Dekret për krijimin e Organizatave dhe të Shoqatave Politike

Tiranë më, 17.12.1990 / Nr. i dekretit: 7442

Dekret për krijimin e Organizatave dhe të Shoqatave Politike

Në mbështetje të nenit 78 të Kushtetutës dhe me propozimin e Këshillit të Ministrave

Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë

Vendosi

  1. Neni 1. Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, në bazë të nenit 54  të Kushtetutës, shtetasve u njihet e drejta të formojnë organizata (parti) ose shoqata politike e shoqërore.
  2. Neni 2. Veprimtaria e partive ose shoqatave politike mund të shtrihet në një a disa rrethe ose në gjithë territorin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
  3. Neni 3. Shtetasit që dëshirojnë të formojnë parti ose shoqate politike, detyrohen t’i drejtojnë kërkesë Ministrisë së Drejtësisë duke paraqitur programin dhe rregulloren ose statutin e partisë apo të shoqatës së tyre.
  4. Neni 4. Kërkesa për formimin e një partie ose shoqate politike duhet të nënshkruhet të paktën nga 100 shtetas, kur veprimtaria e kësaj partie a shoqate do të shtrihet në një ose në disa rrethe, dhe mbi 300 shtetas, kur veprimtaria e tyre do të shtrihet në gjithë territorin e vendit.
  5. Neni 5. Ministria e Drejtësisë, kur vëren se nuk janë zbatuar rregullat e caktuara në këtë dekret, e kthen kërkesën për plotësimet përkatëse.
  6. Neni 6. Ministria e Drejtësisë duhet të miratojë ose të refuzojë formimin e partisë a të shoqatës politike brenda 30 ditëve nga data e marrjes në dorëzim të kërkesës. Në rast se brenda këtij afati nuk përfundon shqyrtimi i kërkesës, ajo konsiderohet si e pranuar.
  7. Neni 7. Organi kompetent nuk miraton formimin e partive ose të shoqatave politike dhe ndalon vazhdimin e veprimtarisë së tyre, kur ato kanë karakter fashist, racist, luftënxitës, antikombëtar ose nxitin urrejtjen kombëtare, si dhe kur synojnë përmbysjen me dhunë të rendit të vendosur në Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ndalohet formimi dhe veprimtaria e një partie a shoqate politike, kur themeluesit ose ata që bëjnë pjesë në udhëheqjen e saj frymëzohen nga idetë e përmendura në këtë dispozitë.
  8. Neni 8. Nuk mund të marrin pjesë në formimin e një partie ose shoqate politike dhe as të jenë anëtarë të tyre, shtetasit e huaj dhe shtetasit shqiptarë që nuk kanë vendbanim të përhershëm në territorin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
  9. Neni 9. Kundër aktit të Ministrisë së Drejtësisë që refuzon kërkesën për formimin e një partie a shoqate politike ose që ndalon vazhdimin e veprimtarisë së tyre, mund të bëhet ankim, brenda 15 ditëve nga dita e njoftimit, në Gjykatën e Lartë, e cila brenda 15 ditëve merr vendim të formës së prerë.
  10. Neni 10. Rregullorja a statuti i partive ose shoqatave politike, ndër të tjera, duhet të përmbajë emrin e partisë a të shoqatës, organizimin e brendshëm, qëllimin e krijimit, qendrën e tyre dhe territorin në të cilin do të zhvillojnë veprimtarinë, si dhe burimin e mjeteve materiale që do të përdorin.
  11. Neni 11. Partitë ose shoqatat politike janë persona juridikë. Ato do të kenë pasuri të nevojshme për kryerjen e veprimtarisë dhe shtypin e tyre, si dhe do të administrojnë të ardhurat që vijnë nga pagimi i kuotave të anëtarësisë dhe nga burime të tjera të ligjshme. Partive ose shoqatave politike u ndalohet të marrin drejtpërsëdrejti ose tërthorazi ndihma financiare nga jashtë, si: shtete, parti, organizata, institucione, individë të huaj ose nga shqiptarë që nuk janë me banim të përhershëm në Shqipëri. Në rast të kundërt shteti bën konfiskimin e këtyre ndihmave.
  12. Neni 12. Partitë dhe shoqatat politike detyrohen të shpallin një herë në vit burimin, sasinë dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave të tyre.
  13. Neni 13. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Për presidiumin e Kuvendit Popullor Të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Sekretari: Sihat Tozaj. Kryetari: Ramiz Alia

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.