si maja më e lartë e fillimit të tregut kapitalist, i cili me sukseset dhe dështimet e tij nxiti shumë parashikime, përfshirë edhe shkatërrimin e afërm të këtij tregu. Ata marksistë që besonin në determinizmin ekonomik e shikonin shkatërrimin e kapitalizmit si diçka të paevitueshme. Sipas këndvështrimit të tyre, marksizmi ishte i aftë të prodhonte një teori shkencore mbi parashikimin e këtij shkatërrimi (si dhe mbi aspekte të tjera të shoqërisë kapitaliste), me të njëjtën siguri që japin dhe shkencat fizike dhe natyrore. Për ta ndërtuar këtë teori do të duhej thjesht që analistët të ekzaminonin strukturat e kapitalizmit, duke u përqendruar te strukturat ekonomike. Brenda këtyre strukturave kishte një seri procesesh që do të çonin në mënyrë të paevitueshme drejt shkatërrimit të kapitalizmit dhe, për rrjedhojë, ekonomisti determinist duhej që thjesht të zbulonte mënyrën se si funksiononin këto procese.

Friedrich Engels, bashkëpunëtori dhe mirëbërësi i Marx-it, mbante stafetën e këtij interpretimi të teorisë marksiste, ashtu si dhe Karl Kautsky dhe Eduard Bernstein. Për shembull, Kautsky diskutonte mbi rrënimin e kapitalizmit duke e cilësuar si:

  • “Në mënyrë të pashmangshme, ashtu si shpikësit përmirësojnë teknikat, edhe kapitalistët, të shtyrë nga dëshira për të rritur fitimet, revolucionarizojnë të gjithë jetën ekonomike. Po ashtu, në mënyrë të pashmangshme, edhe punëtorët kërkojnë orare më të shkurtra pune dhe rroga më të larta duke u vetorganizuar për të luftuar kundër klasës kapitaliste dhe pushtetit të saj dhe, më tej, të kërkojnë të fitojnë pushtet politik duke e përmbysur regjimin kapitalist. Socializmi është i pashmangshëm pasi lufta e klasave dhe fitorja e proletariatit janë të pashmangshme.”  (Kautsky, cituar nga Agger, 1978:94)

Ky citim paraqet një panoramë brenda së cilës aktorët detyrohen të ndërmarrin një seri veprimesh për shkak të strukturave të kapitalizmit. Kjo panoramë e krijuar nxiti kritikat të mëdha rreth orientimit shkencor të determinizmit ekonomik, duke dalë në përfundimin se kjo lloj qasjeje nuk i qëndronte besnike energjisë së vrullshme dialektike të teorisë së Marx-it. Në mënyrë të veçantë, kjo teori duket sikur e anashkalonte dialektikën, duke e bërë të parëndësishëm mendimin dhe veprimin individual. Elementi vendimtar i kësaj teorie ishin strukturat ekonomike që përcaktonin mendimin dhe veprimin individual. Ky interpretim çoi drejt një apatie politike që binte ndesh me mendimet e Marx-it (Guilhot, 2002). Pse duhet që individët të vepronin, ndërkohë që sistemi kapitalist do të shkatërrohej për shkak të kontradiktave në strukturat e tij brendshme? Duke marrë parasysh dëshirën e Marx-it për të gërshetuar teoriken me praktiken, një këndvështrim i cili e eliminon veprimin dhe e bënë atë të parëndësishëm është haptazi në kundërshtim me traditën e mendimeve marksiste.

MARKSIZMI HEGELIAN

Për shkak të kritikave që trajtuam më lartë, determinizmi ekonomik filloi të humbas vlerën e tij dhe një numër mendimtarësh zhvilluan variacione të tjera të teorisë marksiste. Një grup marksistësh iu rikthyen rrënjëve hegeliane të teorisë marksiste në kërkim të një orientimi subjektiv që do të rriste forcën e nivelit objektiv materialist të teoricienëve të parë marksistë. Marksistët e parë hegelianë kërkuan të rivendosnin dialektikën mes aspekteve subjektive dhe objektive të jetës shoqërore. Interesi i tyre në faktorët subjektivë hodhi themelet për zhvillimin e teorisë kritike, e cila më pas u përqendrua pothuaj tërësisht vetëm në këta faktorë. Ekzistojnë një numër mendimtarësh (si p. sh., Karl Korsch) nëpërmjet të cilëve mund të shpjegohet marksizmi hegelian, por George Lukacs dhe vepra e tij më e njohur “Historia dhe ndërgjegjja e klasave (1922/1968) dallon nga autorët e tjerë.

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.