Deklarata e përbashkët e Sorbonës, Paris, 25 maj 1998

Deklarata e përbashkët e Sorbonës, Paris, 25 maj 1998

mbi “HARMONIZIMIN E ARKITEKTURËS SË SISTEMIT ARSIMOR TË LARTË”

nga katër ministrat e ngarkuar të FRANCËS, GJERMANISË, ITALISË dhe MBRETËRISË SË BASHKUAR.

Përktheu: Valbona Nathanaili

Procesi Europian, së fundmi, ka shënuar disa hapa të rëndësishëm përpara. Duke qenë shumë të rëndësishme, ato nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se Europa nuk është vetëm Europa e euros, e bankave dhe e ekonomisë: Europa duhet të jetë në të njëjtën kohë edhe Europa e dijeve. Ne duhet të ndërtojmë dhe të fuqizojmë dimensionet intelektuale, kulturore, shoqërore dhe teknike të kontinentit tonë, të modeluar në një masë të madhe nga universitetet e tij, të cilat vazhdojnë të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e tyre.

Universitetet kanë lindur në Europë afro 800 vjet më parë. Të katër vendet tona mund të mburren me faktin se kanë në territoret e tyre disa nga universitetet më të vjetër e që po festojnë në këtë periudhë përvjetorë të rëndësishëm, sikurse po bën sot Universiteti i Parisit. Në kohët tona, studentët e akademikët duhet të qarkullojnë lirisht e të kontribuojnë në shpërndarjen me shpejtësi të njohurive të përftuara në të gjithë kontinentin. Por, akoma në ditët tona ka plot studentë që diplomohen pa pasur mundësinë e përftimit të një periudhe studimi jashtë kufijve kombëtarë të vendit të tyre.

Ne po kryesojmë ndryshime të rëndësishme në kushtet e punës e të arsimimit, përmes një shumëllojshmërie kursesh për përgatitje profesionale, duke qartësuar detyrimin e të mësuarit e të trainuarit përgjatë gjithë jetës. Ne u detyrohemi studentëve tanë dhe në një kontekst më të gjerë gjithë shoqërisë, një sistem arsimor të lartë në të cilin ata të mund të kërkojnë dhe të gjejnë mundësitë më të mira ku të mund të shkëlqejnë.

Një hapësirë e hapur Europiane për arsimim të lartë mbart perspektiva pozitive, duke respektuar sigurisht diversitetet tona, por që kërkon në anën tjetër heqjen e barrierave dhe zhvillimin e një strukturë të tillë mësimi e të nxëni që nxit lëvizshmërinë dhe siguron një bashkëpunim më të ngushtë. Njohja ndërkombëtare dhe potenciali tërheqës i sistemeve tona lidhen direkt me mundësitë që ofrojnë në planin e brendshëm e të jashtëm. Duket se urgjentisht po del nevoja e njohjes së një sistemi të përbërë nga dy cikle, parauniversitar dhe universitar, të cilët duhet të njihen e më pas të krahasohen e ekuivalentohen në nivel ndërkombëtar. Në pjesën më të madhe, origjinaliteti dhe fleksibiliteti i këtij sistemi duhet të arrihet përmes përdorimit të krediteve (sikurse bëhet me skemën ECTS) dhe semestrave. Një proces i tillë do të mundësonte vlerësimin e krediteve të fituara për ata të cilët, e kanë filluar a e vazhdojnë edukimin në universitete të ndryshme të Europës e që duan të kenë mundësinë e përftimit të një shkalle studimi në një periudhë të caktuar të jetës së tyre. Në fakt, studentët duhet të jenë të aftë të hyjnë në botën akademike në çdo periudhë të jetës së tyre profesionale dhe nga fusha të ndryshme studimi.

Parauniversitarët duhet të kenë mundësinë e ndjekjes së programeve të ndryshëm, si për shembull mundësi për studime në disiplina të shumta, zhvillimin e aftësive në gjuhë dhe aftësinë për të përdorur teknologjitë e reja të informimit.

Njohja ndërkombëtare e shkallës së parë të ciklit, si një nivel i përshtatshëm kualifikimi, është e rëndësishme për këtë përpjekje, nëpërmjet të cilës ne dëshirojmë të bëjmë të qartë për të gjithë skemën tonë të arsimimit të lartë.

Në ciklin e diplomimit, duhet të jetë mundësia e një zgjedhjeje ndërmjet ndjekjes së një shkalle më të shkurtër studimi master dhe një shkalle më të gjatë studimi doktoraturë, me mundësinë e transferimit nga njëra tek tjetra. Në të dyja shkallët e diplomimit, një rëndësi e veçantë duhet treguar për punën kërkimore dhe atë të pavarur.

Në të dy nivelet, si në atë të para diplomimit, ashtu edhe në nivelin e diplomimit, studentët duhet të inkurajohen të kalojnë të paktën një semestër në një universitet tjetër jashtë vendit të tyre të origjinës. Në të njëjtën kohë, më shumë staf mësimdhënës e kërkimor duhet të punojë në vende të tjera të Europës, të ndryshëm nga vendi i tyre.  Mbështetja, në rritje e shpejtë e Bashkimit Europian lidhur me lëvizshmërinë e studentëve dhe mësuesve, duhet të përdoret deri në maksimum. Shumica e vendeve, jo vetëm ato brenda Europës, po bëhen plotësisht të ndërgjegjshme mbi nevojën e adaptimit të një evolucioni të tillë. Konferenca e rektorëve europianë, presidentëve të universiteteve dhe grupeve të akademikëve dhe ekspertëve në vendet tona respektive, po kujdeset në përhapjen e mendimit të shprehur përmes këtyre rrjeshtave.

Në konventën e vitit të kaluar, në Lisbonë, u ra dakord mbi kualifikimet e arritura në arsimin e lartë për sa i takon aspektit akademik brenda Europës. Konventa vendosi disa kërkesa dhe njohuri themelore që duhet të plotësonte secili vend e ndërkohë pranoi se vende të caktuara mund të angazhoheshin në një skemë edhë më konstruktive. Bazuar në konkluzionet e konventës, mund të ngrihen qëndrime të caktuara me synim ecjen përpara.

Aktualisht, ekziston një bazë e përbashkët për njohjen e ndërsjellë të diplomave të arsimit të lartë për synime profesionale sipas direktivave përkatëse të Bashkimit Europian.

Qeveritë tona, sidoqoftë, vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm, duke inkurajuar mënyrat nëpërmjet të cilave do të mund të vlerësojmë njohuritë e shkallët e përftuara të diplomimit, me synim njohjen sa më mirë të tyre. Në këtë mënyrë, ne presim të kemi një shtysë të mëtejshme në arritjen e marrëveshjeve ndërmjet universiteteve. Harmonizimi progresiv i sfondit të përgjithshëm të cikleve dhe shkallëve tona të edukimit mund të arrihet përmes fuqizimit të eksperiencave të fituara deri më tani, diplomave të përbashkëta, iniciativave pilot dhe dialogut ndërmjet gjithë palëve të interesuara.

Nëpërmjet kësaj deklarate, ne zotohemi të nxisim një kornizë të përbashkët reference, me synim përmirësimin e njohjes së jashtme dhe lehtësimin e lëvizshmërisë studentëve dhe krijimin e mundësive për punësim.

Festimi  i përvjetorit të Universitetit të Parisit, sot, këtu në Sorbonë, na ofron një mundësi solemne në përpjekje për të krijuar hapësirën Europiane të arsimit të lartë, ku identitetet kombëtare dhe interesat e përbashkët mund të ndërveprojnë dhe fuqizojnë njëri tjetrin, në të mirë dhe përfitim të Europës, të studentëve të saj, dhe akoma më shumë, të të gjithë qytetarëve europianë.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë Shteteve anëtare të Bashkimit dhe vendeve të tjera të Europës, të bashkohen me ne në këtë objektiv; u bëjmë thirrje të gjithë Universiteteve Europiane të konsolidojnë pozitën e Europës në botë përmes përmirësimit të vazhdueshëm dhe përditësimit të arsimit për qytetarët e saj.

 Claude ALLEGRE

Ministër për Arsimin, Kërkimin dhe Teknologjinë Kombëtare (Francë)

 Luigi BERLINGUER

Ministër për Mësimin, Universitetin dhe Kërkimin (Itali)

 Tessa BLACKSTONE

Ministër për Arsimin e Lartë (Mbretëria e Bashkuar)

 Jürgen RÜTTGERS

Ministër për Arsimin, Shkencën, Kërkimin dhe Teknologjinë (Gjermani)

 

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published.