Demokratizimi i Shqipërisë, demokratizimi nga brenda Autor Theodore Kaltsounis

Demokratizimi i Shqipërisë. Demokracia nga brenda. Autor Theodore Kaltsounis

Përkthyen nga anglishtja: Milika Dhamo & Valbona Nathanaili    

ISBN 978-99956-39-90-7 / Tiranë, korrik, 2013

Besimi i Prof. Kaltsounis se demokracia mund dhe duhet të mësohet e aplikohet në shkollë

Book review

Nga Prof. Dr. Milika Dhamo & Prof. Asoc. Dr. Marjana Sinani 

Prof. Theodore Kaltsounis në këtë botim, sjell të strukturuar dhe në mënyrë analitike, përvojën prej një dekade të punës së tij në Shqipëri. Autori argumenton idenë e domosdoshmërisë së bashkërendimit të ndërtimit të institucioneve demokratike me zhvillimin e demokracisë “së brendshmi”. Ai analizon modelin e investimit strategjik të demokratizimit së brendshmi të Shqipërisë, një model që Ted e ideoi dhe udhëhoqi si edukator e sociopolitolog, por edhe si qytetar dhe shtetas i tri shteteve me histori të ndryshme zhvillimi të demokracisë.

Ted sjell në këtë manual mendimin e tij se “demokracia nuk importohet, por zhvillohet nga brenda”, se “përkujdesja për ndërtimin e institucioneve demokratike është e pamjaftueshme pa lartësimin e qytetarit”. Ai përshkruan punën stadiale të bërë në Shqipëri gjatë viteve 1992-2002 ku ai udhëhoqi me besimin dhe argumentet se shkolla është vendi ku mësohet dhe aplikohet demokracia. Prof. Kaltsounis përshkruan instrumentet, dimensionet dhe strategjitë e domosdoshme në fushën e edukimit për demokraci.

Përgjatë këtij libri shumë interesant, Prof. Kaltsounis rithekson besimin se të dokumentosh filozofinë, dilemat, paradokset, sfidat, zgjidhjet dhe gjithë itinerarin që kaloi projekti kombëtar “Edukimi për demokraci në shkollën Shqiptare”, në vitet 1995-2005, më shumë se detyrim vetiak i ndërmarrë që në vitin 1946, është detyrim profesional për t’i lënë shkollës shqiptare një histori suksesi në fushën e edukimit për demokraci. Ai përshkruan qëllimin, fazat, objektivat, terrenin shkollor shqiptar, ekspertizën shqiptare, ekspertizë që jo vetëm dëshironte, por dhe mësoi të përmbushë qëllimshëm disa nga dimensionet e edukimit për demokraci në gjithë hapësirën shkollore në Shqipëri.

Prof. Kaltsounis vjen me bilancin e aktiviteteve për demokraci së brendshmi që u shtrinë në një hark kohor relativisht të gjatë dhe që ngërthyen gjithë sistemin arsimor në mbarë vendin. Ai analizon perspektivat që hapën konferencat kombëtare fokusuar në edukimin qytetar demokratik në shkollë, potencialin që krijuan rreth 2500 mësues të trajnuar në gjithë vendin, shansin që dha botimi i 23 manualeve shkollore mbi demokracinë dhe mësimin e saj, qëndrueshmërinë që solli përfshirja e universiteteve të përgatitjes së mësuesve dhe vijimësinë qe solli ngritja e pesë Qendrave Universitare të Edukimit Qytetar Demokratik në Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Elbasan dhe Tiranë.

Përgjatë këtij libri Ted vjen realist dhe inspirues. Ai arsyeton rreth idesë se rruga për të ndërtuar dhe brendësuar demokracinë deri në nivelet e të ndërgjegjshmes, përballet me “kurthet” që ngre e djeshmja. Ted zhvillon dhe mbron idenë se investimet e bëra në fushën e shkencave sociale në shkollë nuk humbasin; ato riciklohen, ri-përmasohen, në kontekste të reja. Ai shpjegon pse zgjodhi shkollën, nxënësit, mësuesit dhe tekstet për të zhvilluar mendimin dhe veprimin qytetar e demokratik si rrugë të zhvillimit të demokracisë, ndërkohë që rryma sociopolitologësh ende investohen vetëm në modelimin e institucioneve qeverisëse dhe elektorale si determinantë të demokracisë. Ted ndriçoi një rrugë të re veprimi, që çon në ndryshime afatgjata në kulturën politike qytetare.

Kanë thënë për librin:

Valbona Nathanaili, Drejtore, UET Press

Me një gjuhë të thjeshtë dhe të sinqertë, në libër përshkruhet teoria dhe praktika e një megaprojekti afro 20 vjeçar për instalimin e demokracisë në Shqipëri nga brenda. Truri dhe mekanizmi lëvizës i tij, autori i lindur dhe rritur në Shqipëri Theodore Kaltsounis, me mbështetjen e vazhdueshme të Universitetit të Washingtonit dhe të agjencive të ndryshme në ShBA, arrin të krijojë e konsolidojë një rrjet të gjerë qendrash në të gjithë Shqipërinë për mësimin e demokracisë në shkolla. Libri është një leksion i hapur për dashurinë dhe përkushtimin ndaj koncepteve të tilla si demokracia dhe të drejtat humane, vendlindja dhe origjina, puna në grup dhe vetëmohimi. Faleminderit Ted për këtë leksion!

Prof. Asoc. Dr. Tonin Gjuraj, Rektor, UET

Paradigma e tranzicionit ka qënë paradigma dominuese, që ka ndikuar dukshëm në studimet e ndryshme mbi demokratizimin në Shqipëri. Libri i Prof. Theodore Kaltsounis “Demokratizimi i Shqipërisë – demokracia nga brenda” bën një analizë të kësaj paradigme, të mungesës së traditës demokratike në Shqipëri, barrierave, supozimeve, koncepteve dhe hipotezave kryesore që janë zhvilluar gjatë procesit të demokratizimit, si dhe spjegimin e disa proceseve demokratike në vend.

Asnjë libër ndoshta nuk spjegon më mirë, më kuptueshëm, më thjesht dhe më qartë sesa ky libër parimet demokratike, vlerat dhe shprehitë demokratike, ku autori nënvizon vlefshmërinë e tyre për shoqërinë dhe politikën shqiptare, një kuadër konceptual të edukimit qytetar demokratik, si dhe rrugën që nisi Shqipëria në përqafimin e këtij edukimi, nëpërmjet projekteve të dobishme të mbështetura në çdo aspekt prej qeverisë së SHBA-ve dhe ekspertëve të saj më të mirë në këtë drejtim.

Publikime të mëparshme

  • Theodore Kaltsounis, Teaching Social Studies in the Elementary School (1969)
  • Theodore Kaltsounis (with Celia Stendler Lavatelli and Walter J. Moore), Elementary School Curriculum (1972).
  • Theodore Kaltsounis, Teaching Social Studies in the Elementary School: The Basics for Citizenship, First and Second Editions (1979-1987)
  • Theodore Kaltsounis, The World and its People: States and Regions, First and Second Editions (1982 and 1986)
  • Theodore Kaltsounis, Geography of States and Regions (1988)
0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.